Uashington / Bruksel / Prishtinë, 26 shtator 2021 – Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë së bashku me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të shtensiohet situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Radios Evropa e Lirë se është e rëndësishme që të shmangen veprimet që mund të rrisin tensionet.
“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.
SHBA-ja tha se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen në ditët në vijim, do të marrë pjesë edhe zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.
“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Më herët, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, bëri të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që gjatë javës së ardhshme të takohen në Bruksel për të diskutuar për çështjen e lirisë së lëvizjes.
Borrell theksoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja platformë për të adresuar çështjet e hapura mes palëve.
Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale dhe duke hequr bllokadat rrugore”.
Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të bllokuara që prej shtatë ditësh. Atje po qëndrojnë edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës, për të garantuar siguri për qytetarët dhe për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit.
Reagimi i Borrellit erdhi vetëm një ditë pas djegies së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmit me bomba ndaj Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Tëitter, Stoltenberg.
Të dielën, situata në pjesën veriore të Kosovës ka qenë e qetë. Ekipi i Radios Evropa e Lirë që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak raportoi se të dielënn në mëngjes dy avionë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovën.
(r.m.)