Vizita e lamtumirës e kancelares Merkel në Ballkanin Perëndimor është pasqyruar gjerësisht në shtypin gjerman.
Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung nën titullin “Me vështrimin anash drejt Kinës” shkruan se kancelarja Merkel e theksoi në Ballkan rëndësinë e rajonit për Bashkimin Europian. “Shtetet anëtare të BE-së duhet të mbajnë gjithmonë parasysh, se ‘ka një interes absolutisht strategjik’ për ne, që këto vende të pranohen në BE’, tha Merkel në Beograd. […]Me këtë pa e përmendur me emër Merkel u pozicionua mbi rritjen e influencës ekonomike dhe politike të Kinës në rajon.” FAZ i kushton vëmendje edhe gati paralizimit të procesit të anëtarësimeve në BE pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013. “Bëhet fjalë për gatishmërinë e BE për pranimin e anëtarëve të rinj.” Merkel foli për “një shqetësim për aftësinë institucionale funksionuese”. Kësaj i shtohet në rastin e Beogradit edhe konflikti i pazgjidhur për statusin e Kosovës, shkruan FAZ. “E pyetur për këtë, nëse Serbia duhet të njohë Kosovën, nëse do të bëhet anëtare e BE, Merkel tha, se ‘disa çështje zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë që Kosova nuk është njohur nga disa vende të BE. Dhe nuk ka kuptim të flasësh për problemin e fundit, pa zgjidhur më parë probleme të tjera.” FAZ nënvizon, se Merkel mori si shembull Gjermaninë, se sa kohë zgjati, derisa me marrëveshjen Dy plus Katër në vitin 199 “u krijua qartësi.
Kurse gazeta “Rheinische Post” nën titullin “Bilanc zhgënjyes në Ballkan” shkruan, se që në vitin 2005 për herë të parë si kancelare gjatë udhëtimit në Ballkan Merkel bëri të ditur, se sa të nevojshmë janë për rajonin perspektivat e reja pas luftërave të përgjakshme. Por ende sot perspektiva e anëtarësimit është e ngadaltë dhe aktorë të tjerë të fuqishëm duan të zënë vend në këtë krah të hapur të Europës. “Kjo e dobëson Europën. por në fund të kohës së saj si kancelare, Merkel vetëm mund të apelojë tek BE dhe të sigurojë, se Ballkani edhe për pasuesin e saj do të jetë një çështje zemre. Kjo është shumë pak dhe kështu vizita e saj, megjithë vlerësimin e madh të partnerëve në bisedime për angazhimin e saj, të sjell parandjenjën, se pas epokës së Merkelit problemet dhe konfliktet mund të ashpërsohen.”
Gazeta Neue Zürcher Zeitung në artikullin e saj “Pak vëmendje për Ballkanin”, shkruan se Ballkani Perëndimor, siç quhen të gjashtë vendet aspirante për anëtarësim në BE nuk ka qenë asnjëherë prioritet i politikës së jashtme të kancelares. “Por as e painteresuar Merkel nuk ka qenë. Madje edhe në pikun e krizës greke të borxheve në vitin 2015, Merkel gjeti kohë të shkojë në Beograd, Sarajevë, dhe Tiranë.” Zyrtarisht Berlini e mbështet qëllimin e largët të zgjerimit të BE, shkruan NZZ, por jetësimi i tij për një kohë të pacaktuar do të mbetet një iluzion. Për Merkelin ka qenë i rëndësishëm stabiliteti, pas luftërave të përgjakshme në rajon, dhe kjo është arritur në masë të madhe. “Por çështjet e mëdha mbetën të pazgjidhura. Bisedimet e drejtuara nga BE mes Kosovës dhe Serbisë lëvizin ngadalë pa asnjë rezultat. Diku tjetër vihet re regres. Në Bosnje së fundmi dhe në Malin e Zi dallimet etnike përdoren për lojëra të mëdha politike.” NZZ vëren se Merkel u fokusua tek kontaktet private. “Për shkak të kontradiktës shqiptaro-serbe u respektuan Rama dhe Vuçiqi, pavarësisht tendencave autoritare të të dy politikanëve.” Artikulli i kushton vëmendje edhe kritikave që ka pasur ndaj kancelares në Ballkan, sidomos nga opozita serbe. “Politika e Merkelit në Ballkan qëndron për një koncept që në rajon me përçmim përcaktohet si ‘stabilokraci.'”
Kurse gazeta gjermane Tageszeitung nën titullin “Një lamtumirë melankolike drejt së panjohurës” pyet, nëse perspektiva e Ballkanit Perëndimor pas largimit të Merkelit do të hiqet nga vëmendja. Me ndjenja të përziera e shohin qytetarët në vendet e Ballkanit fundin e epokës së Merkelit, sepse ajo u pa në këto vite si një spirancë e shpresës dhe stabilitetit. “Se çfarë do të vijë pas saj është e paqartë, prandaj kjo e rrit pasigurinë. Taz shkruan, se atmosfera në popullsinë e këtyre vendeve është e përcaktuar nga simpatia dhe respekti për Merkelin, megjithë kritikat. “Imazhi i saj pozitiv lidhet edhe me atë që Merkel nuk hoqi dorë asnjëherë nga perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, edhe pse nuk ia doli që në këtë pikë të arrinte suksese.” taz shkruan se “në kujtesë do të mbetet se Merkel me Jo-në e saj të politikës së presidentit Trump që propozoi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2019 e përcaktoi qartë paprekshmërinë e kufijve në Ballkan. Ky pozicion tanimë është pranuar në BE.”
(DW)