“FIN Mecanica” interesohet për investime strategjike në Shqipëri

Kompania italiane prodhon që nga gjilpërat, mjetet e transportit rrugor e hekurudhor, autobusë e trena dhe mbaron tek antenat e satelitët dhe menaxhon shërbimet e transportit, sistemet e kontrollit, sigurisë dhe të integruara, përfshi trafikun ajror

 

Denion Ndrenika

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Edmond Haxhinasto priti përfaqësinë e grupit të madh industrialist italian “FIN Mecanica” të kryesuar nga zëvendëspresidenti Andrea Biraghi. Ministri Haxhinasto tha se është me rëndësi të madhe për vendin, interesimi për investime në Shqipëri i një kompanie që i kalon kufijtë e Italisë si “FIN Mecanica”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri Haxhinasto bashkë me përfaqësuesit e kompanisë italiane të kryesuar nga zoti Biraghi, vizitoi Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, përkatësisht Uzinën nr. 12 e më pas Ndërmarrjen e Prodhimit të Çelikut (NPÇ) po në këtë qytet.
Zoti Haxhinasto theksoi se marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Italisë mbetet marrëdhënie e një partneriteti strategjik. Sipas ministrit, të dy vendet, janë të prirur dhe të gatshëm të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit me projekte konkretë, sikurse veçoi “përsa i takon lidhjeve të interkonjeksionit me Italinë, të një lidhjeje të voltazhit të lartë për import-eksporte të energjisë në Itali”.
“Kështu do të shikojmë edhe projekte të tjera madhore në drejtim të energjisë elektrike” – shtoi ministri Haxhinasto. Por, veçanërisht ministri Haxhinasto theksoi se “vëmendje të madhe do t’i kushtojmë aktiviteteve të tilla që janë prodhimi, pasi prodhimi është ai sektor që sjell më shumë punësim për qytetarët shqiptarë”.
Ministri shprehu kënaqësinë që grupe të tilla që i kalojnë përmasat e Italisë dhe janë grupe europiane, ndodhen në Shqipëri duke shfaqur interesin e tyre dhe po ashtu duke shqyrtuar të gjithë potencialet e mëdha që ka vendi, si dhe në rastin konkret qytetarët e Elbasanit.
Pas bisedimeve në Kombinatin Metalurgjik, ministri Haxhinasto ritheksoi se ardhja e një grupi të tillë është zhvillim shumë pozitiv në frymën e shkëlqyer të marrëdhënieve me Italinë, marrëdhënieve strategjike italo-shqiptare, që vijnë e konkretizohen interesa dhe prezenca e këtyre kompanive dhe grupeve.
Sipas ministrit Haxhinasto, “është për t’u vlerësuar që ky grup e shikon tashmë tregun shqiptar si një treg real për investime, për të qenë prezent, në të gjithë gamën e prodhimeve që ai jep”. “Sot kemi ardhur të shohim një mundësi konkrete në Elbasan, në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik, pra ku ka mundësi të mëdha për investime, ku mund të aplikojmë skemat dhe intentivat që ne kemi përsa i takon investimeve, veçanërisht skemën e marrjes së territorit për 1 euro për investim, gjë që sigurisht sjell krijimin e qindra vendeve të punës për qytetarët e Elbasanit. Ajo që është e rëndësishme, është që syri i investitorëve strategjikë të huaj po vjen e po fokusohet gjithmonë e më shumë në të gjithë facilitetet ekzistuese dhe të gjithë mundësitë që ka tregu shqiptar dhe ekonomia shqiptare, duke mos e parë atë si treg 3 milionësh, por duke patur edhe mundësinë e jashtëzakonshme që ka Shqipëria me infrastrukturën e saj dhe me tregjet e vendeve fqinj”-tha ministri Haxhinasto.
Zoti Haxhinasto garantoi se qeveria shqiptare dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ofruar mbështetjen e plotë që mundësitë e investimit në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë të realizohen me sukses.
“FIN Mecanica”, që ka ka identifikuar disa fusha të mundshme bashkëpunimi dhe investime me Shqipërinë, është grup europian, pjesëtar i shumë koorporatave europiane në një gamë jashtëzakonisht shumë të gjerë prodhimi që fillon nga gjilpërat, mjetet e transportit rrugor e hekurudhor, autobusë e trena dhe që mbaron tek antenat apo satelitët, ndërkohë që menaxhon gjithashtu shërbimet e transportit. Po ashtu “FIN Mecanica” në veprimtarinë e saj të gjerë dhjetëravjeçare, përfshin sistemet e kontrollit, të sigurisë dhe sistemeve të integruara në sektorin e transportit, përfshi trafikun ajror. Pjesë e veprimtarisë prodhuese të kompanisë italiane lider në botë, janë edhe investimet në energjetikë, si turbina për centrale dhe me interes të impianteve të prodhimit hidro, gaz si dhe me cikël të kombinuar.
Më pas, ministri Haxhinasto iu përgjigj edhe interesimit të medias mbi çështjen e heqjes së licencës së ushtrimit të veprimtarisë së kompanisë nga Republika Çeke, “CEZ Shpërndarje” dhe lidhjet që i bëhet me të komentuarin “kushtëzim” të qeverisë së kryeministrit Petr Necas në Pragë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zoti Haxhinasto theksoi se sikurse një ditë më parë në takim me ambasadoren e Republikës Çeke, Branislava Tomasova, e shihte problemin e “CEZ”-it të ndarë nga marrëdhëniet mes Tiranës dhe Pragës.
“Jam shprehur shumë qartë që marrëdhëniet komerciale të kompanisë “CEZ” në Shqipëri nuk kanë aspak të bëjnë, ose nuk mund të përzihen dhe të kompromentojnë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Republikës Çeke. Sigurisht që situata me “CEZ”-in është një situatë që vjen nga performanca e asaj kompanie, perfomancë e cila ka pasur pritshmëri që të ishte shumë herë më e lartë se sa ishte realisht”-tha zoti Haxhinasto.