Prishtinë, 1 shtator 2021 – Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se lista e pritjes për termine për viza pune në Gjermani për muajin shtator është mbyllur,kurse lista e pritjes për muajin tetor do të hapet në javën e dytë të shtatorit.
“Për terminet që janë në dispozicion në muajin e ardhshëm tashmë ka regjistrime të mjaftueshme. Prandaj lista e pritjes për termine për muajin shtator është mbyllur. Lista e pritjes për Tetorin do të hapet në javën e dytë të Shtatorit”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare tѱ ambasadës.
“Nëse në sistemin për caktimin e termineve nuk shfaqet kategoria “Punësim sipas § 26 Abs. 2 Urdhëresa e Punësimit (Rregullorja për Ballkanin Perëndimor), ekziston mundësia që ndodheni jashtë periudhave kohore të lartëcekura, ose që është arritur numri maksimal i regjistrimeve për caktimin e një termini për muajin vijues. Nëse lista për muajin vijues është plotësuar, atëherë duhet të prisni për muajin tjetër. Në ndërkohë ju mund mund të kompletoni dokumentacionin e kërkuar për parashtrim të kërkesës për vizë”, thuhet më tutje në njoftim.
Ambasda gjermane në Prishtinë ka publikuar edhe kriteret për hyrje në Gjermani gjatë masave kundër pandemisë.
“Ju lutemi vini re që për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia, aktualisht drejt Gjermanisë mund të udhëtojnë vetëm personat, të cilët posedojnë një dëshmi mbi vaksinimin e plotë kundër Covid-19 me një nga vaksinat e lejuara EMA (aktualisht BionTech-Pfizer/Cominarty, Moderna, AstraZeneca/Vaxzevria – secila nga dy doza, Johnson&Johnson/Janssen – një dozë) – doza e fundit e vaksininës duhet të jetë marrë në së paku 14 ditë më pare – ose mund të dëshmojnë që për ata vlen njëra nga përjashtimet e kufizimeve aktuale të udhëtimit (dëshmitë duhet të sillen me vete me rastin e parashtrimit të kërkesës për vizë)”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Kosovë.
(r.m.)