Mirazhi i Qytetit Wilson

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e shtatë

 

Nga Ylli Polovina

Fan Noli, edhe pse deri në fund të jetës së tij nuk rezultoi të qe pajisur me të gjitha virtutet e veset e politikanit të suksesshëm, madje në kushtet shqiptare tregoi mangësi të rëndësishme, fjalimin e tij himn për Uodrou Uillsonin e kreu me qëllime të shumëfishta. Mes gjithë të zgjedhurve të Asamblesë Kushtetuese ai njihej me statusin special të deputetit të Amerikës. Në parlamentin e parë shqiptar të mbajtur menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, fundmars 1920, ai përfaqësonte diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ai qe njeriu numër një i “Vatrës”, çfarë ato çaste donte të thoshte se zotëronte autoritetin e kreut të lobingut më të madh të bashkëkombësve të tij pranë Shtëpisë së Bardhë.
Takimin e tij personal me Uillsonin Noli nuk e përmendi si thjesht histori apo si vetëm dëshmi e kontributit të presidentit amerikan për Shqipërinë. Në atë sallë ai e kishte atë kapitalin më të madh politik. Në një farë mënyre në statusin e tij nuk kishte një të dytë. Askush nuk mund të barazitej me të, as edhe Ahmet Zogu, prej disa viteve rresht, i ngjizur fort në mjedisin e vendit të vet, një rival triumfues, ushtrues i shumë i qartë dhe konkret i politikës.
Sepse në atë kuvend kushtetues Fan Noli qe i pari me të drejta ekskluzive për të folur për presidentin amerikan pas tij askush tjetër nuk pati shkëlqim. Dita e 11 shkurtit ishte dita e tij. Në fjalën e tij shumë të sinqertë Noli nuk harroi qëllimisht t’ua kujtojë kolegëve dhe opinionit publik se në biografinë e tij politike përveç takimit me Uillsonin kishte edhe një ngjarje shumë të veçantë, të paposeduar nga kurrkush tjetër. Si Ministër i Jashtëm i vendit të vet ai pati qënë në Gjenevë në ditët e orët historike kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë”, shqiptoi solemnisht në Asamble, “dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson”.
Do të kemi rast më pas të depërtojmë më në brendësi të tezës debatuese sa i majtë ishte Noli dhe sa afër Vladimit Iliç Leninit qëndronte ai, sa prouillsonian ndihej dhe besonte se qe.
Në atë 11 shkurt 1924, ndërsa në Tiranë shkëlqente ylli i tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë pas largimit të Fan Nolit me cilësinë e figurës së parë të diasporës së fuqishme shqiptare, nuk rrinte duarkryq edhe një tjetër protagonist i dorës së parë: Faik Konica.
Përveçse politikan i përkushtuar për kombin, por për të rrokur në histori vendin e të parit të shqiptarëve dhe themeluesit të pavarësimit mjaft rivalizues deri edhe me Ismail Qemalin, përveç se edhe mjeshtër i përdorimit të polemikës me gojë dhe me letër, ai vinte prej një familjeje të pasur dhe me ofiqin osman të beut, pra në kushtet e barasvlefshme të titujve fisnikërorë të Evropës me atë të kontit.
Vdekja e presidentit Uillson qe edhe për Konicën një ngjarje shumë e hidhur, mjaft pikëlluese. Ndërkohë ai nuk mund ta anashkalonte këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare pa dëshmuar edhe gjestin e vet të adhurimit. Bashkëkombësit e tij në ShBA, por edhe përtej oqeanit, në viset e tyre, e çmonin shumë një sjellje të tillë. Faik Konica mendonte se proamerikanizmi nuk mund të jepte konsensus të gjërë vetëm për Fan Nolin. Dëshironte edhe ai të merrte pjesën e vet.
“Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton”, deklaroi ai dhe gazeta “Dielli” e “Vatrës” e botoi dukshëm, “se ç’borç të madh i kemi Wilson-it. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit të tij i detyrohet kryesisht Wilson-it, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë”.
Fraza është e fortë, jo shumë “e edukuar”, por Konica nuk e ka me ndonjë mendësi reale të bashkëkombësve të vet. Ai nuk beson se mes shqiptarëve gjenden shumë syresh që nuk e dinë se Udrou Uillsoni ka qenë mbrojtësi i sovranitetit dhe i vetë ekzistencës së shtetit të tyre. Shprehjen me inat polemik e ka formal, të ndërtuar ashtu vetëm për të nxjerrë në pah rolin e pazakonshëm të presidentit amerikan, vepër të cilën ndërsa nuk ishte më në jetë, të gjithë duhet ta gdhendnin e ngulitnin në kujtesën kombëtare.
“Shqipëria ishte dënuar me vdekje”, kumboi idenë e tij Faik Konica, “Dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilson-it…Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilson-i duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin”.
Konica si edhe Noli, edhe pse si protagonistë politikë në qëndrimet e tyre u duhej të llogarisin përfitime elektorale, janë shumë të sinqertë në opinionin e tyre për Udrou Uillsonin. Ilir Ikonomi në librin e tij të botuar së fundi në Tiranë “Faik Konica, jeta në Uashington”, i jep reliev posaçërisht një episodi i cili duhet të ketë ngjarë në 25 tetor 1926. Pasi në 8 tetor i pati paraqitur presidentit amerikan Coolidge letrat kredenciale me të cilat Ahmet Zogu e kishte emëruar të Dërguar të Jashtzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai kreu një veprim që ra në sy dhe përbëri lajm në edicionin e 26 tetorit të “The Washington Post”. Me një kurorë me diametër një metër Konica shkoi në varrin e Uillsonit, në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, dhe e vendosi mbi të. Ajo qe thurrur me trendafila rozë dhe të bardhë dhe në shirit qe shkruar shumë shkurt, por tepër në mënyrë kuptimplote: “Nga Republika Shqiptare”.
“Kjo ishte një ndër kurorat më të mëdha të vendosura ndonjëherë në varrin e Wilsonit dhe la mbresë te njerëzit e Katedrales”, thekson Ilir Ikonomi.
Më shumë se dy vite të shkuara, në 12 mars 1924, për të nderuar presidentin amerikan të ndarë nga jeta ato kohë Faik Konica kishte përdorur një kurorë tjetër. Njëqind trëndafila, pesëdhjetë me ngjyrë të kuqe dhe po aq të bardhë, të lidhura edhe me një kordele me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ia dërgoi të vesë, zonjës Edith Bollin Galt Wilson. Në shiritin përkushtues pati shkruar me dorë “From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets”. Në telegramin shoqërues të gjithë ndjenjën e homazhit special për presidentin amerikan e pati rreshtuar me fjalët elegante “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve”.
Por me deklarimin e tij të vazhdueshëm publik në spikatje të Uillsonit dhe të përkushtimit personal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka i nevojitej për të realizuar projektet e veta politike, Konica nuk harronte asnjëherë të nxirrte në pah se kjo lidhje e fortë shpirtërore ishte e gjithë shqiptarëve, pra qe masive, mendësi e prirje kombëtare. Edhe Fan Noli nuk e kishte shmangur asnjëherë pohimin e kësaj vetie popullore.
Megjithatë në “garën” mes të dyve, sepse shpallja si shqiptar i pasionuar proamerikan edhe këtë pamje mori, Faik Konica ja kaloi Fan Nolit. Vërtet fjalimi panegjerik i 11 shkurtit ishte një kulmim, por nuk mbetej më poshtë edhe kurora me njëqind trendafilat. Ndërkohë njeriu i parë i “Vatrës”, me pak fjalë udhëheqësi atë vit të ngatërruar shqiptar 1924, kreu më pas një sfidë të madhe, pothuaj monumentale. Konica propozoi që një qyteti shqiptar t’i vihej emri i presidentit të paharruar amerikan.
E zgjodhi cilit vendbanim do t’i hiqej emri i deri atëhershëm: Shëngjinit ose Sarandës.
Sigurisht qe mbajtur fjalimi himnizues i Nolit dhe dërguar kurora e madhe me njëqind trendafila të kuq e të bardhë, kur nga Bostoni, në emër të “Vatrës”, drejt Tiranës u nis një kabllogram. I drejtohej Asamblesë Kushtetuese dhe thoshte “Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar’ i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: Faik Konitza”.
Ideja e ardhur nga diaspora e madhe në ShBA u prit mes deputetëve me konsensus të plotë. Studiuesit e historisë së kësaj periudhe nuk kanë gjetur ose të paktën nuk i kanë paraqitur opinionit publik shqiptar një person apo dëshmi kundërshtuese. Në atë Asamble Kushtetuese ku lufta politike ishte në fazën e kacafytjes dhe ku brenda godinës së saj ishte kryer edhe një atentat kundër kryeministrit, Ahmet Zogut, rënia dakord qe e plotë.
Në historinë tonë ky mund të konsiderohet edhe çasti më suprem i adhurimit shqiptar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka krahasim me ngjarje tjetër të njëllojtë. Duket një dëshmi tjetër po kaq frenetike vetëm turma e madhe popullore që në prag të pranverës 1991, duke manifestuar pothuaj delir, priti nëpër rrugët e sheshet e Tiranës Sekretarin Xhejms Bejker.
Mirëpo çfarë kishte propozuar Faik Konica dhe miratuar njëzëshëm kuvendi parlamentar shqiptar nuk gjeti dot zbatim të menjëhershëm, siç e lypte përmasa e shprehjes konkrete të nderimit për Udrou Uillsonin dhe po ashtu dëshirohej nga të gjithë, i madh dhe i vogël. Atentati ndaj Avni Rustemit dhe pas dy ditësh lëngimi vdekja e tij e fundosën jetën e vendit në një rrjedhë krejt të paparashikuar e të paditur, në një përballje politike të armatosur.
Gjithsesi, sapo kjo luftë u fashit me marrjen e pushtetit nga Fan Noli dhe ndërsa Ahmet Zogu i dëbuar ndodhej në Jugosllavi në ditët e para të riorganizimit për t’u rikthyer në Tiranë si i pari i vendit, Këshilli i Ministrave në 9 gusht 1924 mori vendimin e tij me numër katërqind e tetëmbëdhjetë. Ai i drejtohej Fak Konicës dhe thoshte “Në përgjigje të shkresës s’uej nr 1250…,
Ky Këshill mbas vendimit të Këshillit Ministruer nr 418 me 9 gusht 1924, mbi propozimin e kryetarit të “Vatrës” të bamun në Kuvendin Kushtetues, dekretojti ndërrimin e emnit të Shengjinit në Willson. Për Këshillin e Naltë të Shtetit Shqiptar, Kryeministri F.S.Noli”.
Kur kabllogrami i u nis “Vatrës” qe 21 gusht. Ndërkohë vendimi për shpalljen e një qyteti të vjetër autokton me emrin e presidentit amerikan, i pandodhur me ndonjë nofkë sulltani as në pesëqind vitet e perandorisë osmane, iu dërgua për dijeni edhe të gjitha prefekturave.
Prej tyre drejt Tiranës nuk erdhi asnjë mospranim apo dyshim se proçesi i ndërrimit të emrit Shën Gjin në Uillson mund të mos ja delte dot. Shqiptarët e kishin një prijës të madh, shprehësin më të qartë të identitetit të tyre, Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe askush nuk kishte sipërmarrë një gjest të tillë emërtimi toponimistik si me presidentin amerikan.
Doemos ishin dakort të gjithë që dëshira e re të vihej në jetë. Adhurimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i patronditur as edhe kur në Asamblenë Kushtetuese u kërkua të mbahej pesë minuta heshtje për Vladimir Iliç Leninin, me këtë rast shënoi një zenit të paparë.
Veç me sa dukej hapi qe tepër i madh dhe i pallogaritur mirë. Tjetër gjë është respekti i veçantë, po ashtu edhe adhurimi, por kur nis kulti gjërat rrjedhin në të kundërt.
(Vijon)
Tiranë, më 28 qershor 2011