Shtetet mund të krijohen me vendime konferencash ndërkombëtare, por kombet i krijon historia.
Shkrimi “Pse nuk pati flamuj të Kosovës në Preshevë?”, Koha Ditore, Prishtinë, 22 e 23 janar, 2013” vende vende po më duket ngatërrueshëm. Ankueshëm vihet në dukje që në titull se flamuri i Kosovës nuk qënka valëvitur në tubimet protestuese në Preshevë, por qënka valëvitur flamuri i Shqipërisë. Po cilin flamur u paska dashtë të valëvitej në Preshevë?! Ajo sajesë blu me ca yje që nuk ka të bëjë në asgjë me shqiptarët dhe shqiptarinë. A thue nuk është Flamuri i Gjergj Kastriotit flamur i të gjithë shqiptarëve në Ballkan. A thue u dashka të shpikim një komb tjetër artificial në laboratorët antishqiptare ballkanike me emrin komb kosovar. Gjithë shqiptarët në Ballkan janë një komb e nuk mund të bëhen as sot e as kurrë dy a tre kombe. Eshtë tepër vonë për të sajuar kombe të reja në trojet shqiptare sepse asqysh nuk mund të kthehemi në shekullin e XVIII.
Një gjë nuk po kuptoj edhe sot e kësaj dite. Ç’janë do rrokanisje të disa gazetarëve në Prishtinë që në vazhdim të rrokanisjeve të po do gazetarëve në Tiranë po i fryjnë të njëjtës bori të ndryshimeve të mëdha që ata po vënë re në mes të shqiptarëve në këtë hapësirë ballkanike, se gjoja gjatë një shekulli populli ndryshoi sa secila pjesë krijoi një indentitet të ri. Thënë hapur, këto teorizime gazetarësh në Tiranë e Prishtinë mua më duken thjesht përçartje njerëzish që dinë të shkruajnë, por nga mania për të qenë origjinalë i afrojnë shtypit të shkruar sajesa të tyre që nuk kanë të bëjnë në asgjë me realitetin shqiptar ballkanik.
Ajo pjesë e popullit shqiptar që jeton në Shqipëri pati rastin që njihet drejtpërdrejt me atë pjesë të popullit shqiptar që jeton në Kosovë në vitin 1999 kur qindra mijëra njerëz u dëbuan nga trojet e tyre. Dhe mrekullisht vetë populli shqiptar i dy hapësirave, trojeve të ndara në 1913 e kuptoi se në asgjë nuk ndryshonte , ishte thjesht e njëjta gjë. Mirëpo gazetarët e ca analistë me kokë në erë duan të shpikin teori të reja edhe atje ku nuk ka nevojë për teorizime, sepse nuk mbetën këta artikujshkrues t’i tregojnë popullit sesi 85 vjet u deshën që ai të tjetërsohet. Në është kështu, si ndodhi që për 500 vjet nuk u tjetërsuam nën perandorinë otomane? Kaq shumë i mëshojnë teorisë së ndryshimeve në përpjekje donkishoteske për të krijuar dy popuj dhe shqiptarët e Kosovës t’i quajnë me kombësi kosovare. Por këto sajesa janë dështime dhe krijuesit e tyre thjesht dështakë. Në asgjë nuk ndryshon popullsia shqiptare e Kosovës me popullsinë shqiptare të Shqipërisë, gjithashtu në asgjë nuk ndryshon popullsia shqiptare në Preshevë me popullsinë shqiptare në Maqedoni apo edhe në Mal të Zi.
Kaq durimshumë janë këto lloj teoricienësh të hallakatun sa rrinë do kohë në heshtje por prapë ngrejnë krye dhe veç kur i dëgjon të shfaqen si rrufe në qiell të kthjellët. Gjithmonë këto soj teoricienësh më janë dukur si ai marroku që kur i treguan mullirin me erë, e soditi gjatë dhe pyeti me seriozitetin më të madh “Që është mulli me erë po e shoh, po se nga i vjen uji nuk po marr vesh?”
Kështu edhe këta analistët e gazetarët tanë kërkojnë ujin e mullinjve të erës.
E dimë se këto teori kanë dalë bash atëherë kur Serbia kërkonte ta zhvishte nga çdo indentitet Kosovën duke e trajtuar thjesht si një krahinë e Serbisë dhe për këtë përdori jo vetëm policinë e ushtrinë, por edhe bëri shpenzime të mëdha për ta propoganduar këtë ide të “transformimit kosovar”, madje vuri në dispozicion mjete të mëdha financiare. Ca po thonë jo pak po dhjetra milionë dollarë.
Nuk kemi fakte a të dhëna të sigurta që njerëzit të cilët përhapin ide të tilla të jenë pjesë e asaj skeme, por gjithsesi veprimi i tyre i konvenon qarqeve shoveniste të Serbisë. Duke thënë se mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre që jetojnë në Kosovë ka ndryshime të mëdha, llogaritë ishin që shqiptarët e Kosovës me indentit të ndryshuar ta kishin më të lehtë të jetonin nën pushtimin serb.
Por çuditërisht kjo teori disfatiste që kërkonte të minonte unitetin mbarshqiptar në Ballkan, që rrjedhimisht çon në Bashkimin Kombëtar të Shqiptarëve, vazhdon të mbijetojë. Herë në një panel e herë në një tjetër, herë në një gazetë e herë në një revistë, dalin shkruajtës që nuk e humbin kurajon ta vazhdojnë këtë diskurs në dëm të interesave kombëtare shqiptare.
Eshtë një mrekulli që shqiptarët në Ballkan, anipse nën shtypjen e qeverive të shteteve pushtuese shoveniste, kanë arritur ta ruajnë indentitetin. Kanë ruajtur gjuhën, kulturën, traditat, flamurin dhe megjithë shpërnguljen e detyruar, duke qënë një popull vital, janë shtuar duke i mbuluar të gjitha këto rrjedhje humbëse në shtim të popullsisë.
Çlirimi i Kosovës me ndihmën e aleatit tonë të madh Amerikës dhe forcave të Natos, e më pas krijimi i shtetit të Kosovës, nuk ka pse merret sikur kauza gjithshqiptare humbi terrenin e bashkimit kombëtar siç po duan të na bindin disa artikujshkrues, përkundrazi, thjesht kjo është një hap përpara, një hallkë ndërmjetëse për të ardhur natyrshëm dhe bindshëm në Bashkimin Kombëtar Shqiptar.
Në këtë aspekt edhe vendosja e një flamuri të sajuar si simbol i shtetit të Kosovës nuk është gjë tjetër veç hallkë ndërmjetëse, deri sa të përgatiten kushtet që në tërë trojet shqiptare në Ballkan të ketë një shtet e të valëvitet një flamur, ai i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Atëherë, për të dalë tek shkrimi i “Koha ditore” botuar në Prishtinë se “Pse nuk pati flamuj të Kosovës në Preshevë?”, do të mund të kundërpergjigjeshim po me pyetje. Kë po shqetëson në Prishtinë fakti se shqiptarët dolën jo me flamurin e Shqipërisë (sepse ai nuk i takon vetëm Shqipërisë, por gjithë shqiptarisë), por me flamurin e Gjergj Kastriotit.
Po me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si do të bëhet, do të ndahet edhe ky, cilin do të ketë për hero kombëtar sajesa me emrin kombi kosovar? Eshtë mirë që këta analistë të na e thonë hapur se kujt ia kanë vënë syrin si hero kombëtar për kombin e shpikur kosovar. Mos në vend të Skënderbeut do të venë Sulltan Muratin, sepse jo pak janë ata që shkojnë e bëjnë homazhe në varrin e sulltanit të otomanëve.
Prandaj, që t’i japim udhë këtyre mendimeve fort të dëmshme në kauzë të shqiptarizmës, duhet shul shqip ta themi se as ka pasur, as ka, e as do të ketë ndonjë herë komb kosovar. Kosova në mos sot nesër nuk ka qasje tjetër veç t’i bashkohet trungut shqiptar, e jo veç Kosova, por edhe trojet e tjera shqiptare. Llaskandrimi i ca analistëve në Prishtinë se po bëjnë komb kosovar është një përpjekje për t’u kthyer në kohën e vilajeteve sulltanore, çfarë nuk ka qasje të ndodhë në këtë botë moderne që jetojmë. Prandaj dhe shqiptarët e Preshevës, që kanë indentitet të fortë shqiptar dhe kanë hero kombëtar Skënderbeun, nuk kishin si të dilnin në protesta me një pecetë blu me ca yje, një sajesë, që dikush po don ta shesë si flamur të kombit kosovar, një bërllog ky, një përpjekje qesharake sepse shtetet mundet të krijohen me vendime konferencash ndërkombëtare, por kombet i krijon historia.
Shqiptarët e Preshevës janë dhe e ndjejnë veten si çdo shqiptar tjetër në trojet shqiptare të Ballkanit ndaj dhe mbajnë në zemër idealet e shqiptarizmës dhe në dorë flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore të Gjergj Kastriotit.