Kjo tezë ka si objekt kryesor qasjen mes strukturës së kantikës së parë të “Komedisë Hyjnore”, “Ferri” (Dante Aligeri), strukturës së “Vargjeve të lira” e “Novelat e qytetit të veriut” (Migjeni), si edhe strukturës së variantit të përpunuar të veprës “Pallati i ëndrrave” (Ismail Kadare.) Baza e këtij misioni krahasimtar do të nisë nga pikëtakimet e vetëdijshme të Kadaresë me Danten dhe remineshencat instiktive të Migjenit me Ferrin dantesk. Analogjitë mes botës infernale danteske dhe asaj kadareane janë tashmë një përfundim i konsoliduar nga autori i cili e konstaton një gjë të tillë. Kadare e pohon tundimin nga ferri dantesk, ndërsa Migjeni konstaton ferrin shqiptar.
Argumentet për ndriçimin e kësaj teze do t’i konfirmojë hulumtimi ndërtekstor në gjetjen e paraleleve si edhe do t’i mbështesë këndvështrimi i kritikës së deritanishme mbi këtë autor. Analogjitë mes Dantes dhe Migjenit janë parë si instancë e realiteteve që përsëriten gati njësoj pas pothuajse 7-shekujve diferencë në ekzistencën e jetëve zinxhir, në komunikimim telepatik mes tyre. Ky hulumtim krahasues është përpjekje për të përcaktuar nivelin dhe thellësinë e ndikimeve të Migjenit dhe Kadaresë nga vepra e Dantes. Interpretimi i veprave të të dy autorëve shqiptarë do t’i referohet këndvështrimeve danteske të cilat i përshkojnë ato përtej niveleve gjuhësore nëpërmjet një komunikimi superior, tejet të veçantë me bazë Ferrin, sipas metodologjisë së punimit. Ndërmarrja e kësaj teze synon hulumtimin në strukturën e kantikës së parë të ferrit të Dantes dhe gjetjen e pikave të përbashkëta me veprën e Migjenit për Ferrin shqiptar të viteve’30 dhe me veprën e Kadaresë për Ferrin modern, duke krijuar kështu në mënyrë të plotë edhe profilin letrar të dy autorëve shqiptarë. Personaliteti i 3-krijuesve reflektohet mbi veprat e tyre si të vetmet burime informacioni të pakontestueshme mbi botën infernale, duke u lexuar vertikalisht. Rrafshet paralele jemi përpjekur t’i heqim mbi afritë ekzistente që përcjell strukturimi i ideve, teknikave, vizioneve të cilat na shpien drejt thellësive arkitekturore mes teksteve.
Pjesë e punës sonë kërkimore bëhet depërtimi i kujdesshëm në një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së 3-autorëve, në aspekte të formësimit kulturor e letrar të secilit si dhe në çështje të strukturës së veprave respektive të konkretizuara në lëndën letrare që kemi përzgjedhur. Tekstet e kanë artikuluar tashmë sintaksën e tyre strukturore mbi risqe dhe fate universalë kombesh. Shqyrtimet bëhen mbi bazën e metodës krahasuese. Pas përfundimit veçmas të portretizimit individual të këtyre autorëve merret në analizë se në ç’pika takohen dhe ku kontrastojnë ato, me synim nxjerrjen në pah të të përbashkëtave dhe të ndryshimeve thelbësore të botëve të tyre letrare. Në një qasje të tillë strukturore përparësi do të ketë objektiviteti i këndvështrimit të veprave duke i parë fillimisht si zëra të mëvetësishëm të letërsisë dhe më pas si përballje në rrafshet e brendshme të mesazheve që përcjellin. Përparësi do të ketë koncepti figurativ i strukturave si ndërtim e si përqasje në sistemin që përcjell secila. Depërtimi në të përbashkëtat e koshiencës dhe instiktit krijues të këtyre autorëve do të nxjerrë në pah edhe analogjitë përkatëse. Paralelet midis intuitave krijuese konsistojnë në shkrirjen e kufijve kohorë, pra largësive shekullore të ferrit shqiptar të shekullit të XX (migjeno-kadarean) me atë mesjetaro-dantesk. Trekëndëzimi infernal do të konvergojë në një pikë të përbashkët: Ferri, nuancat e të cilit unifikojnë 3-botë kronologjikisht të largëta në një të vetme. Kjo është një sprovë nismëtare ku do të evidentohet qasja dhe kundërvënia e motiveve, e ambjenteve ku lëvizin figurat të cilat japin përmasat fantazmagorike të ferrit deri në kohërat moderne. Pra, jemi në kërkim të një strukture të ferrit gjithkohor. Historisë së studimit të çështjes, në veçanti asaj të raporteve mes strukturës së botës së ferrit dantesk dhe atij migjeno-kadarean, menduam t’i referohemi jo në trajtë përmbledhëse në krye, por përgjatë rrjedhës së hulumtimit. Të 3-autorët janë kolona të forta të letërsisë shqiptaro-italiane e më gjerë, në kohë universale. Të parë në këtë këndvështrim (përtej parapëlqimeve personale), jemi përpjekur të ngremë paralelizma duke hyrë kështu në akohorësinë arkitekturore infernale që shpalosin veprat, gjë për të cilën kritika ka folur pak ose aspak. Ligjësitë strukturore në paralelizmat infernalë do të funksionojnë brenda veprave larg qasjeve formale.
Aspektet metodologjike të punimit konsistojnë në Vëzhgimin dhe hulumtimin, kërkimin dhe skedimin e literaturës bashkëkohore, analizën deskriptive dhe krahasuese mes teksteve. Për këtë arsye punimi ka synuar të ofrojë reflektimin komparativ mes 3-botëve të ferrit që arkitekturojnë veprat. Janë alternuar metoda të ndryshme studimore si ajo strukturaliste, semiotike, komparativiste, simbolike, psikoanalitike etj., të cilat kanë krijuar mundësinë e ndriçimit të mjegullës infernale e cila bashkon këta autore, në dukje, jo fort të ngjashëm. Tekstet e Migjenit dhe Kadaresë janë parë jo vetëm si pjesë e një procesi të letërsisë shqipe të shekullit XX, por edhe si dëshmi e individualiteteve krijuese mjaft të spikatur brenda risive dhe gjetjeve artistike që përcjellin në arkitekturën e brendshme të tyre. Perceptimi i një strukturimi të tillë i bën këto vepra të rrokshme si dukuri të reja, duke nxitur studimin në rrafsh krahasimtar mbi rrathët e brendashkruar koneve infernalë. Studimi përmban 4-kapituj të strukturuar në vetvete.
Projekti arkitekturor i ferrit dantesk ka një strukturim të përsosur qoftë në formë, qoftë në përmbajtje. Analogjikisht një srukturim të ngjashëm me të shpalos edhe ferri migjeno-kadarean. Vizionet reale që sjell Migjeni mbi mjerimin e viteve’30 dhe lëngatën e kombit të tij, përkojnë intuitivisht me imagjinatën danteske në përfytyrimet fantastike të përtejbotës. Ndërsa Kadare, me vetëdije të plotë, është i përgjegjshëm kur huazon prej Dantes tablot vizionare të skëterrës. Ferri migjeno-kadarean ngrihet mbi strukturën e ferrit dantesk, duke harmonizuar arkitektonisht universalizimin e vuajtjes brenda tij. Rrafshet e ferrit triadik shtrihen në trajtën e rrëfimit lakonik. Të tre autorët kanë sjellë bardhë e zinë tokësore në përmasa universale, si një mallkim që rëndon mbi fatet e njerëzimit mbarë.
Ferri mesjetar fytyrëzohet në veprën migjeno-kadareane, brenda pothuajse të njëjtës arkitekturë strukturore, qoftë në imazhet e përbindshme, qoftë në motive, në mesazhe dhe në ide. U rrekëm të hedhim dritë mbi këtë qasje, për aq sa teksti i pranon këto këndvështrime. Në ferrin triadik ka një fuqi fatale të transkriptuar në format e Tokës, brenda së cilës do të evidentonim qartë skeletin që bashkon tre autorët, në pamje të parë i padukshëm, por në thelb i mbushur me palcë infernale.