Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e gjashtë
Nga Ylli Polovina
Fan Noli dhe Faik Konica, dy figurat më shkëlqimtare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar, nuk ishin vetëm personalitete të dijes e të talentuar njëherësh në disa fusha të krijimtarisë njerëzore, nuk qenë vetëm veprimtarë të spikatur shoqërorë dhe politikë, shkrimtarë të rangut të parë dhe studiues me përmasa kontinentale, nuk përfaqësonin vetëm stilistë dhe përdorues të mahnitshëm të gjuhës shqipe, por qenë edhe oratorë mjaft të mëdhenj.
Në këtë dhunti të fundit Noli nuk ka të krahasueshëm me asnjë deri në kohët tona. Në rastin e tij mund të shkosh edhe para vitlindjes 1882, dhe del se ushtron hegjemoni të paktën gjatë gjithë brezit të rilindësve. Natyra i kishte dhënë edhe një zë që, para se t’i bëhej melodi në buzë, i gurgullonte si krua nga thellësia e kraharorit.
Ne, shqiptarët, të pakujdesshëm problematikë për vlerat që kanë individët (nuk jemi smirëzinj ndaj të tjerëve, por mbivlerësues ndaj vetes) asnjëherë nuk e kemi analizuar oratorinë e Fan Nolit. Madje tek ne nuk gjenden libra as për të paraqitur, të paktën, oratorinë shqiptare në përgjithësi. Ndërkohë që, ashtu si edhe me polifoninë, e kemi art të ushtruar në zona të tëra të vendit, veçanërisht në veri, ku prej shekujsh fëmija mashkull u mësua të rrijë në bisedat apo kuvendet e burrave.
Por të mos e ngasim më shumë këtë temë, sepse do të dalim në një përfundim shije hidhur: prishjen që për dekada të tëra të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar dhe të dy dhjetëvjeçarëve të këtij mijëvjeçari të tretë, i ka bërë oratorisë ushtrimi populist e demagogjik i profesionit të bukur të politikës.
Prandaj le të kthehemi tek Fan Noli dhe pasuria e tij e të folurit magjishëm para grumbullimeve të njerëzve.
Ndër fjalimet e tij të shumta studiuesit spikatin veçanërisht ato të mbajtura në Lidhjen e Kombeve, të parin në 1920 dhe të fundit në gjysmën e dytë të vitit 1924. Edhe pse në thurjen e tyre elementët politikë jo përherë kanë pasur përputhje me analiza racionale të situatave të brendshme apo ndërkombëtare, kthjelltësi në përcaktimin e aleatëve dhe të kundërshtarëve, largpamje për zgjedhjen e reformave më të nevojshme si edhe shoqërimin e tyre me masa realizuese, gjithsesi nga ana e elegancës oratorike janë mirëfilli vepra artistike.
Në këtë thesar nolian duhet futur edhe fjalimi i tij i 11 shkurtit 1924.
“Titulli “Amerikan”, tha Fan Noli në atë pasdite, pasi Asambleja ia miratoi çfarë për presidentin Uillson donte të thoshte, “mjafton që t‘a bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se që të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj”.
“Që në 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i math i Shqipëtarëve”, vijoi, “Që më 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetën e tyre e për të fituar bukën e familjes”.
Menjëherë më pas Fan Noli ka të shqiptuara edhe këto fjalë lapidare: “Për të njëzet e pesë vjetët e funtme Amerika ka qenë për shqiptarët një fushë pune dhe një shkollë: Një fushë pune ku fiton aqë para sa ishin të zotët, dhe një shkollë ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt atdheut, kështu që ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me idera të ra”.
Këto pak radhë të porsa cituara kanë forcë analize dhe lëndë të vërtete sa për një vëllim të tërë me qindra faqe. Noli paraqet çelësin e shpjegimit përse shqiptarët filluan ta donin Amerikën që në çastet e para të kontaktit dhe njohjes nga afër me të. Ai përcakton si themel të kësaj dashurie (sepse t’i thuash “miqësi” është fare pak) këta elementë themelorë për çdo njeri e popull: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë njëherësh vend pune dhe bankë shkolle; shqiptarët atje kanë fituar para e janë mirëqenë materialisht sipas zotësisë, jo hatërit; janë edukuar me ndjenjën e ligjit, me zbatimin e rregullave të disiplinës, me lirinë e organizimit dhe me përkushtimin ndaj atdheut amë. Kur ktheheshin në Shqipëri, shprehet ai, qenë krejtësisht të transformuar dhe me ide të reja.
Shumëve që kanë jetuar në vendin tonë kur vepronte diktatura e dinë mjaft mirë sa përpjekje bëri regjimi për të krijuar “njeriun e ri”. Do të kemi rast më pas të vëzhgojmë përse ky njeri i kohës nuk mund të krijohej dot nga totalitarizmi, por veç natyrshëm prej një shoqërie të lirë. Do të shohim më hollësishëm përse ai qe e pamundur të brumosej nga modeli shoqëror e politik i Moskës sovjetike apo prej çdo varianti të marksizëm-leninizmit dhe se formë reale mund të merrte në mjedisin social perëndimor, në rastin konkret edhe atë amerikan.
Një mijë arsye ka në shpjegim si ndodhi që historiografia zyrtare e gjysmëshekullit komunist nuk mundi apo nuk u lejua t’i japë spikatje fjalimit të Fan Nolit të 11 shkurtit 1924. Nuk qe në mes vetëm adhurimi për Udrou Uillsonin apo ato fjalë të ndjera për ShBA. Ngriheshin si pengesë e pakapërcyeshme pohimi nolian për forcën e madhe transformuese të shoqërisë amerikane, veçanërisht shqiptari që merrte prej saj merrte ide të reja.
“…Dhe kur themi Amerikë”, tha në fjalën e tij Fan Noli, “na kujtohet një emër, se që të gjitha këto kanë ngjarë kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumë-vajtuari President Wilson. Veç titullit “Amerikan”, Wilson-i ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjatër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit kombëtar dhe të paqes së përbotshme”.
Menjëherë pas kësaj Noli shqipton këtë sentencë: “Presidenti Wilson ishte idealist se ishte Amerikan”.
“Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë”, vazhdoi ai shpjegimin përse shqiptarët e duan ShBA-në, “nuk e njohin Amerikën aspak”.
Ndërsa gjeti vend të fliste për jetën dhe vlerat e veçanta të Udrou Uillsonit, duke përdorur më shpesh për të vlerësimin si politikan idealist, pasi ndërkohë i rrëfeu Asamblesë Kushtetuese se presidenti amerikan qe një i krishterë, bir prifti dhe se “u rrit në kishë, në një rrethim fetar, me ungjillin në dorë, i predestinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, Fan Noli nuk harron të bëjë të ditur se në atë sallë parlamentare ai ka personalisht më shumë të drejtë se të gjithë ta admirojë Uillsonin dhe vdekjen e tij po ashtu ta vajtojë me mjaft dhimbje.
E ka takuar nga afër dhe e ka parë me sytë e tij. E ka dëgjuar me veshët e tij si është shprehur me simpati për shqiptarët dhe bëri premtimin e tij, pothuaj betim, për t’i mbrojtur në Konferencën e Paqes.
“E kam njohur këtë kalorës të kohëve të harruara në një kohë tragjike, më 4 të Korrikut 1917, në Yacht-in presidencial “Mayflower”, kur i rrethuar prej kabinetit, prej trupit diplomatik dhe prej përfaqësonjësve të racave të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, shkonte te varri i Washington-it për të prononcuar të parin diskurs luftëtar. Atëherë iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjien e tij bujare e mbanj ment sikur po e dëgjonj sot: “Një zë do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë zë do t‘a përdor për të mirën e Shqipërisë”. Dhe e mbajti fjalën e tij. Në janar, 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë më të gjithë anët e vendit tonë, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar prej Aliatëve, ishte bërë i njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firma që nuk u vu në atë projekt aqë të padrejtë. Presidenti Wilson jo vetëm nuk vuri firmën, por u përgjeq edhe me dy nota në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshim të karrierës së tij së shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot”.
Kjo fjalë e 11 shkurtit 1924 në trashëgiminë noliane nga studiuesit është quajtur “panegjirik”. Në letërsinë greke dhe latine këtë emërtim e merrte vetëm një oratori që i kushtohej në nderim një personi shumë të shquar. Në traditën e besimit të krishterë panegjiriku është përdorur në lëvdimin e një të shenjti.
Por ndërsa studiuesit janë tepër vlerësues, por edhe korrektë me kriteret e profesionit nuk është shpërfillës i atyre ai që mund t’i vënë edhe emrin “poemë”. Krijimtari politike dhe oratorike e padyshimtë fjala e shqiptuar para Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë dhe me këtë rast edhe para opinionit publik të vendit të vet, në 27 dhe 29 mars botuar në Boston në gazetën “Dielli” dhe me këtë rast edhe para diasporës së madhe të bashkëkombësve në Amerikë si edhe para qarqeve zyrtare të ShBA, ajo është edhe krijimtari e mirëfilltë artistike.
Duke e mbajtur këtë vepër të Fan Nolit të fshehur për një gjysmë shekulli u krye nga diktatura tre herë sakrilegj, tre herë blasfemi ndaj historisë tonë të vërtetë. Vetëm sy të errur politikisht mund të shkonin gjer në një përdhunim të tillë saj, pse jo edhe krim.
Ca më tepër që falsifikimi i të kundërtës që ekzistonte, paraqitja e një Shqipërie me orientim nga revolucioni bolshevik i Moskës kur ajo qe tërësisht me vështrim nga vendi i madh, i pasur dhe demokratik i përtej oqeanit Atlantik, edhe sipas kritereve më elementare të sajimit të një gënjeshtre është kryer në mënyrë vulgare. Në mbledhjet e Asamblesë Kushtetuese as Jashar Erebara, i cili e propozoi heshtjen hidhëruese për Vladimir Iliç Leninin dhe as Avni Rustemi që e mbështeti, nuk mbajtën ndonjë fjalim të thjeshtë e më jo ndonjë panegjirik për shefin e Revolucionit Socialist të Tetorit. Në proces verbalet e parlamenteve shqiptare gjer sa ato ranë nën sundimin e komunizmit nuk ka të mbajtur apo edhe thjesht të dorëzuar për t’u arkivuar asnjë fjalim për Leninin.
Për njeriun e Moskës ato pesë minuta të 4 shkurtit mjaftuan e ndoshta tepruan. Asambleja Kushtetuese e atij shkurti 1924, shumë afër trazimit të rëndë të luftës së brendshme politike, madje në prag të shpërthimit të armatosur të saj, mbajti vetëm një himn: atë për Udrou Uillsonin. Kjo do të thotë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aq e vërtetë dhe masive mes shqiptarëve ishte kjo frymë sa ato ditë ka edhe një gjest tepër domethënës. Është shqiptuar kjo frazë: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilson-it një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilson-i duhet t’ish i madh për Shqipëtarët”.
E ka thënë Faik Konica, i madhi tjetër i shekullit të shkuar.
(Vijon)
Tiranë, më 15 qershor 2011