Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se nëse fiton partia e tij në zgjedhjet e ardhshme, ai ka në plan të ri-negociojë kushtet e antarësimit të Britanisë në Bashkimin Evropian dhe t’u kërkojë britanikëve të japin mendimin e tyre përmes një referendumi. Propozimi, që lë të hapur mundësinë e tërheqjes së Britanisë nga Bashkimi, është pritur me reagime të forta si në radhët e bllokut edhe përtej kufijve të Evropës:
Kryeministri britanik i bëri komentet të mërkurën në një fjalim të shumë-pritur, ku paralajmëroi se zhgënjimi publik nga Bashkimi Evropian ka arritur pikën më të lartë. Ai tha se britanikëve do t’u ofrohej një zgjedhje e thjeshtë për të shprehur nëse duan të qëndrojnë apo të shkëputen nga BE-ja:
Mundësia e referendumit pritet t’i acarojë më tej shqetësimet e komunitetit të biznesit, ndërkohë që ka krijuar nervozizëm të ri brenda Bashkimit Evropian. Shqetësime janë shprehur nga fuqi të ndryshme botërore, që theksojnë rëndësinë e pranisë së Britanisë në bllokun evropian dhe paralajmërojnë se largimi i saj do ta dëmtonte ekonomikisht BE-në. Vetë zoti Cameron tha se vendimi i takon popullit britanik:
Megjithatë, kryeministri britanik theksoi se përparësia e tij është të negociojë traktatin e Bashkimit Evropian dhe jo të shkëputet nga blloku. Kritikët e tij e kanë akuzuar se ai po përpiqet të gjejë një zgjidhje ku çdo vend të specifikojë kushte individuale të antarësisë me Bashkimin.
Kritikë të tjerë thonë se kjo manovër mund t’i japë fund karrierës politike të David Cameronit.
Vetë kryeministri britanik është shprehur se nuk dëshiron që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian, por kërkon negociimin e një traktati të ri mbi antarësimin, pasi antarësimi i bazuar në një formulë të vetme, të njëjtë për të gjithë është gabim.
Zgjedhjet e ardhshme në Britani pritet të zhvillohen në vitin 2015.