Hapet ekspozita e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA”


Adnan Mehmeti
Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Stamford, Connecticut, 23 shtator 2021

     Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë hap ekspozitën e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA”. Është një ditë e madhe gati si një festë. Në këtë ditë do të ekspozohen botimet që lidhen me 20-vjetorin e historisë së saj si dhe anëtarëve të shumtë anembanë Amerikës. Është gjë e bukur që të njihemi dhe t’i prekim me dorë ose të sigurojmë kopje të krijimtarisë së botuar në këto vite.
     Në këtë zyrë të përkohshme, në qytetin e Stamfordit, do të promovohet monografia voluminoze në dy vëllime “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001-2011)” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2012-2021)”, si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”. Do të prezantohet revista “PENA” me të gjitha numrat e saj, botimet nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press” si dhe botimet që lidhen me Shoqatën dhe anëtarët e saj.
     Ekpozita do të jetë e hapur nga 25 shtator deri më 10 tetor 2021, për fundjavë, duke filluar nga ora 12.00 ose sipas kohës së përshtatshme të shkrimtarëve, ndërsa zyra do të vazhdojë e hapur për takimet me anëtarët. (113 Broad Street, Stamford CT 06901)
     Kjo zyrë është e përkohshme dhe modeste, me rafte të vegjël, por me botime me vlerë. Ajo do të jetë një portë e re  për të hapur një ditë selinë e saj “Shtëpia e Librit Shqip”. Është një dëshirë e kahmotshme për shkrimtarët që botojnë libra, por që iu mungon një vatër institucionale.
     Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë tashmë është elita e shoqërisë në diasporë. Ajo sjell me librin shqip në Amerikë për publikun amerikan kulturën dhe civilizimin e shqiptarëve. Ekspozita e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA” është jo larg bibliotekës së njohur të qytetit. Këtë bibliotekë e kemi pasuruar me libra shqip. Këtë mision do të vazhdojmë dhe në kohët që do të vijnë. “Gjithmonë e kam përfytyruar parajsën si një farë biblioteke”, – shprehet Jorge Luis Borges, një nga personalitetet më të njohur të letrave të shekullit XX.
     Si asnjë herë tjetër do të jemi për një kohë të gjatë me lexuesin këto ditë. Madje disa kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën për të punuar vullnetarë, për të qenë sa më afër librit dhe shkrimtarëve. Kjo nismë nuk do të ndalet, por do të vazhdojë deri në festimin solemn të 20-vjetorit të Shoqatës së Shkrimtarëve, të frymëzuar nga bekimi nolian.
     Një falenderim për të gjithë anëtarët që në këto vite nuk pushuan me penën dhe mendjen e ndritur.
     Qoftë me jetë të gjatë libri shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Ndërtesa ku do të hapet ekspozita.