Myrto Uzuni po kthehet në një nga protagonistët kryesorë të ekipit hungarez të Ferencvarosh, teksa ditën e diel ka zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer kundër Ujpestit.
Sulmuesi kuqezi ka bërë mjaft mirë, teksa që në minutën e 5-të të takimit ka arritur të fitojë dhe t’i dhurojë skuadrës së tij një penallti, që do të ekzekutohej saktë nga Mmaee, duke kaluar në avantazh hungarezët. Pak minuta para fundit të pjesës së parë, shqiptari jep një asist për Nguen, i cili e shfrytëzon më së miri, duke e kthyer në gol.
Sulmuesi shqiptar, i cili është kthyer në një gjuetar golash me hungarezët e Ferencvarosh, arriti të gjejë rrugën e rrjetës dy herë, por goli i parë i shënuar në minutën e 81-të, iu anulua nga VAR-i, ndërsa gjashtë minuta më vonë, në minutën e 87-të të takimit shënon golin e tretë për ekipin e tij, që fitoi me rezultatin final 3-1.
Duket se kjo fundjavë ka folur shqip, teksa edhe futbollistë të tjerë të Kombëtares kanë bërë mirë me skuadrat e tyre në Europë, ku mesfushorët Bajrami e Selahi kanë shënuar, ndërsa Lenjani e Balliu kanë dhuruar asiste për shokët e skuadrave të tyre./FSHF