Ç’bën Edi Rama në “West Point”?

Frank SHKRELI

Misioni i Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point është “të edukojë, trajnojë  e frmyëzojë korpuset e kadetëve ashtu që secili i diplomuar aty të jetë udhëheqës me karakter, i betuar ndaj vlerave Detyrë, Nder, Atdhe dhe i përgatitur për një karrierë profesionale të shkëlqyeshme dhe në shërbim të Kombit, si oficer i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Zakonisht, Akademia Ushtarake në West Point vizitohet nga Presidentë të Shteteve të Bashkuara, por jo për qëllime politike dhe partiake, pasi ushtria amerikane është mbi këso lojërash të fëlliqta të politikës së brendshme ose të jashtme dhe përpiqet që kurrë të mos bie pre e manipuluesve që përpiqen ta përdorin ushtrinë për qëllimet e tyre të shëmtuara, personale dhe të përkohshme politike.

Ka edhe të tjerë udhëheqës, sidomos ushtarakë amerikanë, që vizitojnë dhe mbajnë fjalime me rastin e diplomimit të kadetëve, siç ndodhi këtë vit, kur atyre u foli Sekretari i Mbrojtjes, Z. Lloyd J. Austin III, pikërisht për t’i frymëzuar kadetët e sapodiplomuar për detyrën e tyre të re në shërbim të Atdheut.

Në West Point ka edhe një numër të kufizuar (rreth 20 gjithsej) të kadetëve nga vende të huaja, aleate të Amerikës. Shyqyr që Kryeministri Rama zbuloi më në fund se aty ka dhe ka pasur shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova, të betuar ndaj vlerave: Detyrë, Nder, Atdhe.

Kadetët amerikanë të West Pointit, por edhe ata pak kadetë nga vende të huaja, përzgjidhen ndër më të mirët e të mirëve, ndër më të përgatiturit nga pikëpamja akademike, por edhe përnga karakteri e përgjegjësitë që ata marrin mbi vete, si oficerë të Forcave të Armatisura të Shteteve të Bashskuara, ruajtës të lirive tona, mbrotjës të trashëgimisë tonë demokratike, por edhe çlirimtarë e paqëruajtës në botë.

Duke marrë parasysh historinë që e dallon dhe reputacionin që gëzon, jo vetëm në Amerikë por edhe anembanë botës, Akademia Ushtarake Amerikane në West Point, me thënë të drejtën, si shtetas i këtij vendi ku besojmë se ushtria dhe politika nuk përzihen, por edhe si shqiptaro-amerikan që beson në disa vlera universale që gjatë dekadave janë mbrojtur pikërisht nga udhëheqës ushtarakë amerikanë që kanë diplomuar në West Point, e që i ka njohur bota, u habita dhe u shqetësova për vizitën e Kryeministrit Rama.  Janë të shumtë ata heronj amerikanë që janë diplomuar në West Point që e kanë dalluar veten gjatë historisë në luftërat e këtij vendi, duke filluar me Luftën e Parë Botërore dhe më vonë në Luftën e Dytë Botërore dhe në qendresën kundër komunizmit ndërkombëtar gjatë luftës së ftohtë – udhëheqës ushtarakë me famë botërore, siç ishin gjeneralët Eisenhower, Mac Arthur, Arnold, Clark, Patton, Stillwell, Wainwright dhe të tjerë më vonë, gjatë luftës në Vietnam e deri në kohët modern, siç ishte lufta në Kosovë, kur forcat e aleancës së NATO-s, të udhëhequra nga Gjenerali Wesley Clark – edhe ky i diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point – sulmuan forcat terrroriste ushtarake dhe policore të Serbisë që për vite po kryenin një gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës – të paparë në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Për mua, misioni dhe tradita e Akademisë Ushtarake në West Point, pasi edhe tani jetoj afër saj, si të thuash e kam në mahallë dhe kjo është arsyeja që u çudita kur lexova për vizitën e Kryeministrit Rama, një vizitë që m’u duk si e orkestruar aq mirë për qëllime propagandistike, pasi përmbajtje tjetër nuk kishte. Edhe arsyeja zyrtare që u dha për këtë vizitë – nënshkrimi i aktit të binjakizimit të West Point me Akademinë Ushtarake të Shqipërisë – mund të bëhej shumë lehtë dhe duhet të bëhej midis Kryetarit të Akademisë Ushtarake Amerikane dhe Përfaqësuesit më të lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe jo duke sjellë nga Tirana Kryeminsitrin për të ndërfutur politikën e fëlliqët e konfliktuese të klasës politike shqiptare. Kjo nuk duhet të ishte pjesë e protokollit me këtë rast, por dikush e bëri këtë me qëllim, për të ngritur personalitetin e Kryeminsitrit shqiptar para një audience që, siç duket, nuk kishte haber se kush është Edi Rama, veçse Kryeministër i Shqipërisë.

Fatkeqësisht, kjo nuk është mënyra për të promovuar lidhjet e ngushta midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar – popull me popull për të cilat kemi punuar me dekada – duke promovuar individë dhe politika të momentit për qëllime që ende mbeten të paqarta, siç janë të paqarta edhe se kush janë personat dhe qarqet që po veprojnë në këtë mënyrë. Shumë vija të kuqe diplomatike po shkilen dhe askush nuk po shqetësohet!

Pikëpamjet dhe qëndrimet e mia për këtë klasë politike shqiptare të dështuar të këtyre 30 vjetëve janë të njohura mirë. Në këtë klasë të dështuar politike – të gjitha të ashtuqajtura parti politike, pozitë dhe “opozitë” – bën pjesë edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, i cili e vizitoi këtë javë njërin prej insitucioneve më të shenjta amerikane, Akademinë Ushtarake West Point.  As z. Rama nuk dallon shumë nga politikanë të tjerë shqiptarë, por, për hir të së vërtetës, ai i shpreh ndjenjat e tij dhe, si i tillë, mund të jetë edhe më i sinqertë, megjithëse nganjëherë hipokrit, bazuar në deklaratat e tij – sot komunist, nesër demokrat e pasnesër mbështetës dhe mik me udhëheqësit më autoritarë të globit.

Nuk besoj se ambasada amerikane në Tiranë do t’i ketë dërguar Akademisë West Point ndonjë shkresë konfidenciale, për t’i treguar se kush është Edi Rama dhe cilat janë qëndrimet që ai i ka mbrojtur dhe vlerat që ai i ka mbrojtur, gjatë viteve dhe kohët e fundit, ndaj Perëndimit, ndaj qeverisjes autoritare, ndaj shkeljes së demokracisë dhe lirisë së medias e të tjera, veçanërisht ndaj ish-regjimit komunist në Shqipëri dhe ndaj “të mirave të atij sistemi” – vlera këto që nuk përputhen aspak me vlerat e Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, të udhëheqësve e të kadetëve të saj.

A e dinin eprorët e Akademisë Amerikane në West Point se ishte një kohë që Edi Rama, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e flakte me përbuzje flamurin amerikan nga tavolina? A e dinin zyrtarët e lartë të Akademisë në West Point se Kryeministri Rama e kërcënonte Perëndimin, pra Amerikën dhe Evropën, se Shqipëria kishte alternativa të tjera përveç Perendimit, në qoftë se ata nuk do të sillen ashtu siç preferonte ai – me insinuatën se shtete autokrate si Turqia, Rusia, Kina e Serbia ishin gati të pranonjnë Shqipërinë në rrethin e tyre antidemokratik e autoritar? A ishin të informuar zyrtarët e lartë amerikanë se, jo më larg se këtë vit, Edi Rama, “antikomunisti” i viti 1990, tani Kryeministër Socialist (pasardhëse e Partisë Komuniste të Shqipërisë), para një viti kishte deklaruar se ishte krenar me babain e tij komunist dhe se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë.

A e dinin udhëheqësit e lartë ushtarakë amerikanë para të finalizohej vizita e KM shqiptar në West Point se Shqipëria, megjithëse vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për t’u anëtarësuar në Bashimin Evropian, ndryshe nga të gjitha vendet tjera ish-komumiste tani anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Shqipëria me në krye Edi Ramën refuzon të distancohet nga e kaluara e tmerrshme komuniste në vendin e tij, madje edhe pas 30 vjetësh në tranzicion, Shqipëria ende nuk i ka dënuar zyrtarisht krimet e komunizmit dhe refuzon të bashkëpunojë me Komisionin Ndërkombëtar për të Zhdukurit, ICMP, për të zbuluar se ku janë hedhur eshtrat e viktimave të komunizmit në Shqipëri. A është ky një udhëheqës që i frymëzon kadetët e Akademisë Ushtarake Amerikane në West Point, drejtuesve të së cilës, siç duket, iu imponua vizita pa e ditur se kush po vinte? Një udhëheqës i lartë i huaj qëftohet në Akademinës Ushtarake Amerikane, sidomos në West Point, të pakën duhet të tregojë vullnet të mirë ndaj disa prej vlerave që i përfaqësojnë  drejtuesit dhe kadetët e saj. Asnjë udhëheqës shqiptar, në pozitë ose në opozitë, nuk ndan vlerat e Akademisë në West Point as vlerat amerikane, prandaj nuk meriton një vizitë dhe një trajtim të tillë, në një vend të shenjtë të heronjve amerikanë. Sepse, po të ishte ashtu, Shqipëria sot do të ishte ndryshe, jo vendi më i korruptuar në Evropë, me një sistem të ashtuquajtur “demokratik” e jofunksional, një vend nga i cili po largohen më të mirët, për shkak të politikës konfliktuale të liderëve politikë të vendit.

Hipokrizia e ka arritur kulmin dhe shumë vija të kuqe po shkilen! Vizita ishte një fyerje për bijtë dhe bijat më të mira të Kombit Amerikan dhe të vlerave për të cilat ata kanë luftuar.

Ja edhe një tjetër akt po vihet në shtyllën e turpit.

One Response to “Ç’bën Edi Rama në “West Point”?”

Read below or add a comment...

  1. Andi says:

    Jo ore, Na i bere katedet amerikane budallenjë.