NATO merr përsipër zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi për targat

Bruksel, 1 tetor 2021 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka garantuar implementimin efikas të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve, e cila u arrit të enjten, në Bruksel.

Stoltenberg është njoftuar me detajet e marrëveshjes nga emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin e NATO-s theksohet se marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e BE-së, e cila pritet të nisë të zbatohet të shtunë, është mirëpritur nga sekretari i NATO-s.

“Misioni ynë i KFOR-it luan rol kyç për sigurimin e implementimit efikas të kësaj marrëveshje dhe NATO-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar për stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur sekretari Stoltenberg.

Sipas njoftimit, Stoltenberg do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me liderët e dy shteteve për të theksuar nevojën për shtensionimin e situatës, për përmbajtje nga aktete e njëanshme e për kthim në dialog.

“NATO-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe çdo përpjekje tjetër me synim normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës si rrugën e vetme që çon në një marrëveshje të qëndrueshme politike dhe stabilitet për rajonin. Stoltenberg ka lavdëruar bashkëpunimin NATO-BE për Kosovën si shembull i shkëlqyeshëm i partneritetit strategjik në mes të dy organizatave”, thuhet në njoftim.

Sipas marrëveshjes së arritur të enjten në Bruksel, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen nga atje, njëkohësisht me heqjen e bllokadave të vendosura në rrugë nga grupe serbësh që kundërshtuan reciprocitetin për targat e automjeteve. Në vend të policisë speciale të Kosovës, nëdy vendkalimet kufitare do të vendosen pjesëtarët e KFOR-it.

Sipas marrëveshjes, simbolet shtetërore të targave të automjeteve do të mbulohen me letra ngjitëse, deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për targat.

,Në grup punues trepalësh – Kosovës, Serbisë e BE-së, që do të formohet së shpejti do të punojë për gjetjen e zgjidhjes së përhershme. Ky grupa ka 6 muaj kohë ta bëjë këtë.

(r.m.)