Nga Thanas L. Gjika
Kur shikojmë bimët dhe qeniet e tjera të gjalla që jetojnë mbi tokë, nën ujë dhe në ajër na bie në sy fakti se pjesët përbërëse të tyre janë ndërtuar në forma e proporcione të përsosur për të kryer funksionet që duhet të kryejnë. Po ashtu edhe ngjyrat trupore të lëkurës ose të pendëve, luspave, ose të krahëve fluturues janë në përputhje me kushtet e ambjentit për t’u mbrojtur nga grabitqarët ose për t’u bërë të padukshëm nga preja e tyre. Kombinimi i ngjyrave është në përputhje dhe me disa parametra të bukurisë, sepse ngjyrat kanë dy funksione, nga njëra anë ato duhet ta mbrojnë qënien nga kundërshtarët dhe ta bëjnë të padukshëm prej prejës, kurse nga ana tjetër duhet ta bëjnë bartësin e tyre sa më tërheqës ndaj partnerit për çiftëzim e shumëzim.
Besimtarët e krishterë, muhamedanë dhe judenj, ia njohin këtë dukuri forcës së Krijuesit / Zotit. Kurse ata që janë ateistë ia njohin këtë dukuri Nënës Natyrë.
Duket se qeniet e gjalla qofshin bimë, kafshë, shpendë ose peshq kanë në genet e tyre një forcë që i ndihmon për t’u transformuar e përsosur pambarimisht me qëllim që të mbijetojnë dhe të mos zhduken. Për besimtarët kjo forcë është e dhënë prej Krijuesit / Zotit, për ateistët është krijuar gjatë luftës për ekzistencë.
Njeriu si qenie e gjallë ndryshon nga qeniet e tjera, sepse krahas instikteve ka dhe ndërgjegje. Njeriu, si qenie natyrore instiktive, si të gjitha qeniet e tjera, është përshtatur e vijon të përshtatet, lidhur me format trupore e aftësitë mendore, në përputhje me kushtet natyrore dhe kërkesat e punës. Kurse si qenie njerëzore me ndërgjegje, njeriu ecën herë drejt përsosjes e herë drejt deformimit të ndërgjegjes së vet.
Sipas Napolon Bonapartit, në një popull lulëzojnë veset e këqia (pra zhvillohet procesi i deformimit e i shkatërrimit shpirtëror) kur atë popull e drejtojnë njërëz jo të ndershëm, jo atdhetarë; kurse në po atë popull lulëzojnë vetitë e mira morale (pra zhvillohet procesi i përsosjes shpirtërore) kur e drejtojnë njerëz të ndershëm e atdhetarë.
Këtë mësim të rëndësishëm mund ta ilustrojmë me historinë e popullit tonë. Gjatë jetës së tij nën drejtimin e kryetrimit Gjergj Kastriotit Skënderbeut, burrit të ndershëm e atdhetarit të sakrificave të madha, lulëzuan vetitë e mira: burrnia, trimëria, bujaria, besa, dashuria për njeri-tjetrin, atdhedashuria, etj. Gjatë sundimit të popullit tonë prej sundimtarëve turq e veglave të Sulltanit dhe më vonë prej diktatorit Enver Hoxha e veglave të tij, dhe tani prej njerëzve të korruptuar antikombëtarë, në popullin tonë lulëzuan e po lulëzojnë veset, si frika, spiunllëku, pabesia, mosmirënjohja, vjedhja, etj.
Për popullin tonë sot ka një rrugë shpëtimi: Realizimi i Reformës në Drejtësi, për të cilën po ngulin këmbë aleatët tanë të mëdhenj SHBA-të dhe BE-ja, kjo do të sjellë shumë shpejt ardhjen në pushtet të njerëzve të ndershëm dhe atdhetarë, të cilët do të ndërtojnë Shtetin Ligjor dhe lulëzimin e vetive të mira morale si burrnia, besa, atdhetaria, mirënjohja, dashuria për njëri-tjetrin, etj. Pra sot, kush nuk godet korrupsionin dhe pushtetarët e korruptuar, është në krahun e gabuar të historisë, kush godet korrupsionin dhe pushtatarët e korruptuar është në krahun e duhur të historisë…