Një marrëveshje mes 8 senatorëve nga më kryesorët në SHBA mund t’i hapë rrugë zgjidhjes së problemit të më shumë se 11 milionë emigrantëve të paligjshëm që jetojnë në SHBA.
Mes këtyre ka edhe mijëra shqiptarë që ndonëse kanë marrë urdhërin për deportim kanë vendosur të qendrojnë në SHBA, pa status, pa të drejtë qendrimi, kartë të gjelbër apo nënshtetësi.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në këtë mënyrë kanë qytetarë model, që do t’i kishte zili çdo vend. Ata kanë punë të rregullt, respektohen në familje, shoqëri, vende pune, lagje banimi etj. Janë një pjesë e rëndësishme komunitetit tonë. Por ata nuk mund të bëjnë plane afatgjata. Nuk mund të dalin nga vendi, nuk mund të vizitojnë vendlindjen. Druhen nga çdo përplasje me ligjin. Kjo mënyrë jete do të ishte e vështirë për çdo njeri, e akoma më shumë për ata që tani kanë familje e lidhje të pashkëputshme me jetën këtu.
Këta mijëra shqiptarë janë vetëm një ishull i vogël i një deti emigrantësh, shumë prej të cilëve jetojnë në të njëjtën mënyrë dhe që do të ishte shumë më mirë që ky vend t’i bënte pjesë të tij.
Po legalizimi nuk është i lehtë. Një legalizim i ngjashëm u bë në mesin e viteve 80. Në vend që ta zgjidhte problemin, ai shërbeu si sinjal për vendet amerikanolatine se nëse duron dhe qendron gjatë në SHBA, një ditë do të ta japin nënshtetësinë.
Politikanët e sotëm amerikanë nuk duan të bëjnë të njëjtin gabim. Nuk është puna vetëm te dhënia e qytetarisë për 11 milionë emigrantët. Puna është se askush nuk do që 20 vjet më vonë të ketë përsëri dhjetëra milionë emigrant tjerë të paligjshëm që u frymëzuan nga amnistia më e re. Në sytë e atyre që kanë kundër, SHBA po shpërblen ata që shkelën ligjin.
Ndryshe nga vitet 80, SHBA nuk është më duke përjetuar një bum ekonomik. Tani shumë amerikanë i shohin emigrantët si konkurrentë për punët e thjeshta e që paguhen pak. Biznesit i vjen për mbarë se nuk duron dot sindikatat që kërkojnë rroga e siguri për punëtorët amerikanë. Ndryshe nga këta, emigrantët shpesh pranojnë kushte të tmerrshme pune. Kjo rrit xhepat e biznesmenëve dhe lë pa punë amerikanët.
Deri tani Republikanët kanë përfaqësuar më mirë qyetarët e pakënaqur nga ideja e aministisë, kurse Demokratët hispanikët që duan zgjidhje për komunitetin e tyre. Zgjedhjet e fundit presidenciale treguan se vota në rritje e popullatës spanjishtfolëse do të jetë gjithnjë e përcaktuese në vitet e ardhshme. Kjo ka bërë që Republikanët të marrin nismën në Kongres për të mos e lënë Presidentin Obama që të dalë si shpëtimtari i hispanikëve.
Në këtë klimë të re në kryeqytetin amerikan ku të dy partitë marrinme të mirë hispanikët, kanë shans të përfitojnë edhe shqiptarët pa dokumente. Si asnjëherë tjetër duket se do të ketë një zhvillim pozitiv.
Po Republikanët nuk mund t’i japin dritën e gjelbër Presidentit Obama pa disa kushte. Në fund të fundit, ata duan votën e hispanikëve por jo duke sakrifikuar votën e shumë prej amerikanëve të Jugut. Ata d të kërkojnë që SHBA të mbyllë përfundimisht kufirin plot vrima të Jugut me Meksikën dhe që mekanizmat policorë të veprojnë në mënyrë që nese dikush në të ardhmen rri në SHBA ndonëse i ka skaduar viza apo ka marrë urdhër deportimi, atëhere autoritetet të jenë në gjendja ta gjejnë e ta dëbojnë menjëherë.
Të dyja duken tepër optimiste dhe të vështira për t’ua realizuar në praktikë. Shoqëria amerikane është e tillë që nuk mund ta mikqyrësh si disa vende të botës ku të ndalon policia në rrugë e të kërkon pasaportën se dukesh si “i huaj” nga fytyra. As është e mundur që të blindohet një kufi aq i gjatë dhe aq i larmishëm.
Nga ana tjetër, koha nuk pret. Pas 11 Shtatorit dhe në kohën e sëmundjeve infektive, nuk mund të mbajmë më mbi 11 milionë vetë të paregjistruar në këtë vend. As mund të lejojmë që miliarda dollarë të mos futen si taksa në arkën e shtetit. Sidomos me plakjen e popullsisë amerikane është e domosdoshme që këta miliona të punësuar të kalojnë nga tregu i zi apo i hirtë në tregun normal e zyrtar.
Ardhja e emigrantëve të tjerë, të paligjshëm, do të vijojë edhe pas kësaj. Po ashtu siç e kanë vënë në dukje një numër analistësh seriozë dy dukuri duhet të qetësojnë amerikanët në këtë kontekst. E para, që pavarësisht nga pesimistët SHBA ende mbetet një vend tërheqës për emigrim e sa kohë që mbetet i tillë nuk bëhet fjalë për rënie të Amerikës. E dyta, që vendet e Amerikës Latine po shënojnë rritje ekonomike. Diferenca nuk është më aq e madhe dhe një numër raportesh tregojnë se një pjesë e emigrantëve hispanikë po kthehen ose po vendosin biznese mes dy vendeve. Koha dhe historia në mënyrë të natyrshme mund të zgjidhin një problem që prej kohësh po i jep dhimbje koke politikanëve në Washington.