Fitorja e parë në histori e Shqipërisë me Hungarinë 1-0 në Elbasan për “Katar 2022” - ILLYRIA

Fitorja e parë në histori e Shqipërisë me Hungarinë 1-0 në Elbasan për “Katar 2022”

Kombëtarja shqiptare ka arritur të mundë Hungarinë me rezultatin 1-0 të dielën në “Elbasan Arena” falë golit të Armando Brojës, duke mbajtur gjallë shpresat për të arritur në vendin e dytë të grupit në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.

Trajneri i kuqezinjve Edy Reja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Doka, Trashi, Abrashi, Gjasula, Bajrami, Uzuni, Balaj.

Shqipëria e nisi mirë takimin, duke krijuar disa raste dhe duke kontrolluar vazhdimisht ndeshjen.

Edhe pse debutues, Bajrami ka pasur një impakt të menjëhershëm në lojën e kuqezinjve, duke qenë një problem konstant për mbrojtjen hungareze.

Rasti më flagrant i pjesës së parë erdhi në minutën e 33-të kur Kumbulla nuk arrin dot të devijojë topin në portë shumë pranë vijës fatale pas një goditje këndi.
 
Sapo kishte nisur pjesa e dytë kombëtarja kishte një shans tjetër shumë të mirë, me Balajn që del i vetëm me portierin, por gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin.
 
Ndërkohë, kryhen edhe zëvendësimet e para me Laçin dhe Roshin që zëvendësojnë Bajramin e Trashin. Edhe Çekiçi hyn në fushën duke zënë vendin e Abrashit.
 
Sërish rast i mirë për Shqipërinë, kur Çekiçi provon brenda zonës, por gjuajtja e tij pritet nga gardiani hungarez.

Në minutën e 78-të trajneri Reja 78′ Reja kryen dy zëvendësime të tjera duke nxjerrë nga fusha Dokën e Balajn për Hoxhallarin dhe Brojën.

Ky i fundit do të rezultonte vendimtar pak minuta më vonë, pikërisht në minutën e 86-të.

Sulmuesi kuqezi merr një top në sulm dhe pasi krijon hapësirën e duhur në hyrje të zonës lëshon një predhë, që nuk ndalet dot nga portieri i Hungarisë. Topi në rrjetë dhe 1-0 për Shqipërinë!

Tifozët e pranishëm për herë të parë në stadium pas 1 viti e gjysmë për shkak të pandemisë kanë shpërthyer në ovacione pas super-golit të talentit Broja.

Në minutat e fundit Kombëtarja arrin të ruajë avantazhin, duke marrë kështu tre pikë me peshë ndaj një prej kundërshtarëve më të fortë në grup.

Aktualisht Shqipëria ka 9 pikë, vetëm një më pak se Polonia e vendit të dytë dhe mbetet në lojë deri në fund.

Kjo ishte fitorja e parë si dhe goli i parë i Shqipërisë kundër Hungarisë në histori.