Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri publikoi bilancin e zjarreve që përfshinë vendin në muajt korrik dhe veçanërisht në gusht nga temperaturat e larta apo me qëllim
Knid Ndrenika
Shqipëria shënoi dy viktima dhe dëme në 33 mijë e 420 hektarë kullota, pyje, shkurre dhe 14 mijë rrënjë ullinj dhe pemtari nga zjarret e qëllimtë dhe temperaturat e larta.
Haki Çako, drejtor i Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes tha se në korrik dhe në gusht në Shqipëri si vend me rrezikshmëri të lartë, shpërthyen 389 vatra zjarresh.
“Ne jemi një nga vendet me risk të lartë për zjarrte. Për shkak të temperaturave të larta Shqipëria u përfshi nga zjarre masive që dogjën, kullota e pemtari. Zjarret përfshinë të gjitha qarqet.
Zjarri më masiv ishte në gadishullin e Karaburunit, Maja e Rrunës, në Antigone ku humbën jetën edhe dy qytetarë.
U konsiderua e domosdoshme kërkesa për ndihmë dhe asistencë ndërkombëtare, të cilët ndihmuan me helikopterë. 389 vatra zjarri shpërthyen në gjithë vendin. Nga vlerësimi janë djegur 33420 ha kullota, shkurre pyje si dhe 14 rrënjë ullinj pemtari”- tha ai.
Vatrat masive ishin në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë, Majën e Rrunës pranë tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit dhe në Antigone të Gjirokastrës ku vdiqën dy bashkëshortë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral brigade Bajram Begaj tha se pas 3 javësh luftë me zjarret u shpëtuan jetë njerëzish dhe parandaluan dëme më të mëdha.
Kryeministri Edi Rama potencoi se duhet ndëshkim shembullor për zjarrvënësit që rrezikojnë jetët e njerëzve:
“Policia e Shtetit ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura, që këta kriminelë barbarë të shërbejnë për të dhënë një mesazh, sepse është e patolerueshme që dora e njeriut të shtojë nga vetja për të ndezur zjarre që marrin edhe jetë”.
Ai shtoi se zjarrvënësit po shkatërrojnë pasurinë kombëtare:”
“Nuk dua të zgjatem por nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të këtyre vatrave të zjarrit që në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes së temperaturave dhe barbarisë së atyre që vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet, përkushtimin e shumë gjeneratave. Ata nuk meritojnë të jetë të lirë por të kalben prapa hekurave.
Folësit në ceremoninë e organizuar në Regjimentin e Helikopterëve të Ushtrisë në Farkë të Tiranës falenderuan vendet partnere dhe mike që ndihmuan në përballimin e gjendjes.