Mënyra sesi do të zhvillohen mbledhjen e komisioneve parlamentare ka sjelllë mosmarrëveshje mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.
Debati ka nisur në konferencën e kryetarëve për të vijuar më pas dhe në seancën plenare.
Me shumicë votash, PS në Konferencën e Kryetarëve ka vendosur që mbledhjet e komisioneve parlamentare të bëhen online, por PD ka kundërshtuar me pretendimin se kjo dëmton transparencën.
Sipas PD, Kuvendi ka hapësira për të bërë mbledhje komisionesh normalisht.
Rushaj: Në konferencën e Kryetarëve u mor një vendim antikushtetues. Në mënyrë të jashtëligjshme, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit u mor një vendim i pavlefshëm që kufizon që puna e komisioneve parlamentare të bëhet online. Rregullorja është e qartë se kur janë rastet kur komsionet mund të zhvillojnë veprimtarinë online, janë rastet e masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes së fatkeqësisë natyrore. E vetmja arsye pse bëhet është për të kufizuar parlamentarizmin, për ta çuar drejt asgjesimit. Nuk e pranojmë. Kërkoj që ai vendim i paligjshëm të hidhet poshtë.
Alibeaj: Dihet si janë zhvilluar punimet e komisioneve në legjislaturën e kaluar online, njëri në kafe, tjetri në plazh, tjetri në makinë, tjetri me gotën e rakisë dhe askush nuk merrte vesh nga publiku se ata jo e jo, se çfarë ishin duke diskutuar, votuar, cilat interesa të publikut ishin duke mbrojtur. Ka pasur një situatë të gjendjes të jashtëzakonshme por nuk është më. Qeveria ka thënë e kemi kaluar me sukses, nuk ndodh gjë lidhur me pandeminë. Baret sot i ke plot, fëmijët shkojnë në shkolla, parlamenti këtu jemi të gjithë, pse u dashka që vetëm komisionet parlamentare të bëhen online.Kemi shkuar dhe në koncerte para disa ditësh. Vetëm, ne deputetët u dashkemi mbrojtur në komisione për shkak të pandemisë, sinjali më i gabuar. Duhet të kthehemi në normalitet. A jemi në valën e vaksinimit, deputetët të vaksinohen, të paraqesin testin. Kështu mbrojmë deputetët dhe i garantojmë publikut të drejtën për tu informuar mbi veprimtarinë e parlamentit të vet. Majfton të shikoni dokumentat parlamentarë të legjislaturës së vitit të kaluar, gjysma e tyre thonë nuk dëgjohet, nuk kuptohet, nuk dihet si votohet, si është kuorumi. Kjo është të asgjesosh demokracinë.
Tabaku: Në Konferencën e Kryetarëve u njohëm me një shkresë sugjeruese të zonjës Rakacolli, militante të PS, me faktin që sugjeronte që komisionet parlamentare nuk duheshin zhvilluar fizikisht po online.Me dhunën e kartonave mund të vendosni çdo gjë, por kur pashë shkëlqesinë tuaj, kastën e ulur në opera ngjitur me njëri-tjetrin pa maska, koncerte, transporti publik i hapur, shkollat e hapura, minimumin e transparencës duhet ta kemi për punimet e Kuvendit. Nuk mund të vendosni me dhunën e kartonave ti hiqni fjalën opozitës.
Balla: Kemi rënë dakord në mënyrë unanime që Kuvendi të vendosë një afat brenda të cilit në Kuvendin e Shqipërisë të mos hyjë më asnjë deputet i pavaksinuar.Ka qenë dakordësi edhe e opozitës. Shqipëria është në situatë pandemie, edhe Kuvendi duhet të jetë shembull i respektimit të rekomandimeve. Nuk është çështje e seancës, është çështje për të cilën Konferenca e Kryetarëve ka marrë një vendim. Kemi lënë të hapur mundësinë e diskutimit për seanca të posaçme të komisioneve në ato ambjente që Kryesia e Kuvendit ka por kjo është një çështje që nuk mund të shprehet më seanca se ëhstë marrë vendimi përkatës.
Shehu: Kemi tendencë për grusht shteti.
Në seancën e sotme u miratua përbërja e komisioneve parlamentare të përhershme dhe anëtarët zëvendësues si dhe draft-programi i punës së Kuvendit për periudhën 27 shtator-5 nëntor 2021.
oranews