Pyetje nga lexuesi lidhur me vizat

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Gjatë kësaj periudhe po lexoj shumë rreth vizave amerikane dhe fatmirësisht gjeta kontaktin tuaj.

Kam menduar të nis procedurat për një jetë të re në USA. Jam 30 vjeçe dhe nëna e një fëmije 4 vjeçar. Nuk e di cila do të jetë mënyra më e shkurtër, por edhe më e sigurt: me vizë studenti, pune apo turistike. Në Chicago kam një kushuri që ka kompani të vetën dhe mund të më bëjë një kontratë pune. Do t’ju isha shumë mirënjohëse nqs do të më ndihmonit!

Ju falenderoj paraprakisht,

F.

Shqipëri 

Ka lloje të shumta vizash për në SHBA: viza emigruese (green card-a) si dhe joemigruese (viza të përkohshme). Vizat joemigruese janë ato që merren më shpejt dhe më lehtë, por ato janë viza të përkohshme.  

Viza e “vizitorit”

Si rregull, nëse një nënshtetas i huaj dëshiron të hyjë në Shtetet e Bashkuara duhet më parë të sigurojë një vizë hyrje, qoftë kjo vizë joemigruese për qëndrim të përkohshëm, qoftë vizë emigruese për qëndrim të përhershëm. Vizat e vizitorit janë viza joemigruese që u jepen atyre personave që dëshirojnë të hyjnë në SHBA për qëllime biznesi (viza e kategorisë B-1), për arsye turistike (viza e kategorisë B-2) ose për të dyja këto arsye bashkë (viza B-1/B-2). Personit me vizë vizitori (B1/B2) nuk i lejohet të pranojë të punësohet ose të punojë në Shtetet e Bashkuara. Viza i lejon nënshtetasit të huaj që të udhëtojë drejt një pike hyrëse të SHBA-së (zakonisht një aeroport) dhe aty të kërkojë leje për t’u futur në Shtetet e Bashkuara. Viza nuk i garanton askujt futjen në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e Departamenti të Sigurisë Kombëtare (DHS-së) si dhe të Agjencisë Amerikanë të Doganave dhe Ruajtjes së Kufirit (CBP-së) që janë në pikat hyrëse kanë autoritetin për të vendosur nëse dikujt i lejohet ose jo hyrja në Shtetet e Bashkuara. Kur lejoheni të hyni në Shtetet e Bashkuara, zyrtari i CBP-së ju vë vulën e pranimit ose ju jep formularin I-94, Arrival/Departure Record.  

Viza e studentit

Për të studiuar në Shtetet e Bashkuara duhet të keni një vizë studenti. Studimet që do të ndiqni si dhe lloji i shkollës që keni në plan të frekuentoni përcaktojnë nëse ju nevojitet vizë F apo vizë M. Hapi i parë që duhet të ndërmerrni është të aplikoni pranë një shkolle në Shtetet e Bashkuara e cila është e çertifikuar nga Programi i Studentëve dhe i Vizitorëve të Shkëmbimit (SEVP). Kur një shkollë e aprovuar nga SEVP-ja ju pranon si student, atëherë duhet të regjistroheni në Sistemin e Informacionit mbi Studentët dhe Vizitorët e Shkëmbimit (SEVIS) si dhe duhet të paguani tarifën I-901 të SEVIS-it. Më pas shkolla e aprovuar nga SEVP-ja do t’ju japë formularin I-20. Pasi të keni marrë formularin I-20 si dhe të jeni regjistruar në SEVIS, mund të aplikoni pranë konsullatës apo ambasadës së SHBA-së për vizë studenti (M ose F). Formularin I-20 duhet t’ia paraqisni zyrtarit konsullor gjatë intervistës për vizë. Nëse bashkëshorti/ja dhe/ose fëmijët kanë ndërmend të jetojnë me ju në Shtetet e Bashkuara gjatë kohës që ndiqni studimet, duhet që dhe ata të regjistrohen në SEVIS, secili prej tyre të pajiset me formular I-20 nga shkolla e aprovuar nga SEVP-ja si dhe të aplikojnë për vizë (por ata nuk ka nevojë të paguajnë tarifat për SEVIS-in). Studentët e huaj në Shtetet e Bashkuara që kanë vizë F duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara brenda 60 ditëve nga data e përfundimit të programit siç është treguar në formularin I-20, përfshirë këtu dhe stazhin për të cilin jeni autorizuar. 

Viza e punës

Vizat për punonjësit e përkohshëm u jepen atyre personave që dëshirojnë të futen në Shtetet e Bashkuara për punësim që zgjat për një periudhë të caktuar kohe dhe si të tillë nuk konsiderohen si punonjës të përhershëm apo të punësuar për një periudhë të pacaktuar. Secila nga këto lloj vizash kërkon që së pari, punëdhënësi i ardhshëm të paraqesë një peticion pranë Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-it). Që të mund të aplikosh për vizë pune, duhet që të jetë miratuar më parë peticioni. Disa kategori vizash punësimi të përkohshëm kërkojnë që punëdhënësi i ardhshëm, përpara së t’i paraqesë USCIS-it Formularin I-129 (Petition for a Nonimmigrant Worker), të jetë pajisur me atë që quhet Labor Certification (proçes që provon që nuk egziston asnjë punëtor amerikan i kualifikuar për punën për të cilën po punësohet i huaji) ose një lloj aprovimi tjetër nga Departamenti i Punës i lëshuar në emrin tuaj. Shumë punonjës të përkohshëm aplikojnë për vizë H-1B për t’u punësuar në një profesion të specializuar. Kërkohet që personi të ketë diplomë të arsimit të lartë ose ekuivalenten e saj, dhe në këto profesione përfshihen puna si modele në fushën e modës me aftësi dhe merita të veçanta, punë kërkimore dhe zhvillimi mes dy qeverive ose projekte bashkë-prodhimi të administruara nga Departamenti i Mbrojtjes. Një tjetër vizë e zakonshme për punësim të përkohshëm është viza L, për të shpërngulurit nga një degë e kompanisë tek ajo në SHBA (Intracompany Transferee). Kjo vizë jepet për të punuar në një rol manaxherial, drejtuesi ekzekutiv apo në një vend pune ku kërkohen dije të specializuara pranë një dege kryesore apo filiali që lidhet me punëdhënësin aktual. Personi i shpërngulur duhet të ketë qenë i punësuar nga i njëjti punëdhënës jashtë vendit për një periudhë të pandërprerë njëvjeçare gjatë tre viteve pararendëse. 

Ndryshimi i statusit nga joemigrues në emigrues (Green Card-a)

Nëse gjatë kohës së qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, planet tuaja kanë ndryshuar (për shembull, jeni martuar me një nënshtetas/e amerikan/e apo keni marrë një ofertë pune), atëherë mund të bëni kërkesë pranë Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-it) për ndryshim statusi nga joemigrues në një kategori tjetër çfarëdo. Sa kohë që jeni në Shtetet e Bashkuara, për ndryshimin e statusit nga USCIS-i nuk ju kërkohet të aplikoni për një vizë të re. Megjithatë, në momentin që largoheni nga Shtetet e Bashkuara duhet patjetër të aplikoni për një vizë të re pranë konsullatës apo ambasadës së SHBA-së në kategorinë përkatëse që të mund të udhëtoni, përveçse kur jeni të pajisur me green card.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]