Presidenti Barack Obama është duke pritur edhe konfirmimin e disa kandidatëve të tjerë të kabinetit, duke përfshirë Chuck Hagel, si Sekretar i Mbrojtjes dhe Jack Lew si Sekretar i Thesarit
Nga Zëri i Amerikës
Senatit amerikan konfirmoi të martën mbrëma emërimin e senatorit John Kerry në postin e Sekretarit të Shtetit, pak orë pasi kandidatura e tij ishte miratuar nga komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Zoti Kerri, 67 vjeç, është veteran i luftës së Vietnamit; senator i shtetit Masachustes që prej vitit 1985, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe ish-kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit 2004. Presidenti Barak Obama emëroi zotin Kerry muajin e kaluar për të zëvendësuar Hillary Clintonin në krye të Departamentit të Shtetit.
Në seancën dëgjimore për konfirmimin e tij javën e kaluar, zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin rregull në politikat fiskale për të vazhduar të mbeten udhëheqës në botë. Ai tha se më shumë se kurrë, politika e jashtme është politikë ekonomike.
Pas konfirmimit nga Senati të zotit John Kerry si Sekretar i Shtetit, Presidenti Barack Obama është duke pritur edhe konfirmimin e disa kandidatëve të tjerë të kabinetit, duke përfshirë Chuck Hagel, si Sekretar i Mbrojtjes dhe Jack Lew si Sekretar i Thesarit. Por dekadat e fundit betejat politike për konfirmimet në Senat të propozimeve për kabinetin apo Gjykatën e Lartë kanë ardhur duke u ashpërsuar.
John Kerry, i zgjedhur nga Presidenti si sekretar shteti, gjatë seancës dëgjimore në Senat për konfirmimin e tij, ishte i shoqëruar nga zonja Hillary Clinton.
Sipas Kushtetutës amerikane, Senati miraton anëtarët e kabinetit qeverisës, të Gjykatës së Lartë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Si pjesë e procesit të konfirmimit, komisionet e Senatit zhvillojnë seanca dëgjimore për kandidatët kryesorë, gjatë të cilave mund të bëjnë pyetje senatorët e të dyja partive.
Seancat gjithashtu tërheqin protestues të rastit.
Kandidati për postin e Sekretarit të ardhshëm të Mbrojtjes, Chuck Hagel, po përballet me pyetje të vështira lidhur me Iranin, Izraelin dhe çështje të sigurisë kombëtare.
Gjatë seancës për konfirmim, Senatori Hagel i bëri thirrje Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura të mos ngutet në arritjen e përfundimeve, por të analizojë karrierën e tij në tërësi.
“I përmbahem atyre që kam thënë për një numër çështjesh. Por asnjë votë e vetme, asnjë citim i vetëm, asnjë deklaratë e vetme nuk përkufizon karrierën dhe bindjet e mia. Pikëpamjet e mia të përgjithshme nuk kanë ndryshuar kurrë: Amerika ka dhe duhet të vazhdojë të ketë ushtrinë më të fuqishme në botë dhe ne duhet të udhëheqim në komunitetin ndërkombëtar, duke u ballafaquar së bashku me kërcënimet dhe sfidat”.
Zoti Hagel, veteran i luftës në Vietnam, është kritikuar se është pro një qëndrimi më të butë ndaj Iranit dhe programit të tij bërthamor. Ai konsiderohet gjithashtu si një politikan jo shumë përkrahës i Izraelit.
Gjatë seancës dje zoti Hagel tha se është i përkushtuar për të mos lejuar që Irani të zotërojë armë bërthamore dhe se të gjitha opsionet janë të hapura.