Uashington, 3 shtator 2021 – Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin është anëtari i parë i Kabinetit që ka pranuar të marrë pyetje nga gazetarët që nga përfundimi i luftës më të gjatë në të cilën kanë marrë pjesë Shtetet e Bashkuara. Ai doli në një konference të përbashkët për shtyp me një gjeneral të lartë amerikan, të mërkurën, në Pentagon.
Krenari, dhimbje e zemërim, ishte ajo që u pa në Pentagon të mërkurën, dy ditë pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani.
“Sapo kemi përfunduar evakuimin më të madh ajror të civilëve në historinë e Shteteve të Bashkuara, ishte një mision heroik dhe historik”, tha Sekretar i Mbrojtjes Lloyd Austin.
“Lufta është e vështirë, e egër, mizore, ajo nuk fal. Ne të gjithë kemi dhimbje e zemërim. Dhe kur shohim atë që u shpalosur gjatë 20 viteve të fundit apo gjatë 20 ditëve të fundit, përballemi me dhimbje e zemërim”, tha Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneral Mark Miley.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit pranoi të mërkurën se krahas më shumë se 100 shtetasve amerikanëve që kanë mbetur ende në Afganistan, nuk janë evakuuar gjithashtu një pjesë e madhe e atyre që kanë aplikuar për Viza Speciale Emigrimi, ku futen ata afganë që kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara gjatë luftës, si dhe familjarë të tyre.
Tashmë talebanët kontrollojnë sërisht Afganistanin. Gjenerali Milley pranoi se Shteteve të Bashkuara mund t’u nevojitet të bashkërendojë me ta veprimet e mëtejshme në Afganistan.
“E kaluara ka treguar se ky është një grup i pamëshirshëm dhe nëse talebanët do të ndryshojnë apo jo, mbetet për t’u parë. Për sa i përket marrëdhënieve tona me ta, gjatë evakuimit, apo vitin e kaluar a më pare: në luftë, ju bëni atë që duhet për të zvogëluar rrezikun në mision, apo ndaj trupave, dhe jo domosdoshmërisht atë që do të dëshironit të bënit”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse ekzistojnë mundësitë e bashkërendimit të veprimeve me talebanët kundër ISIS-K, gjenerali Miley nuk e përjashtoi këtë mundësi.
“Është e mundur”, tha ai.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara në një kohë që e shohin të përshtatshme do të hakmarren ndaj degës së Shtetit Islamik në Afganistan. Në ditët e fundit të tërheqjes të forcave amerikane, grupi terrorist organizoi një sulm të përgjakshëm në një nga portat hyrëse të aeroportit të Kabulit, duke vrarë 13 ushtarë amerikanë si dhe të paktën 170 civilë afganë.
Talebanët janë armiq me degën e Shtetit Islamik që organizoi sulmin, por Shtëpia e Bardhë nuk po nxiton të krijojë ndonjë aleancë me ta.
“Nuk ka nxitim për njohje nga Shtetet e Bashkuara, ose nga ndonjë vend tjetër me të cilin kemi biseduar. Kjo do të varet shumë nga sjellja e tyre dhe nëse ata përmbushin pritshmëritë e komunitetit botëror”, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
Ajo që pritet nga talebanët është që të lejojnë largimin nga vendi të amerikanëve dhe afganëve të rrezikuar, si dhe të respektojnë të drejtat e grave, pakicave dhe gazetarëve.
(Zëri i Amerikës)