Shqipëria: Greqia të shpjegojë kthimin e udhëtarëve me emërtesa shqip në pasaporta – Athina kërkon që në pasaporta të shkruhet anglisht “Greece” dhe jo në shqip “Greqi”.
Ministria e Jashtme paraqiti pikëpamje të kundërta me Greqinë dhe i kërkoi shpjegime, pasi shprehu pakënaqësinë, mbi kthimin e udhëtarëve shtetas shqiptarë që i kanë emërtesat të shkruara në gjuhën shqipe në pasaportat e tyre. Qëndrimi i Shqipërisë u mbështet në praktikën e përsëritur nga Greqia këtë të mërkurë, kur nga aeroporti i Athinës u kthyen në aeroportin e Rinasit 14 udhëtarë, veçanërisht gra dhe fëmijë. Greqia thotë se emri i saj në pasaporta duhet shkruar në gjuhën angleze “Greece” dhe jo në shqip “Greqi”, praktikë që sipas saj mbështetet në ligjin ndërkombëtar. Shqipëria e refuzon këtë arsyetim dhe ka ofruar propozime për të mundësuar lëvizjen e lirë të shtetasve të saj dhe në veçanti emigrantëve që jetojnë në Greqi.
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti thirri për këtë çështje ambasadorin e Greqisë në Tiranë, Leonidha (Leonidas) Rokanas. “Tema kryesore e takimit ishte çështja e toponimeve dhe nevoja për një zgjidhje urgjente të këtij problemi, i cili ka shkaktuar jo pak pengesa për lirinë e lëvizjes së shtetasve shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë”-komunikoi ministria e Jashtme. SIpas ministrit Panariti, “Qeveria e Shqipërisë ka paraqitur një propozim për zgjidhjen e çështjes, bazuar në praktikat ndërkombëtare dhe mbetet e hapur për dialog në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare”. Ministri Panariti dhe ambasadori Rokanas u pajtuan që të grupet e punës që janë krijuar të veprojnë dhe punojnë me negociata për zgjidhjen e çështjes.
Palët thanë se kanë vullnet për të zgjidhur pa vonesa çështjet teknike që janë në interes të qytetarëve.
“Ministri Panariti kërkoi që të publikohet një informacion zyrtar rreth intepretimit të Kodit Shengen nga autoritetet kufitare greke, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një udhëzim të qartë për përllogaritjen e afateve të hyrje-daljeve në shtetin grek, duke shmangur kështu penalizimin e tyre në pikat e kalimit kufitar”-thuhej në komunikatën e ministrisë së Jashtme.
Menjëherë pas kthimit të mërkurën të 14 grave dhe fëmijve, ministri Panariti priti përfaqësues të tyre. Ministri garantoi se po përcillet me vëmendje të madhe dhe me shqëtësim të thellë kthimi i qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare greke, pasi më parë kishte ndodhur në zonat tokësore e mëngjesin e së mërkurës edhe në hapësirën ajrore nga aeroporti ndërkombëtar i Athinës “Elefterios Venizelos”.
“Ministri Panariti dëgjoi me vëmendje shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke dhe garantoi se Ministria e Jashtme po ndjek me shumë prioritet situatën e krijuar. Ministria e Jashtme sqaron se ka paraqitur propozimet përkatëse te pala greke për zgjidhjen e problemit të toponimive, bazuar në praktikat e njohura ndërkombëtare për këtë çështje”-njoftoi ministria.
Qëndrimin e Shqipërisë e konfirmoi më qartë një zyrtar i ministrisë së Brendshme. Ferdinant Poni, zëvëndësministër i Brendshëm që mbulon çështjet e pushtetit vendor dhe gjendjes civile, tha se qëndrimi i Greqisë është thjesht tekë dhe se Shqipëria nuk do ta ndryshonte praktikën e saj ligjor të mbështetur në ligjin ndërkombëtar. Zoti Poni ia e paraqiti qëndrimin në bisedë me të përditshmen “Gazeta Shqiptare” në Tiranë: “Nuk do të bëhen, nuk do të shkruhen ndryshe për teka. Ne shkruajmë në shqip. Edhe pasaportat e vendeve të tjera në gjuhën e tyre shkruajnë”-tha zoti Poni.
Në pasaportat e reja biometrike si edhe në letërnjoftimet e rinj elektronikë të njohur rëndom si “karta identiteti” vendlindja shkruhet edhe “vendlindje” dhe krahas “place of birth”.
Greqia i referohet Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1988, që sipas saj, ka zgjidhur çëshjten e standardizimit të emrave gjeografikë. Sipas Kombeve të Bashkuara, rekomandohet që emrat e Greqisë të shkruhen jo me shkronjat e alfabetit grek, por me shkronja latine. Këtu përfshihen Selaniku (Thessaloniki), Kosturi (Kastoria), Folorina (Florina), Korfuzi (Kerkira).