Berisha: Marrëveshja Basha-Rama duhet çmontuar një minutë e më parë!

Sali Berisha, as në ëndrrën e tij më të keqe nuk do ta kishte menduar se partia që themeloi nuk do ta donte më pjesë të grupit të saj parlamentar.

Por kjo nuk e pengoi që të ushtrojë mandatin e dhënë nga qytetarët për ti përfaqësuar në Kuvend.

Duke folur pas seancës së konstituimit të Kuvendit të Shqipërisë, Berisha tha se është më i vendosur dhe më i motivuar se kurrë për tu përballur me regjimin që kërkon eleminimin e opozitarëve shqiptarë.

Berisha: Në Kuvend, më i vendosur, më i motivuar së kurrë në jetën time për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë, interesin kombëtar të kombit shqiptar, për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen, trillimin, kurthet, pazaret për eleminimin e opozitarëve shqiptarë.

Duke pranuar se përjashtimi i tij nga grupi parlamentar i PD-së është pasoja e një pakti Basha-Rama, Berisha tha se kjo marrëveshje duhet çmontuar një orë e më parë.

Gazetarja: Vazhdon pakti i 2017-tës?

Berisha: Se çfarë date është pakti do t’ua lë historianëve. Por garantoj se ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet çmontuar një minutë e më parë. PD është parti e lirive të drejtave njerëzore, e kushtetueshmërisë dhe interesit kombëtar. Jam i bindur që demokratët shqiptarë me dinjitet, me vendosmëri, do të dinë të vendosin PD në piedestalin që meriton.

OraNews