Elton Qyno
Ekzekutimi nga një 21 vjeçar me dy plumba pistolete “TT”, i nën/komisar, Saimir Hoxha, ishte si një rrufe në qiell të hapur për Policinë e Shtetit.
Ngjarja e Lezhës tregoi një ç’organizim të strukturës policore, jo vetëm në këtë qark ku brenda 9 muaj kanë mbetur të vrarë dy punonjës policie, por dhe në drejtoritë e tjera.
Tregoi një gjëndje letargjie, që ka kapur këtë strukture dhe revanshin që ka marë krimi i rrugës, në raport me përballjen e tij me efektivët e Policisë së Shtetit.
Tregoi se mbledhjet në kryeministri mes Drejtorave të Qarqeve, shefave të komisariateve, kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe Ardi Veliut, nuk kanë pirë asnjë pikë ujë.
E gjitha është bërë për propogantë, ose siç e thotë populli atë shprehjen për “Pordhë me rrigon”. Për të shfaqur me rregji qëndrore një mbledhje kortezie dhe nga aty të lëshohet një ultimatum 100 ditor nga “monarku” i shtetit, për Policinë e Shtetit.
Një ultimatum që më tepër e ve nën presion dhe e fut policinë në një punë aksionare, se sa në një strategji, metodologji dhe në një veprim me mëndjehollësi. Të mbrohet vetë, pastaj të veprojë e të sigurojë jetën e qytetarëe.
Të hetojë pa presion dhe me inteligjencë dhe jo njëra strukturë të spiunojë strukturën tjetër. Jo Drejtori Ardi Veliu, të spiunojë ministrin, shefi i komisariatit të spiunojë drejtorin e qarkut apo anasjelltas dhe ky zinxhir spiunash, të shkojë deri në nivelin bazë.
Një skemë kush t’ja fusë më shumë njëri-tjetrit dhe kush të bëjë statistika të kota, për të kapur ndonjë pozicion më të mirë e për të marë një ritje grade.
Gradat në polici, janë bërë sikur ndahen kumbllat.
Policia duhet të kalojë në një organizim të strukturave dhe departamenteve, ku të nevojiten byro të caktuara dhe Task-Forca të posaçme, që të meren me thelbin e problemit dhe jo me aksione revulucionare në 100 ditësha e 100 ditësha.
Mos shitet më në publik, transferimi i drejtorave nga njëri qark në tjetri si reformë. Jo kjo nuk është punë, ky është turp. Drejtora që ndërojnë, vetëm karriget me njëri-tjetrin.
Ka dy ditë që shoqëria shqiptare, vajton ikjen tragjike të nën/komisar Saimir Hoxha.
Mes rebeshin të shiut, die u ngul në murin e kujtesës ylli i 225 i “Dëshmorit të Atdheut”. E kemi nisur statistikën e dëshmorëve me Arben Ujkan, efktivin e RENEA-s dhe sot kemi arritur tek Saimiri. Kurrë mos paçim të tilla lajme.
E dhimbshme është se si politika i trajton këto ngjarje. Një lumë reagimesh vijnë në revanshin e kortezisë. Shumë vendime meren në kohë rekord, dëmshpërblime, premtime e çfarë do lloji. Të gjitha bëhen për ti lehtësuar dhimbjen familjarëve dhe propogandën e qeverisë se “…dëgjo ne do jemi pranë jush, nuk ju harrojmë, keni falas këtë e keni falas atë…”.
Edhe më e forta, që të bente për të qarë e për të qeshur, ishte vendimi i parë i qeverisë i prezantuar nga ministri Blendi Çuçi, i cili tha se mes shumë benefiteve që fitonte familja e Saimir Hoxhës, ishte dhe fakti se do merte shërbimin mjekësor falas.
Ky ishte kulmi. Po këtyre qysh në 2013, kur para se të mernin pushtetin e deri më sot, u doli gurmazi se shëndetësia në Shqipëri, është falas. Si tani dolën këto kriteret e reja?? Vritu njëherë, të shpallim dëshmor, pastaj anëtarët e familjes që le prapa, fitojnë shëndetësinë falas.
Ka tre ditë që dëgjuam zyrtarë e ish-zyrtarë që solidarizoheshin me dhimbjen e asaj ngjarje që ndodhi në Lezhë. Por nuk dëgjuam asnjë fjalë nga zyrtarët e politika, se çfarë u bëri policëve bark-dera, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
Cfarë ndëshkimi qoftë dhe moral i bënë bajraktarit, Pjerin Ndreu, që i vuri përpara policët se i kërkuan mbylljen e lokalit.
Asnjë fjalë, nuk u tha se çfarë po bëjnë për kapjen e autorit të efektivit të policisë Xhulio Prela. Në Lezhë u vra edhe ky, apo nuk ju kujtohet?
Asnjë fjalë për Xhulion, dhe asnjë kontroll për kapjen e autorit të vërtetë të vrasjes së tij në dhjetor 2020 në Lezhë.
Sot autori i vrasjes së Xhulios, bredh i lirë në qytet. Ndërsa pronari i makinës që përdori autori i vrasjes, ndodhet brenda në burg. Ndërsa i dyshuari i tretë për këtë ngjarje, qëndron i lirë në Turqi. Ku megjithëse ka shfaqur vullnetin për tu dorëzuar, në fakt ka 9 muaj nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Punonjësi i policisë Xhuljo Prela iku, autori qëndron i lirë në Lezhë, një i dyshuar qëndron në Turqi, ndërsa këta i thonë familjes së të ndjerit, se ju keni përfituar shërbim spitalor falas.
Dy ditë e dy netë, politika foli për policët në krye të detyrës. Por asnjë fjalë nuk dëgjova për ata 4 punonjës policie që u vranë në 7 gusht 2009 nga Dritan Dajti në Durrës.
Asnjë fjalë nuk thanë se pse ju shpëtoi ashtu si me marifet, Dritan Dajti. Si ja hodhi vigjilencës së kësaj policie dhe kësaj drejtësie, njeriu që ju vrau 4 policët që ishin në krye të detyrës dhe në aksion.
Pse e shpëtoi kjo politikë, Dritan Dajtin, nga burgimi përjetë dhe nuk ishte në gjëndje t’ia tregonte vendin e mos lejonte që ai të flirtonte me oligarkë të lidhur me pushtetin.
Pse nuk foli me zë të lartë, kjo politikë dashamirëse e policëve të rënë në krye të detyrës, se pse Dritan Dajti, ja bëri çorbë e dhallë gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, derisa u zgjodhën gjyqtarët që u deshën për ti bërë qokën. Për ti prishur vendimin me burg përjetë, e dënuar me 25 vite burgim.
Pse nuk flet kjo politikë dhe të angazhohet ky shtet e kjo polici për ti përshpejtuar gjyqin në Gjykatën e Lartë, Dritan Dajtit. Ka dy vite e 6 muaj, që rekursi i prokurorisë ka mbëritur në Gjykatën e Lartë, dhe askush nuk bën asnjë përçapje, për të futur dosjen në gjykim.
Prokuroria kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm, por dosja vijon të qëndrojë në koshin e çështjeve penale të gjyqtarit të sapo emëruar në Gjykatën e Lartë, Sandër Simoni.
Ka dy vite e 6 muaj që dosja e Dritan Dajtit është në fazën e studimit në Gjykatën e Lartë dhe çuditërisht nuk arrihet të fiksohet një datë gjykimi, për ta dënuar me burg përjetë apo me 25 vjet heqje lirie.
Ndryshe nga sa ndodhi me çështjen e Saimir Tahirit që Gjykata e Lartë përdori procedurë të përshpejtuar gjykimi dhe për çështje në datën 28 shtator 2021, doli me një vendim konkret, për rastin e Dajtit që çoi në vrasjen e 4 policëve nuk është vënë uji në zjarr fare.
Kjo është situata dhe ky është realiteti, i këtyre që vajtojnë për çdo yll që ngulet në murin e kujtesës dhe që nuk bëjnë asgjë e tradhtojnë kauzat e “Dëshmorëve të Atdheut”.
Sepse nuk ka kauza që nuk fitohet, por ka njerëz që tërhiqen dhe tradhtojnë.