Abdixhiku: Situata në veri të Kosovës kërkon unitet të plotë

Prishtinë,25 shtator 2021 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë situata e tensionuar në veri të Kosovës kërkon unitet të plotë të gjitgë spektrit politik.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme ta ndihmojë me Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në veri.

“…kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje dhe kemi kërkuar qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK, kemi shprehur gatishmërinë e plotë për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit”, katheksuar Abdixhiku.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë për të shmangur kërcënimet nga Serbia dhe tensionet në veri të vendit”.

Ky reagim i kryetarit të LDK-së erdhi pas dy incidenteve që ndodhën të shtunën në pjesën veriore të Kosovës, të banuar më shumë serbe.

Të shtunën, në orët e para të mëngjesit, në Zubin Potok është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa në Qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.

(r.m.)