Ndeshja për kualifikim në Kampionatin Evropian në kategorinë U17, mes Zvicrës dhe Finlandës u mbyll baras 1-1. Rezultati nuk bën shumë përshtypje, por bën përshtypje numri i shqiptarëve që luajtën në këtë ndeshje.
Në formacionin startues të Zvicrës ishin 7 lojtarë shqiptarë: Rion Demiri, Labinot Bajrami, Bleon Xhemaili, Adriatik Salihu, Arbor Gecaj (kapiten), Leon Asllani, dhe Loren Arifi.
Gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Kevin Krasniqi dhe Leon Frokaj, duke e quar në 9 numrin e shqiptarëve që luajtën për Zvicrën.
Leart Zuka, i cili ishte futbollisti i dhjetë i ekipit zviceran, nuk u aktivizua në këtëndeshje.
Por, edhe te ekipi i Finlandës luajtën dy lojtarë shqiptarë. Mesfushori Dren Tërrnava luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa Yllson Lika u fut në pjesën e dytë të ndeshjes.
Pra, 12 lojtarë nga gjithsej 36 që luajtën në këtë ndeshje janë shqiptarë. Kjo flet për numër të madh të talenteve shqiptarë që luajnë në Evropë.
Golin e vetëm për Zvicrën e shënoi Rion Demiri, ndërsa për Finlandën shënoi Jasper Jalonen.
(r.m.)