Sami Repishti, PhD.
Ridgefield, CT.-Shteti i njohun si Afganistan ashtë nji vend i rrethuem pa dalje në det. Pozita gjeografike e ban ate nji nyje të randësishme të transportit dhe tregëtisë për Azinë Qendrore dhe Jugore. Nga L. dhe nga J. kufizohet me Pakistanin, nga P. me Iranin, nga V. me Turkmenistanin dhe Uzbekistanin; ne V-L. me Republiken Kineze. Këto vende, (përveç Kinës) ashtu si Afganistani janë me shumicë dermuese të banueme nga popullsi të besimit islam. Sipërfaqja tokësore prej 652.000 km2 ashtë e mbushun me male të nalta -Hindokushi-; në V. e V-L. me fusha. Popullsia numron 41.4 miljonë banorë (2020) e përbame nga grupet etnke PASHTUN, TAXHIK, HAZARA dhe UZBEK. Kryeqyteti ashtë Kabul. Nji grupim fisesh artificial…!
I okupuem nga ushtri kalimtare dhe jo fitimtare, Afganistani njihet si “vorreza e perandorive”. Mbas luftës anglo-afgane të vitit 1919, vendi u çlirue nga dominimi i huej dhe u themelue Mbretnia e Afganistanit. Në korrik, 1973, mbretnia u rrëzue dhe lindi Republika e Afganistanit që zgjati vetëm pesë vjet dhe vendi u ba nji shtet socialist që provokoi luftën afgano-sovjetike (1980) kundër “muxhahedinëve” të rebeluem nga motivet fetare. Në vitin 1996, Åfganistani ra nen sundimin brutal të “Talibanëve” (fundamentalistë islamikë), dhe u ba qendër e terrorizmit. Në vitin 2001, akti terrorist i 11 shtatorit (i njohun si 9/11) kundër Åmerikës që shkatërroi dy kulla 110 katëshe dhe kushtoi jetën e 3.000 plus viktimave të pafajshme (tre shqiptarë: Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj), qeveria amerikane vendosi të shkatërroj çerdhen e terrorizmit, me sulme ajrore në fillim dhe me invadimin e Afganistanit ma vonë. Për fat të keq, ndermarrja amerikane zgjati 20 vjet aksionesh luftarake me nji kosto të randë: 2,461 viktima amerikane 65.000 plus viktima afgane dhe nji shpenzim afërsisht 300 miljonë dollarësh çdo ditë.
Në vitin 2021 amerikanët vendosën tërheqjen nga Afganistani. Procesi normal i tërheqjes u përkeqsue nga nji sulm i papritun dhe i përgjithshëm I forcave talibane, nji aksion të papritun për shumicën e autoriteteve amerikane. Me gjithë organizimin e suksesshëm të tërheqjes së 5,500 ushtarëve dhe diplomatëve amerikanë e aleatë, u tërhoqën edhe ma shumë se 120.000 afganë dhe familjet e tyne, elementë që sherbyen si përkthyes dhe këshiltarë gjatë invazionit amerikan. Operacioni i tërheqjes ashtë sot subjekt I interpretimeve ma të ndryshme, dhe ka marrë ngjyra partizanie.
Në këte moment situata politike dhe qendrimi amerikan për të ardhmen u sqarue me fjalimin e mbajtun me 1 shtator nga Presidenti Joseph R.Biden, Jr. Ai percaktoi vijat e përgjithëshme të qendrimit amerikan për dekadat e ardhme. Unë jam i mendimit se fjalimi I Presidentit Biden do të vlerësohet si nji kthesë historike në politikën amerikane dhe raportet me botën e jashtëme
Në nji koment për ndigjuesët e saj, Zëri i Amerikës në janarin e kaluem (mbas skandalit te 6 janarit kunder Kapitolit) tërhiqte vrejtjen: “Ashtë nji moment shumë i ngjashëm me periudhën e Luftës Civile (1860-63)…Tani duhet të fillojmë të provojmë zbatimin e nji programi rreth nji demokracie shumëracore…ose të vazhdojmë thjeshtë të justifikohemi dhe të bajmë ndryshime sipërfaqsore për faktin që ekziston pabarazi e thellë dhe padrejtësi në këte vend….”
Nji koment i këtill na duhet edhe për rastin tonë, sot. Ç’na mëson Åfganistani?
Para së gjithash na duhet nji sistemim i njohunive që kemi e që I konsiderojmë me qenë të verteta. Nga kjo “pasuni” njoftimesh duhet të fillojmë interpretimin e fakteve, të caktojmë orientimin e ri dhe të angazhohemi me drejtue aksionin! Nji organizim i këtill zakonisht vjen nga nji “doktrinë”. Paraqitja nga Presidenti Biden e fakteve, interpretimi i tyne, orientimi i sugjerimeve dhe mobilizimi per aksion përmban elementët e nji “doktrine” të re në marrëdhanjet ndërkombëtare të SHBÅ-së. Interesët e vendit tonë janë të nji randësie vendimtare. Çdo problem tjetër zen vendin e dytë.
Pjesa e madhe e kritikave ka të bajë me mos-marrëjen e masave të duhuna për nji tërheqje ma të organizueme. Ofensiva talibane në Afganistan ka ardhë e pa parashikueme nga amerikanët dhe aleatët e tyne. Matthew Atkins i The N.Y.Times,
me 2 shtator dergoi këte telegram për redaksinë e gazetës: “Jemi në dhomën e shefit të “inteligjencës” (zbulimit) të Qeverisë afgane që ra, me nji submashine automatike Berretta në gjunj; Mawlavi Habib Tavakol po tregonte se ai dhe luftarët e tij u gjetën plotësisht të pa përgatitun; shpejt erdhi urdhni me hy në Kabul me 15 gusht, ndërsa talibanët po avancojshin me shpejtësi në të gjitha drejtimet në Afganistan…. Në mbasdreke, udhëheqja e jonë urdhnoi me hy në qytet me qellim që të evitohet grabitja” tregon ai. Shefi i Zbulimit taliban Haxhi Nexhibullah i tha atij të vrapojë me njiherë në qendrën e Agjensisë së Zbulimit Åfgan, Drejtoria Kombëtare e Sigurimit, me marrë në dorëzim teknikën e dokumentët. Burgjet, zyrët, postet e sigurimit- të gjitha ishin të zbrazuna”.
Bota u gjend para nji kaosi masiv të papritun….! Dhe SHBA u gjend në pozitën e kërkuesit për nji risistemim imediat të interesave amerikane. Zëri i Amerikës komentonte: “Presidenti (Biden) përballet ende me sfiden e fortë të lindun nga përfundimi i nxituar, mes tyre si duhen ndihmuar për të dalë nga Afganistani rreth 200 amerikanë e mijëra afganë që kanë mbetur ende atje, strehimin e dhjetëra mijëra refugjatëve që i a dolën të largoheshin, si dhe nji proces shqyrtimi nga ana e Kongresit i problemit si u kap e papërgatiur Administrata nga ramja e shpejtë e qeverisë afgane pavarësisht nga paralajmërimet e shumëta. Nji përgjegje e plotë e këtyne pyetjeve u dha nga Presidenti Biden në fjalën e ti të 1 shtatorit.
Mbasi pohon se lufta e Afganistanit ashtë ma e gjata në historinë e SHBA-së Presidenti Biden konfirmon se ma shumë se 120.000 afganë dhe familjet e tyne janë tërheqë nga Afganistani .”Nji sukses I jashtëzakonshëm!”…”nji aksion jo për përfitim por në sherbim të tjerëve, nji mision mëshire që kushtoi jetën e 13 ushtarakëve amerikanë dhe 22 tjerë të plagosun”.
Që në muejin prill Presidenti Biden vendosi me përfundue luftën në Afganistan me 31 gusht 2021, tue mendue se ky gjykim ishte i drejtë. 300.000 ushtarakë afganë u lanë të pajisun me të gjitha mjetet ushtarake për mbrojtje nga Talibanët. Ky gjykim u provue se nuk ishte i saktë! ”Megjithate, unë instruktova personelin tonë të sigurimit kombëtar të pergatitën për çdo eventualitet, edhe për këte që shohim sot..”Fatkeqsisht, forcat afgane nuk rezistuen as edhe nji ditë; udhëheqja iku nga vendi….me gjithëse Presidenti Ghani premtoi se ‘…do të luftoj deri në vdekje’. “Prandej unë autorizova dergimin e 6.000 ushtarëve në Kabul për ndihmë focave në aeroport”spjegoi Presidenti.
Ai konfirmoi se që në Mars 2021, janë ba 19 tentativa me informue qytetarët amerikanë në Afganistan dhe u sigurohej largimi nga vendi. Rreth 5,000 amerikanë që nuk lëvizen ma parë, vendosën mos me u largue për arsye familjare.” …Për ata që mbeten në Afganistan nuk ka afat për largim. Na angazhohemi me i marrë ata, kurdoherë që dëshirojne”, tue respektue kështu nji traditë amerikane: asnji amerikan i abandonuem! Besohet se afër 100 amerikanë janë akoma në Afganistan Me 31 gusht, UNO kaloi nji Rezolutë e cila cilëson se Talibanët janë të detyruem me respektue të drejtën e udhëtimit, dhe ate me u largue nga vendi. Afganistani hapi aeroportin e Kabulit si portë dalje.
******
“Dëshiroj me qenë i qartë,” tha Presidenti Biden.“Largimi me 31 gusht nuk ishte nji datë arbritrare. Ashtu u vendos me shpëtue jetët e ushtarëve amerikanë. Para-ardhësi i im (Trump) nenshkroi njI marrëveshje me Talibanët me tërheq trupat amerikane me 31 maj 2021. Por ai autorizoi lirimin nga burgu të 5,000 Talibanëve të burgosun për terrorizëm vitin e kaluem, tue përfshi edhe Talibanë udhëheqës ushtarakë, në mes të tyne edhe disa që morrën kontrollin e Afganistanit”. Nuk kemi gjetë nji pIan tërheqje, tha ai.
“Kështu, na mbetëm para nji vendimi të thjeshtë: me vazhdue angazhimin e marrun nga Trump ose mos me u largue dhe ….me angazhue dhjetra mijëra trupa të reja për luftime. Në mes të evakuimit dhe vazhdimit të luftimeve, unë vendosa mos me vazhdue këte luftë pa mbarim. Dhe unë nuk do të vazhdoja pa mbarim daljen nga konflikti.
“Vendimi për largimin ajror nga aeroporti i Kabulit ashtë marrë nga rekomandimet e shumëta të këshilltarëve civilë dhe ushtarakë……
“Unë pranoj përgjegjsinë për nji vendim të këtill. A ka pasë mundesi që tërheqja të bahej në mënyrë ma të rregulltë? Me respekt për mendimet tjera, unë nuk jam dakord. Erdha në detyrë dhe u gjeta përballë nji afati, 1 Maj (2021)
“Para rrezikut të nji sulmi nga Talibanët: Cili ishte interesi vital i SHBA-së?
“Në mendimin tim, na erdhëm këtu vetëm: me sigurue që Afganistani nuk do të jetë kurrë përsëri i aftë me organizue sulme, e me sulmue vendin tonë. Këtu kemi pasë sukses në kryemjen e objektivit tonë nji dekadë ma parë. Mandej, ne mbetëm aty edhe për nji dekadë tjetër. Kishte ardhë koha me përfundue këte luftë.
“ Sot gjindemi para nji bote të re. Detyrimi themeltar i nji presidenti, në mendimin tim, ashtë me mbrojtë dhe me ruejtë Amerikën nga rreziku. Jo ma nga kercënimet e vitit 2001, por nga kercënimet e vitit 2021, dhe ata të së nesërmes. Kercënimi nga terrorizmi…ka ndryshue i perhapun në shumë vende tjera, strategjia e jonë duhet të ndryshojë gjithashtu! Na duhet të përpiqemi me përballue terrorizmin dhe vend-qendrimet e tij pa qenë nevoja me dergue kambësorinë tonë.
“Jam i bindun plotësisht se rruga ma e mirë me ruejtë sigurimin tonë dhe mirëqenjen tonë qendron në strategji të fortë, pa mëdyshje, të përqendrueme, dhe precize, që ndjek terroristët kudo që janë.
“Bota po ndryshon. Na jemi ri-angazhue në nji garë serioze me Kinën. Na jemi në njI situatë ku duhet te perballojme sfidat e shumëta që vijnë nga Rusia. Kemi nevojë për ndihmën tuej…Na duhet të rrisim aftësitë e garës amerikane në përballimin e sfidave, dhe garen simbas nevojave të shekulli 21. Dhe na kemi mundësi me i plotësue të dyja: me luftue kundër terrorizmit dhe me përballue kercënimet e reja që përjetojmë sot, e do të vazhdojnë edhe në të ardhmen…. Na duhet të mësojmë nga gabimet tona!
“Për mendimin tim, ekzistojnë dy rrugë që kanë karakter permanent:
e para, na duhet të përcaktojmë misionin tonë me objektiva të qarta dhe që arrihen, jo diçka që nuk mund të arrijmë kurrë; dhe,
e dyta, na duhet të përqendrohemi vazhdimisht në mbrojtjen e interesave kombëtare themelore të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.
“Vendimi i jonë për Afganistanin nuk ashtë vetëm për Afganistanin. Ai vendim deklaron fundin e nji epoke operacionesh ushtarake me rindertue vendet tjera.(nation-building)
“Më lejoni të sqarohem: na do të vazhdojmë me përkrahë Afganistanin nepërmjet diplomacisë, influencës ndërkombëtare dhe ndihmën humanitare.
“Na do të vazhdojmë me preferue angazhimin diplomatik për pengimin e dhunës dhe destabilizimin. Na do të vazhdojme me folë për të drejtat e njeriut të popullit afgan….Dhe unë kam qenë i qartë se të drejtat e njeriut janë në qendër të politikës sonë të jashtëme….jo me anë të përdorimit të ndermarrjeve ushtarake, por me diplomaci, ekonomi, dhe inkurajimin e botës për përkrahje të pikësynimeve tona.
“Populli amerikan duhet të ndigjojë edhe këte: 300 miljonë dollarë çdo ditë për dy dekada….ma shumë se 2 trillions janë shpenzue në Afganistan….Unë refuzoj me vazhdue nji luftë që nuk ashtë edhe ma gjatë në interesin jetësor kombëtar, në interesin e popullit tonë, dhe sidomos mbasi që 800.000 amerikanë kanë sherbye në Afganistan; sidomos mbasi 20,744 ushtarakë amerikanë burra e gra u sakatuen, dhe mbas humbjes se 2,461 jetëve të personelit amerikan ….Unë refuzoj me hapë edhe nji tjetër dekadë luftash në Afganistan. Na kemi qenë nji komb në luftë për nji kohë të gjatë; shumë nga veteranët tonë me familjet kanë përjetue jetën në ferr….
“Luftë jo e nxehët dhe me rrezik të ulët ose me çmim të ulët nuk ekziston. Ka ardhë koha me përfundue luftën tonë në Afganistan. Ka ardhë koha me shikue drejtë së ardhmes, jo mbrapa në të kaluemen. Me shikue për nji të ardhme ma të qetë, për nji të ardhme që ashtë ma e sigurtë.
“Unë ju premtoj nga zemra ime që unë besoj se vendimi (i tërheqjes) ashtë vendim i drejtë, i peshuem mirë, dhe vendimi ma i favorshëm për Amerikën.
Falemnderit…..!”
Shenim: Në komentin e tij analitik, autori dhe gazetari i shquem Peter Baker shkruen: “Tue deklarue fundin e ndermarrjes së deshtueme amerikane në (“nation-building”), nji gjysëm bote larg nga ne, Z. Biden luente me fatin, i mbështetun në premizën se ai do të kujtohet nga mbasardhësit si personi që, ma në fund, e nxori Amerikën nga pellgu ku kishte ra, e jo për punën e tij si president. Megjithëse aprovimi i popullsisë amerikane ka ra në nivelin ma të ulët që nga dita kur erdhi në fuqi, sondazhet tregojnë se shumica e popullit amerikan aprovojnë tërheqjen nga Afganistani, dhe se Shtëpia e Bardhë ashtë e prirun me mendue se (Administrata) do të kalojë menjiherë në përqendrimin e saj në probleme tjera te vendit, siç janë pandemia (COVID 19) dhe mbarvajtja e ekonomisë…”(The NYTimes, 1 shtator 2021)
Ligjëvenësit amerikanë kanë kerkuar për shumë vite të kufizohet pushteti I presidentit per të hyrë në luftë; ky pushtet u perdorue me autorizimet e vitit 2001 e 2002 për invadimin e Afganistanit dhe Irakut. Simbas Kushtetutës amerikane vetëm Kongresi ka të drejtën ligjore me shpallë luftë,jo Presidenti! (VoA 1.IX.2021)
=================================================================