Rilind Gërvalla
“…Talebanët tani pretendojnë se kanë nën kontroll rreth 90% të territorit afgan me mbi 50 mijë luftëtarë, më shumë sesa kishte në vitin 1996 kur erdhi në pushtet për herë të parë…”
Afganët?! – Posa përmendim afganët, reagimet e para të bashkëbiseduesve do të jenë për luftën, talebanët, terrorizmin dhe refugjatët.
Ky identitet cilësues për një popull, i krijuar kryesisht nga fuqitë e mëdha, pra nga politika dhe mediet, është shpeshherë i gabueshëm dhe niset nga argumentet e dobëta që nuk dinë të ndajnë regjimin e okupimet prej popullit që ka historitë e kulturat e veta dhe që dëshiron, si shumëkush në botë, paqe e vetëqeverisje.
Në fakt, Afganistani i sotëm është shtet 40 milionësh në kufijtë e tij, por edhe me një popullatë prej afër 15 milionëve të shpërndarë në shtetet fqinje, Iran dhe Pakistan, si dhe në mërgatën e kohës së pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në vitet e 80-ta.
Pa u zgjeruar shumë për të kaluarën, duke filluar vetëm nga shekulli i XIX e këtej, interesat ruse dhe ato perëndimore ishin të qarta rreth Afganistanit. Perëndimi konsideronte se ish-kolonitë britanike, më specifikisht India, viheshin në rrezik nga sovjetikët, nëse ata e ruanin ndikimin e madh politik mbi Afganistanin.
Sovjetikët kishin interesa edhe për burimet nëntokësore të Afganistanit, minierat, puset e naftës dhe gazit natyror, dhe në fakt Bashkimi Sovjetik filloi importimin e gazit gjatë viteve të 60-ta.
Po, ç’është ky vend ku përplasen civilizimet me një popullatë fisesh me përpjekje të vazhdueshme për të qeverisur vetë e kurrë i lënë rehat nga okupimet dhe interesat e huaja?!
Afganistani i sotëm është komb shumetnik e mbi 99% të banorëve janë të fesë islame. Rreth 90% janë Suni, ndërsa 10% janë Shia. I gjendur në Azinë qendrore, Afganistani ka 34 krahina administrative (Vilajete), secila krahinë ka kryeqendrën e saj. Kryeqyteti i Afganistanit është Kabuli dhe ka rreth 5 milion banorë.
Afganistani nuk ka dalje në det, por ka disa lumenj shumë të mëdhenj që burojnë në vend. Dy prej tyre rrjedhin drejt Iranit, Lumi “Harirud” dhe “Helmand”, një i tretë, “Amu Daria” shkon drejt Turkmenistanit, ndërsa lumi “Kabul” rrjedh drejt Pakistanit. Në lumenj mund të lundrojnë vaporë të mëdhenj për transporte mallrash. Këta lumenj janë përdorur që nga gjeneralët e profetit Muhamed e deri te koha e Marko Polos. Besohet se nëpër ato lugina lumenjsh kanë udhëtuar edhe pushtuesit e mëdhenj, Aleksandri i Madh, Xhingiz Kan, si dhe mbretër e perandorë të ndryshëm që kanë lënë gjurmë.
Rreth dy të tretat e territorit afgan është me relief malor, ndërsa popullata banon kryesisht në lugina. Maja më e lartë është ajo e malit Noshak me lartësi mbidetare 7692 metra e që gjendet në kufi me Pakistanin.
Popullata shumicë në Afganistan flet gjuhët pashtune dhe persishten Dari. Që të dy gjuhët vijnë nga dega indo-evropiane e gjuhëve dhe janë dialekte të ngjashme posi persishtja Farsi që flitet në Iran, e që të tria kanë rrënjët nga persishtja e vjetër.
Meqenëse Pashtunishtja dhe Dari fliten në të njëjtin rajon gjeografik, folësit e njërës gjuhë shumë shpesh janë të ndikuar nga dialekti tjetër. Shumica e qyteteve të mëdha në Afganistan, pra e folësve vendas flasin Pashtunisht, ndërsa Darin si gjuhë të dytë, por shumë pak folës të Darit mund të flasin edhe Pashtu. Gjithashtu, në Afganistan flitet gjuha Taxhike, e ngjashme me të folurën në Iran dhe ajo Uzbeke që ka rrënjët nga turqishtja.
Ky vend me histori shumë të komplikuar, por të lashtë, me shumë okupime e ndërrim pushtetesh, sipas të dhënave të ushtrisë amerikane të vitit 2010, ka popullatë të përzier me mbi 40% pashtunë, taxhikët me mbi 27%, hazarët me mbi 9%, Uzbekët me rreth 9% dhe komunitetet e vogla me rreth 5%.
Pashtunët kanë qenë historikisht komuniteti më i fuqishëm në vend dhe janë të vendosur kryesisht në pjesët jugore dhe juglindore të vendit, disa madje edhe në Pakistan. Që të dy presidentët Hamid Karzai dhe Ashraf Gani gjatë pushtimit amerikan i përkisnin mu këtij grupi etnik.
Taxhikët që flasin gjuhën Dari banojnë në pjesët veriore dhe perëndimore të vendit, kryesisht në luginën Panjshir, dhe kanë luajtur një rol bosht në luftën kundër rusëve. Por, taxhikët kanë rezistuar edhe kundër talebanëve në vitet 80-ta, e edhe në ditët e sotme.
Komuniteti Hazara mbase është ndër etnitë që ka përjetuar më së shumti dhunë ndëretnike për shkak se i takon grupit mysliman Shiit. Edhe pse Afganistani historikisht është vend i varfër, rajoni Hazarajat gjithmonë ka qenë ndër më të varfrit në secilin pushtet, e sidomos gjatë talebanëve.
Ndërsa uzbekët që jetojnë në veri të vendit, që udhëhiqeshin nga Abul Rashid Dostumi, i cili ka ndërruar shpesh anët duke luftuar fillimisht në anën e sovjetëve, më pas iu ka bashkangjitur muxhahedinëve e kur Afganistani u pushtua, Dostumi u emërua zëvendës i presidentit Gani.
Por, pavarësisht etnive, fraksioneve politike, kulturave e dialekteve të ndryshme, nuk ka asnjë forcë separatiste të ndonjë krahine në Afganistan, por ka kërkesa nga disa fraksione të talebanëve për formimin e pashtunistanit, një pjesë e së cilës është në territorin e Pakistanit.
Por si u bë që një vend i varfër përmbi dhe, por me pasuri të jashtëzakonshme nëntokësore, me moshën mesatare nën 20 vjeç, u pushtua shumë herë, me këtë popullatë kishte parë ushtritë të vinin e shkonin, por besnikëria ndaj vendit nuk iu ndryshua as nga paratë, as nga ndikimet ideologjike e as interesat e huaja?!
Afganistani në 34 vilajetet e tij është i rregulluar me një administratë qarqesh që kanë mbi 1 mijë fshatra dhe qeverisen nga guvernatorët krahinorë e që shumë prej tyre janë ish-komandantë të luftërave. Qarqet administrative kanë distriktet dhe sipas Zyrës së statistikave në Afganistan janë mbi 400 distrikte në tërë Afganistanin e në këto distrikte rol të madh kanë edhe fiset.
Duke ditur se në shoqëritë patriarkale, në familje roli i burrave është mbizotërues në vendimmarrje, edhe vendimet krahinore ndikohen nga ta.
Si duket, këtë mendësi fisnore e shfrytëzuan talebanët për të zgjeruar ndikimin e pushtetit të tyre në shumicën e krahinave afgane.
Përmes një Kanuni me kode të sjelljes dhe ndëshkimit, udhëheqja talebane mban nën kontroll qytetet kryesore, doganat, mbjelljen e hashashit, përpunimin e heroinës, gazin natyror, përpunimin e naftës si dhe minierat legale dhe ato ilegale.
Talebanët ndjekin shkollën juridike që bazohej në kodin fisnor të Pashtunëve dhe interpretimet e Sheriatit nga prizmi i doktrinave vehabiste që dominonin dikur në medresetë e Arabisë Saudite dhe Pakistanit.
Udhëheqja e re talebane hierarkike është treguar e përshtatshme ndaj situatave, si atyre fisnore të brendshme po ashtu edhe diplomatike. Ndër organet më të fuqishme është komisioni ushtarak, i cili emëron guvernatorët dhe komandantët në provincat e Afganistanit.
Komisioni politik i talebanëve mbajti bisedime me negociatorët amerikanë për një marrëveshje paqeje në shkurt të 2021 në Katar. Kjo marrëveshje paqeje ishte bazë për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani pas 20 vitesh okupim. Por, njollë e zezë për talebanët do jenë sulmet e 11 shtatorit 2001 në Amerikë, ku u hodh poshtë kërkesa për ekstradimin e Osama Bin Ladenit e që solli forcat e NATO-s të drejtuara nga SHBA ta okupojnë Afganistanin.
Shtetet e Bashkuara së pari deklaruan se ishin të vendosura të qëndronin në Afganistan derisa të gjenin Osama Bin Ladenin, por edhe të siguronin një të ardhme për Afganistanin. Dhjetë vjet pasi forcat amerikane zbarkuan në Afganistan, Osama Bin Laden u vra. E pas 20 viteve, trupat ushtarake amerikane tërhiqen nga Afganistani ku lirojnë terren për talebanët që të rikthehen në pushtet.
Së fundmi, talebanët pretendojnë se kanë nën kontroll rreth 90% të territorit afgan me mbi 50 mijë luftëtarë, më shumë sesa kishte në vitin 1996 kur erdhi në pushtet për herë të parë.
Marrëveshja e paqes e nënshkruar nga SHBA kishte disa kushte për talebanët. Ndër ato ishte shkëputja e lidhjeve me organizatat e shpallura terroriste nga SHBA, të mbrojnë të drejtat e grave dhe komuniteteve. Por, talebanët ranë dakord që të drejtat e grave të mbrohen sipas Sheriatit dhe të kenë një qeveri të bazuar në Kanunin afgan si një republikë islamike.
Kultura e tyre dikur prezantohej nga poetët, nga pleqnarët e fiseve dhe muzikantët e saj, por tani është bërë më e njohur për luftëtarët dhe fanatikët e saj fetarë.
Poezia në Afganistan, si në Persishte ashtu edhe në Pashtu, daton me mijëra vjet. Poeti më i famshëm persian Rumi ka lindur në Balkh të Afganistanit të sotëm, qytet ky i feve të vjetra të Zoroastrianizmit dhe Budizmit. Poeti më i famshëm Pashtun konsiderohet të jetë Khushal Khan Khattak, i cili cilësohet edhe si poeti kombëtar i Afganistanit. Ky vend që akuzohet për dhunën ndaj gruas dhe diskriminimin gjinor kishte ndër poetët më të mirë edhe një grua, Rabia Balkhi. Të gjithë këta poetë kanë shkruar shpirtërisht për njeriun, Zotin, paqen, nderin, dashurinë, dhembjen dhe përditshmërinë, gjë që sot fatkeqësisht nuk shihet të ketë motivuar dikë në Afganistan.
Çdo ditë dhjetëra gra aktiviste protestojnë gjithandej Afganistanit. Ato kërkojnë kthimin në vendin e punës, por që regjimi taleban ua refuzoi duke u thënë që të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Akuzat për diskriminim të grave, poetëve, muzikantëve, gazetarëve, udhëheqësve të shoqërisë civile mohohen nga talebanët, mirëpo nga terreni gazetarët raportojnë për ekzekutime dhe shtypja e protestave paqësore.
E teksa një popull me diversitet e kulturë përpiqet me protesta të fitojë të drejtat e veta, disa qytetarë shprehin haptazi frikën se mos talebanët gëzojnë mbështetje të fshehtë perëndimore, si faktorë që do të mund të destabilizonin regjionin ujgur të Kinës apo me sunitët e Iranit.
Populli afgan vështroi me dhimbje për më se 20 vjet se si perëndimi përkrahu qeveritarë të korruptuar për arsye strategjike, e tash nuk do të dëshironte të shihte mbështetje, sërish për arsye strategjike, të një udhëheqësie që imponon dhunë, shkelje të të drejtave të grave, ekzekutim të gazetarëve dhe të atyre që mendojnë ndryshe.