Prishtinë, 3 shtator 2021 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovës ka bërë të ditur se brenda pak ditësh, do të nisin zyrtarisht negociatat me kompaninë Pfizer/BioNTech për një kontratë të re për furnizim me vaksina kundër koronavirusit.
Deri në publikimin e këtij teksti, nga Pfizer/BionTech nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se negociatat me kompaninë Pfizer nuk janë të lehta për shkak të kërkesave të shumta në botë për vaksina, por sipas tyre, ministria do të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
Këto negociata do të udhëhiqen nga një komision për vlerësimin e situatës për vaksina dhe negocim.
“Meqë tash kemi edhe një rekomandim nga Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike për dhënien edhe të dozës së tretë, atëherë komision veç se do të fillojë negociata me kompaninë me të cilën kemi kontratë, po pa përjashtuar edhe prodhues të tjerë në mënyrë që të sigurohen edhe dozat e treta të cilat tashmë disa vendet kanë filluar t’i aplikojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.
Kosova në muajin maj nënshkroi kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave kundër koronavirusit. Çdo javë në Kosovë vijnë mesatarisht rreth 55,000 doza të Pfizerit. Deri tani janë administruar gjysma e vaksinave nga kjo kontratë.
Kosova po ashtu merr vaksina edhe përmes mekanizmit COVAX e nga partnerët e tjerë në formë të donacioneve. Ndër to është edhe vaksina e Oxfordit, AstraZeneca, por të cilën, qytetarët e Kosovës po hezitojnë ta marrin. Si rezultat i këtij hezitimi, Kosova largoi nga përdorimi mbi 133,000 vaksina AstraZeneca për shkak të skadimit të afatit. Këto vaksina ishin donacion nga Norvegjia.
Në shtatë ditët e fundit, Kosova ka regjistruar 11,440 raste të reja dhe 170 viktima.
Edhe pse kohë pas kohe, qytetarët e Kosovës po e kanë të pamundur të rezervojnë terminë për vaksinim, në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se Kosova ka vaksina të mjaftueshme. Zyrtarë të këtij institucioni kanë deklaruar se nga fillimi i javës së ardhme pritet të vijnë edhe 465,000 vaksina Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara, dhe 150,000 vaksina AstraZeneca nga Gjermania. Kurse deri në fund të muajit shtator, Kosova pret të ketë në dispozicion gati një milion vaksina.
“Në ditët dhe javët në vijim, sigurisht që intensiteti i diskutimeve për dozën e tretë do të rritet edhe në nivele të ekspertëve, por edhe në nivel të angazhimeve për të siguruar sa më shumë doza”, tha Faik Hoti.
Deri të enjten, në Kosovë janë vaksinuar 295,000 qytetarë me dy doza të vaksinës. Ndërkaq, dozën e parë e kanë marrë rreth 280,000 persona.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 31 për qind e popullatës së Kosovës është vaksinua kundër koronavirusit deri në fund të muajit gusht.
(REL)