PD-PS, replika në largësi për zgjedhjet dhe integrimin

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se kryetari i PS-së, Edi Rama, po përgatitet të bllokojë procesin zgjedhor si në vitin 2009 – Kurse, kryeopozitari Rama tha se statusi “kandidat” do të merret pas zgjedhjeve nga Shqipëria

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste opozitare Edi Rama replikuan në largësi mbi përgjegjësinë ndaj njeri-tjetrit në mospërmbushjen e kritereve të kërkuara nga Komisioni Europian që Shqipëria të marrë statusin e vendit “kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri foli në mbledhjen me deputetëve të Partisë Demokratike.

 

Berisha: Standardet e botës jo ato të Ramës

Sipas kryeministrit, mosvotimi i tri akteve ligjorë dëmtoi marrjen e statusit “kandidat”.
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se kryetari i PS-së, Edi Rama po përgatitet të bllokojë procesin zgjedhor si në vitin 2009. Ai tha se pavarësisht se kryesocialisti bllokon integrimin, Kushtetuta e Shqipërisë lejon veprime ligjore që shmangin pikërisht bllokimin: “Edi Rama po përgatit skenarin e zgjedhjeve të vitit 2009. Kushtetuta përcakton mekanizma të qarta që nuk lejojnë kurrë që kombi të merret peng nga askush dhe një nga këta mekanizma, është demokracia direkte”.
Zoti Berisha u angazhua përsëri për zgjedhje të lira dhe të ndershme: “Ne do të bëjmë absolutisht zgjedhje të standardeve të plota ndërkombëtare, por të standardeve të zotit Rama nuk mund të bëjmë kurrë ne”!
Duke iu referuar debateve të forta mes PD-së dhe PS-së për ndarjen e mandateve për deputetë të zgjedhjet e 23 qershorit, kryeministri vërejti se qëndrimet e kryetarit socialist nuk janë të njejtë për çështje të njejtë: “Çfarë do t’u thoni ju anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, që kërkoni të votohet ai projekt, për të cilin nuk latë gjë pa shpifur. Nuk ka mjerim më ekstrem njerëzor, nuk ka fatkeqësi më të madhe të zhveshësh nga çdo nonagram i dinjitetit njerëzor”!

 

Rama: Nuk na mungojnë ligjet por zbatimi i tyre

Kurse, kryetari socialist Edi Rama theksoi se statusi “kandidat” do të merret pas zgjedhjeve nga Shqipëria. Sipas tij, nuk është problemi te ligjet në Shqipëri, por te mosfunksionimi demokratik i tre pushteteve.
Zoti Rama foli në një takim të Partisë Socialiste për politikat mbështetësë ndaj gruas. “Shqipërisë nuk i mungojnë tre ligje për të hyrë në Evropë. Shqipërisë i mungojnë tre pushtete për të hyrë në Europë. I mungon pushteti legjislativ që është peng i ekzekutivit, i mungon pushteti ekzekutiv që ëhstë peng i korrupsionit, i mungon edhe pushteti gjyqësori që është peng i korrupsionit dhe ekzekutivit”-tha ai.
Një vëmendje të veçantë zoti Rama i kushtoi strategjive të munguara të derimësotme për të parandaluar fenomenet kriminale shoqërore: “Sa ç’është e rëndësishme beteja ballë për ballë me krimin, është e rëndësishme beteja e përditëshme me shkaqet e krimit. Ky është një fenomen që duhet përballur frontalisht, që duhet përballur drejtpërdrejtë aty ku shfaqet në formën e dhunës, por duhet përballlur edhe indirekt aty ku ushqehete: Te varfëria”.