Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), çeli sot ditën e parë të Kuvendit parë të saj me temën: “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”
Kuvendi i cili nisi sot ditën e parë do të vijojë edhe në datat 28 dhe 29 shtator 2021.
Të ftuar në këtë takim janë kumtues me emër e reputacion të spikatur në mjedisin studimor të këtyre lëmive, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kuvendi u çel me fjalën e drejtoreshës së QSPA Diana Kastrati, e cila theksoi se studimet e QSPA do të vijojnë, njësoi si vijimësia e vetë komunitetit arbëresh: “Sot i jemi mirënjohës arbëreshëve që ruajtën me fanatizëm gjuhën dhe traditës shqiptare ndër vite, gjithashtu mirënjohje për studiuesit akademik dhe të pranishmëve sot në këtë kuvend të rëndësishëm. Për ne ishte përgjegjësi e madhe të jemi i pari institucion dedikuar studimeve arbëreshe, ndaj kemi punuar shumë për të arritur në këtë ditë. Studimet tona do të kenë gjithmonë vijimësi, sepse vijimësi ka pasur dhe komuniteti arbëresh dhe është sot ai që është.”
I pranishëm zv/ministri i arsimit Oltion Rrumbullakutheksoi se mbetet detyrë e institucioneve që të evidentojmë edhe më shumë komunitetin arbëresh për kontributin e tyre ndër vite. Ai theksoi se arbëreshët kanë ndihmuar për të ruajtur rrënjët e tyre edhe kur shteti shqiptar ndoshta nuk ishte pranë tyre aq sa duhet.
Kuvendin e nderoi me praninë e tij edhe Ambasadori italian në Shqipëri Alberto Cutillo “Për mua është një nder të jem këtu dhe të përfaqësoj Ambasadën Italiane në këtë kuvend dedikuar arbëreshëve. Sigurisht tani është koha që Shqipëria të ndihmojë popullin arbëresh të ruajë dhe të kultivojë gjuhën shqipe. Kjo është e mundur tashmë edhe me rregullat e reja në Itali lidhur me njohjen e gjuhëve të minoriteteve”.
Albanologu Aleksandër Novaj theksoi se studimi i Diasporës Shqiptare është shumë i veçantë: “Kam realizuar shumë studime, edhe në fshatrat arbëreshe dhe mendoj se studimi i Diasporës Shqiptare është shumë i veçantë dhe i rëndësishëm. Gjithashtu kam takuar edhe shqiptarë në Bullgari të cilët kanë arritur të ruajnë ndër shekuj gjuhën shqipe. Shpresoj që ky Kuvend të krijojë një traditë të përvitshme”.
Pas përshëndetjeve pjesa e parë e seancës së parë të Kuvendit u moderua nga studiueset Klara Kodra dhe Evalda Paci.
Kumtesa e parë e parë u mbajt nga profesor Ymer Çiraku me temë “Studiuesit shqiptarë për letërsinë e arbëreshëve të Italisë”.
“Letërsia e Arbëreshëve përbëjnë një fond të rëndësishëm në gjuhën shqipe. Veprat të shumta vendosën gurë themeli në lëvrimin e poezisë shqipe. Letërsia e Arbëreshëve të Italisë ka zgjuar interes nga vetë studiuesit e këtij komuniteti, të cilët deri në ditët e sotme kanë sjellë studime të vlefshme dhe kanë sjellë modele të vyera. Gjithashtu interesi ka qenë i madh edhe përtej botës arbëreshe”, shprehet në kumtesën e tij profesor Çiraku.
“Gazeta Diaspora Shqiptare”