Nga Ruben Avxhiu
Forcat speciale të Kosovës po zbatojnë më në fund reciprocitetin në kufi me Serbinë. Automjetjet me targa serbe do të paguajnë 5 euro dhe vendosin targa të Kosovës në vend të atyre të Serbisë.
Për vite me radhë, Serbia ka detyruar çdo automjet të Kosovës që të ndryshojë targat në kufi përpara se të hyjë në Serbi. Është ofenduese për qytetarët e Kosovës që të mbajnë taksa të Serbisë 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mirëpo është e pamundur ta kalosh përmes Serbisë pa i pranuar ato.
Tani, Kosova po i detyron të bëjnë të njëjtën gjë.
Ngjarja ka potencial për një përplasje të dhunshme. Serbia nuk mund të ndërhyjë në Kosovë sepse shteti po merr masa reciproke. Mirëpo, Beogradi do të përpiqet të shkaktojë një incident mes gjoja serbëve të Kosovës dhe forcave të policisë.
Ky incident mund të përdoret pastaj për ndërhyrje ushtarake nga Serbia, qeveria e të cilës ka premtuar se do të mbrojë serbët e Kosovës nga “Prishtina”.
Sigurisht “serbët e Kosovës” që mund të përplasen janë qindra paraushtarakë serbë që jetojnë tashmë në Kosovë me rroga e siguri nga qeveria serbe. Ata mund të shkaktojnë lehtë një incident për të provokuar ndërhyrje.
Mund të jetë një moment prove për Serbinë, Kosovën, si dhe komunitetin ndërkombëtar.
Disa zëra nga komuniteti serb në Kosovë thonë se reciprociteti ndëshkon veçanërisht serbët e Kosovës që duhet të hyjnë e të dalin në kufi për shkak të tregëtisë së përditshme që kanë me Serbinë. Ata mund t’u japin ndërkombëtarëve arsye që përsëri presionin t’ia bëjnë Kosovës me argumentin se nuk po ndëshkon edhe aq Serbinë sesa komunitetin serb në Kosovë, të cilin Albin Kurti ka premtuar ta mbrojë edhe nga vetë Beogradi.
Një personazh serb nga Veriu i Kosovës akuzoi Kurtin se po vepron tani vetëm se anketimet publike për zgjedhjet lokale kanë treguar se VV ka rënie të dukshme. Kurse një serb nga Londra që punon për kompaninë anketuese Yougov tha se ndërhyrja është bërë që të rastisë me hapjen e gjyqit për krimet e luftës në Hagë ku përballen disa figura të UÇK-së.
Mirëpo, këto morën përgjigje nga një tjetër serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, e cila nuk e mohoi që VV mund të ndihmohet nga sulmi në zgjedhje, mirëpo pyeti se pse serbët e Veriut ankohen kundër Kurtit dhe jo Vuçiqit, kur Kurti është thjesht duke zbatuar një marrëveshje të firmosur nga Beogradi në Bruksel, në 2016, në një kohë kur Kurti ende nuk kishte ardhur në pushtet.
Sipas marrëveshjes, e cila ndodhet edhe ne faqe të qeverisë së Serbisë, Kosova nuk do të kërkojë për 5 vjet, që të ndryshojë targat serbe. Marrëveshja, e cila edhe ashtu ka qenë e padrejtë për Kosovë, skadon tani.
Pse, pyet Rada Trajkoviq, Beogradi nuk i ka përgatitur për këtë ndryshim serbët e Kosovës që të mos tronditen tani sesi u erdhi kjo masë? Apo zv-kryeministri serb në qeverinë e Kosovës çfarë ka bërë?
Rada Trajkoviq sigurisht nuk është se mbron Kosovën, por mbase është ndër udhëheqësit serbë në Kosovë që nuk janë vegla të Vuçiqit dhe janë mënjanuar prej tij nga politika aktive, kështu që merr guximin dhe ua thotë bashkatdhetarëve të saj disa të vërteta të hidhura.
Mirëpo ky shkëmbim hedh dritë mbi disa nga argumentet që serbët mund të përdorin në mënyrë që ndërkombëtarët të bëjnë presion mbi Kurtin apo që të përçahen mes tyre duke mos penguar dot një ndërhyrje të dhunshme nga Serbia.
Tërheqja problematike nga Afganistani u ka dhënë shpresa të reja serbëve nacionalistë dhe qeverisë së Beogradit, ku shpresohet në një tërheqje eventuale të SHBA-së nga Ballkani ose të paktën një rënie të dukshme të gatishmërisë për të goditur ushtarakisht Serbinë nëse kjo vendos të ndërhyjë në Kosovë.
Vuçiqi në plan afatshkurtër do të ishte shumë i kënaqur me thjesht një ndërhyrje të kufizuar, sa për simbolikë. Sa për të dëshmuar mbase se kufiri i vërtetë i Kosovës është në lumin Ibër. Më tej ai ka ndërmend ta paraqesë Kosovën si agresore, provokatore, dhe të papërgjegjshme në një kohë kur është premtuar dialog.
Në fakt, Kosova është thjesht duke zbatuar një marrëveshje të nënshkruar nga vetë Serbia. Është duke kërkuar reciprocitet, një minimum respekti për dy palë që vërtet duan të bisedojnë. Ka qenë Vuçiqi ai që ka refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje paqeje që iu ofrua nga Kurti në takimet e tyre të fundit. Ka refuzuar pikërisht se pret që ngjarje të tilla që janë thellësisht punë të brendshme të Kosovës, t’i përdorë për të provuar muskujt ushtarakë dhe diplomatikë të Serbisë si dhe ideologjisë së re apo të vjetër të “Botës Serbe” që është shpalosur në javët e fundit.
Në fakt, targa që blihet për 5 euro dhe ka vlerë për 60 ditë është një masë normale. Në një situatë ideale nuk ka pse të ketë dhunë. Humbjet personale për serbët e Kosovës nuk janë të thella. Taksa e targës në fund të fundit shkon edhe për buxhetin e Kosovës që përdoret për pakicën serbe. Për serbët e varfër skema dëmshpërblyese janë mesiguri të parapara. Ky është në fund të fundit, një komunitet që mbështetet nga tre drejtime. Nga dy shtetet Serbi, Kosovë dhe komuniteti ndërkombëtar. Ka plot hapësirë që arsyeja të mbizotërojë dhe kërcënimet e skenaret e dhunës të përmendura këtu e të tjera të shmangen pa ndonjë përshkallëzim.
Sigurisht edhe Kurti mund të pranojë ta shtyjë për më vonë zbatimin e reciprocitetit, por ndërkombëtarët nuk mund të kërkojnë njëkohësisht edhe këtë edhe rifillimin e bisedimeve. Për arsyen e thjeshtë se nëse nuk zbatohen marrëveshjet e nënshkruara deri tani, pse duhet të përpiqemi të arrijmë marrëveshje të tjera. Për të nënshkruar dokumente kot që nuk zbatohen mund ta bëjnë edhe pa u takuar. Vetëm vendos firma lart e poshtë dhe vazhdo komendinë sikur kemi vërtet një proces.