Nga Harry Bajraktari
Gjendja e rrezikshme e krijuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ka vetëm një fajtor, Beogradin dhe regjimine Presidentit Vuçiq.
Për dhjetë vjet me radhë, Serbia ia ka hequr targat çdo automjeti nga Kosova që hynte në territorin e saj. Kosova me të drejtë kishte njoftuar se do të bënte të njëjtën gjë. Megjithatë, në shtator 2016, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje që do ta shtynte me 5 vjet marrjen e masës reciproke. Tani pesë vitet kaluan dhe Kosova po zbaton masën ashtu si dhe Serbia. Në vend që të respektojë marrëveshjen që vetë ka nënshkruar, Serbia ka reaguar duke shkaktuar trazira me pakicën serbe në Kosovë dhe ka sjellë ushtrinë, armatimet e rënda, dhe avionë ushtarakë në kufi.
Nuk mund të ketë justifikim për këtë sjellje të Serbisë. Është një tensionim i fabrikuar nga Beogradi për të vënë në provë tolerancën e komunitetit ndërkombëtar, NATO-s dhe Kosovës. Serbisë po i afrohet edhe data e zgjedhjeve dhe Vuçiqi ka nevojë për një krizë për llogarityë e tij të brendshme politike.
Çfarëdo që të jenë arsyet e Vuçiqit, ajo që po ndodh pranë kufirit të Serbisë është asgjë më pak se një kërcënim me aggression ushtarak kundër Kosovës dhe duhet të na shqetësojë.
Sot, Kosova ka nevojë për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen tonë. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë gjithmonë në vijën e parë të frontit sa herë që ka pasur nevojë Kosova, që nga koha kur pakkush në botë ia dinte emrin. Duhet të bashkojmë përsëri forcat dhe të dëshmojnë focën tonë. Shqiptarët kudo ku jetojnë në atdhe dhe në botë duhet të bëjnë të njëjtën gjë.
Ka ardhur koha që t’i tregojmë Serbisë se Kosova nuk është vetëm. Se miliona shqiptarë kudo ku jetojnë do të jenë në krah të Kosovës. Kjo vlen edhe për liderët politikë shqiptarë të Ballkanit. Ishte gjë e mirë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi Kosovën dhe tha se Kosova kishte të drejtë në këtë përplasje. Mirëpo, kjo nuk mjafton. Ai duhet t’ia bëjë të qartë Vuçiqit se nuk do të ketë Ballkan të Hapur me një Serbi agresore që kërcënon fqinjët e saj me dhunë. Përndryshe ato që tha në Prishtinë do të mbeten fjalë boshe.
Ka ardhur koha që t’ia tregojmë Serbisë se nuk mund të tallet me Kosovën dhe nuk mund ta provokojë pa marrë përgjigje dhe pasoja nga bota shqiptare dhe aleatët tanë.
Në fakt, përgjigjia nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi European ka qenë e dobët. Ata ende bëjnë thirrje të dy palëve që të ulin tensionet, mirëpo vetëm Serbia po përdor ushtrinë dhe po kërcënon me konflikt ndërkombëtar. Kosova thjesht ka bërë çfarë do të bënte çdo shtet tjetër. Nëse Serbia nuk ia njeh targat Kosovës, pse duhet t’ia njohë Kosova targat Serbisë?
Aleatët tanë dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar e njohin pavarësinë e Kosovës. Prandaj, ata duhet ta trajtojnë Kosovën si një vend sovran që ka të drejtë të vendosë se çfarë ndodh brenda kufijve të saj.
Ndryshe nga Serbia, që qeveriset nga një diktator, Kosova ka demokracinë më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka dëshmuar se është një fakjor i paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Ky është vendi që më së miri përfaqëson vlerat demokratike të Perëndimit. Atëhere pse ky hezitim tani kur vjen momenti i provës?
SHBA dhe BE janë përpjekur marrin me të mirë Serbinë prej vitesh duke shpresuar se do të kthehet në gjirin e Perëndimit, por kjo vetëm sa e ka inkurajuar Vuçiqin që të tregohet më agresiv me fqinjët e tij, Malin e Zi, Bosnjen, dhe tani me Kosovën. Dy propozime për normalizim të situatës në kufi që ka paraqitur BE dhe KFOR-i janë pranuar nga kryeministri Albin Kurti, por janë refuzuar nga Serbia.
Ndërkohë, Rusia ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar për Serbinë. Shtetet e Bashkuara dhe NATO duhet t’i japin fund paanshmërisë së tyre të kotë dhe të radhiten me fuqinë e tyre përkrah Kosovës. Serbia ka treguar shumë herë se kupton vetën gjuhën e forcës.
U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të tregojmë vendosmërinë tonë për të qenë në krah të Kosovës. Të ndalet menjëherë agresioni serb ndaj Kosovës!