Bruksel, 8 shtator 2021 –Dështon plani i Bashkimit Evropian që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, të takohen në fund të muajit shtator.
Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se takimin e sotëm të delegacioneve të të dy vendeve nuk ka pasur progress që do ta bënte të dobishëm një takim të nivelit më të lartë.
“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, ka thënë Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb.
Bislimi ka bërë të ditur se temë e vetme e diskutimit në takimin trepalësh ka qenë çështja e të pagjeturve. Ai ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që për këtë çështje të lejohet qasje në arkivat shtetërore.
“Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, ka thënë a.
Bislimi ka thënë se palët janë pajtuar që grupet punuese për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe që të shkëmbehen mbetjet mortore të gjetura në Serbi dhe në Kosovë. Por, ai ka thënë se çështja ka hasur në ngërç për shkak se Serbia insiston që delegacionin serb ta udhëheqë Velko Odalloviqi, i cili është i papranueshëm për palën kosovare.
“Është e rëndësishme që të shkëmbejmë mbetjet mortore, në mënyrë që familjarët e viktimave t’i marrin ato. Por, duhet të shohim se si do ta aranzhojmë këtë, pasi pala jonë e ka konfirmuar se nuk do ta pranojë (Velko) Odalloviqin si kryetar i delegacionit”, ka thënë Bislimi.
Të martën, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur takime të veçanta me të dërguarin special të Bashkimit Evropian përdialogun Kosovë-Serbi.
Burime diplomatike në Brukselkanë bërë të ditur se delagioni i Kosovës i ka listuar si prioritete bisedimet për të pagjeturit, energjetikën, target e veturave dhe vizitat zyrtare. Ndërkaq, delegacioni i Serbisë ka insistuar që më së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e pastaj për zbatimin e marrëveshjeve për drejtësi, për vizitat zyrtare dhe për të pagjeturit.
Sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar insiston që tani të mos diskutohet për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
(r.m.)