Opozita në Kosovë e kritikon qeverinë për marrëveshjen për targat

Prishtinë, 1 tetor 2021 – Opozita në Kosovë e ka kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjen për shtendosjen esituatës në pjesën veriore të Kosovës, të arritur të enjten në Bruksel.

Tri partitë parlamentare në opozitë kanë thënë se, me këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se kjo marrëveshje përbën një regres për Kosovën dhe e forcon më shumë pozicionin e Serbisë.

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim se marrëveshja e arritur nga Qeveria e Kosovës në Bruksel, siç u raportua në media, përbën një regres për Kosovën dhe e forcon më shumë pozicionin e Serbisë.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur vendimin e Qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, por tërheqja e saj nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme.

Largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe rikthimi i KFOR-it – duke marrë përsipër detyra të rendit publik dhe kontrollit të kufirit që i takojnë policisë, përbën një kthim prapa për institucionet tona të pavarura shtetërore dhe dëmton rolin kushtetues të Policisë së Kosovës. Ky zhvillim përbën një njollë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet i konsoliduar i pavarur dhe sovran.

Për më tepër, duke pranuar një tërheqje të sinkronizuar të Policisë së Kosovës dhe barrikaduesve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, Qeveria aktuale de facto i ka konsideruar ata si të barabartë, duke nëpërkëmbur kështu dinjitetin e autoriteteve tona shtetërore të sigurisë. Duke i trajtuar njësoj me barrikaduesit, kjo Qeveri ka fyer forcat speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë patriotike. Jo vetëm kaq, por nga sot barrikadat janë përligjur si mjet efikas për përparimin e interesave të Serbisë në Kosovë.

Gjithashtu, duhet sqaruar se, ndryshe nga deklaratat dezinformuese qeveritare për vendosje të reciprocitetit, pranimi i mbulimit të pjesëve specifike të targave është konfirmim i marrëveshjes tashmë të arritur në Bruksel në vitin 2016. Bëhet fjalë për “Marrëveshjen teknike për lirinë e lëvizjes” të vitit 2011, të finalizuar në Bruksel më 14 shtator 2016, e cila u kundërshtua asokohe ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të japë shpjegime pse e shkaktoi gjithë atë tension të përshkallëzuar në veri, duke cenuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe duke e portretizuar Kosovën në opinionin ndërkombëtar si një vatër trazirash – vetëm për t’u rikthyer në një çështje të dakorduar që para 5 vjetësh.

Ajo që e bën edhe më problematike këtë marrëveshje është çështja e pranimit të targave ilegale KM dhe të ngjashme nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ky fakt përbën një dorëzim të sovranitetit dhe shpërblim të përpjekjeve të Serbisë për të mohuar shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës nëpërmjet lëshimit të targave ilegale serbe për territorin e shtetit tonë.

Ne përshëndesim përpjekjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët, pavarësisht se fillimisht u shpërfillën nga Qeveria e Kosovës, prapëseprapë na u gjendën pranë duke ndihmuar në de-eskalimin e situatës së tensionuar në veri. Njëkohësisht, kërkojmë që sa më parë të bëhen publike detajet e kësaj marrëveshjeje dhe të sqarohen të gjitha rrethanat për të cilat është ndërmarrë në veri një operacion i rrezikshëm e që ka rezultuar në një regres të shumanshëm të pozicionit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se Qeveria e Kosovës, nëë vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës e dorëzoi sovranitetin tek një palë e tretë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje ngjarjet në veri të vendit, që nga dita e parë e deri në ditën e sotme, kur u arrit marrëveshja në Bruksel.

LDK-ja i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, si dhe në çështjen e reciprocitetit, si masë e drejtë dhe e domosdoshme në relacionet politike e tregtare me Serbinë. Po ashtu, LDK-ja ka konsideruar se dialogu është formë e vetme e trajtimit të problemeve ndërshtetërore; së këndejmi pjesëmarrja në dialog e një partie sot në pushtet që për gjithë kauzën e vet historike e kishte kundërshtuar si mjet, ndonëse kthesë e jashtëzakonshme, ishte e vetme dhe e paalternativë.

Përkundër mbështetjes së opozitës, partia në pushtet, që deri dje refuzonte dialogun si mjet, sot bëri një hap para dy prapa. Ndonëse vlerësojmë arritjen e barazisë në trajtimin e targave, e kundërshtojmë fuqishëm barazimin e paprecedentë dhe me pasoja afatgjata që Qeveria e Republikës së Kosovës i bëri forcave të sigurisë e ligjshmërisë me barrikadat e sponsorizuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës, për herë të parë, barazoi Njësinë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. I bëri pra palë; palë me të cilën për territorin e vet duhet të merret vesh me Serbinë.

Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot, Qeveria e Kosovës, u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë. Për më tepër, këtë tërheqje e bëri në pajtim me Serbinë që nuk na njeh. Ky vend fqinj, Serbia pra, nga sot jep pëlqim ose jo mbi organizimin e ligjshëm të territorit të Kosovës. Pra pajtimi i Serbisë, se si rregullohet ligjshmëria në Kosovë, ku qëndrojnë Njësitë Policore e kur e në çfarë afati largohen ato, është prapakthim i rëndë. Mbi të gjitha, është precedent i rrezikshëm për të ardhmen; nga tani, sa herë që forcat e rendit shkojnë në Veri për të vënë ligjshmëri, barrikadat ngrihen e Kosova duhet të negociojë me Serbinë për largimin e tyre.

LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi. Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot.

LDK-ja vlerëson se sovraniteti i dorëzuar nuk mund të jetë sovranitet i ushtruar. Marrëveshja e sotme është marrëveshja e vitit 2016, e quajtur dikur “marrëveshje e turpit” nga po këta që e riaktivizuan sot, por e degraduar, meqë rendin dhe ligjin në veri më nuk mund ta ushtrojnë institucionet e Republikës së Kosovës pa i lejuar Serbia”, thuhet në deklaratën e LDK-s.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se me marrëveshjen e së enjtes, kryeministri Albin Kurti e ka kthyer Kosovën në periudhën e para pavarësisë.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, Haradinaj e ka quajtur kryeministrin Kurti të papërgjegjshëm.

“Në marrëveshjen për targat, Albin Kurti e ka goditur fort sovranitetin e vendit dhe karakterin unitar të shtetit. Ka vendosur që t’i kthejë targat ilegale të Serbisë, të cilat i kemi hequr dhjetë vjet më parë. Ka vendosur që territorin e veriut të Kosovës, ta trajtojë ndryshe nga pjesa tjetër e shtetit”, tha Haradinaj.

(r.m.)