Talibanët thonë se e kanë marrë kontrollin e provincës Panjshir

Kabul, 6 shtator 2021 – Talibanët thanë se kanë marrë kontrollin e plotë të provincës Panjshir, zonës së fundit në Afganistan që kontrollohej nga forcat e rezistencës.

Këto të fundit i hodhën poshtë pretendimet e grupit militant.

Konfirmime të pavarura të ngjarjeve atje tash për tash është e pamundur të sigurohen, pasi talibanët kanë ndërprerë linjat e telefonit, internetin dhe energjinë elektrike.

Talibanët kanë marrë kontrollin e shumicës së Afganistanit tri javë më parë.

Ata kanë marrë pushtetin në Kabul më 15 gusht, pas rënies së Qeverisë së mbështetur nga Perëndimi.

Që atëherë ka pasur luftime të ashpra në Luginën Panjshir – në veri të kryeqytetit Kabul – ku Fronti Kombëtar i Rezistencës ka kundërshtuar sundimin taliban.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, lëshoi një deklaratë të hënën, duke thënë se Panjshiri tani është nën kontrollin e luftëtarëve talibanë.

Zëdhënësi i Frontit Kombëtar të Rezistencës tha se këto pretendime janë “të pavërteta”.

Në mediat sociale janë postuar fotografi që duket se tregojnë talibanët duke qëndruar para kompleksit të guvernatorit të provincës Panjshir.

(REL)