Armando Broja u bë sërish heroi i Kombëtares. 20-vjeçari hyri si zëvendësues duke shënuar golin e fitores ndaj Hungarisë, që i jep Shqipërisë shumë shpresa për të arritur kualifikimin në Botëror. Pas ndeshjes, Broja u shpreh:
PARASHIKIMI: Gjithmonë kam besim, në të gjitha ndeshjet kam qef të bëj gol dhe të ndihmoj skuadrën. Shënova, i dhashë skuadrën fitores dhe më vjen mirë.
TITULLAR: Kam qenë i dëmtuar pardje në stërvitje, dhe trajneri më pyeti a je 100% i thashë “PO” pasi për fanellën, për Shqipërinë bëj gjithçka, hyra me besim të bëj golin të ndihmoj ekipin dhe morëm 3 pikët. Për Poloninë do të shohim në stërvitjen nesër, por sot në ndeshje isha mirë, e kisha mirë këmbë.
VENDI I DYTË: Vendin e dytë do ta besojmë deri në fund, kemi dëshirë të luajmë në Botëror është gjë e madhe, pasi nuk jemi vend i madh por kemi shpirt, shyqyr që morëm tre pikë, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përqendruar për sfidën me Poloninë.
Super Armando Broja! Shqipëria mposht Hungarinë edhe në Budapest dhe mban ndezur ëndrrën për Botërorin
09 Tetor, 2021 22:43
Një tjetër fitore historike e Kombëtares shqiptare. Kësaj here kuqezinjtë fitojnë në Budapest 1-0 ndaj Hungarisë, duke mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në play-off të Botërorit 2022.
Shqipëria e nisi mirë ndeshjen, duke ushtruar presion, por gjithsesi, munguan gjuajtjet drejt portës hungareze. Rasti më i mirë ishte në minutën e nëntë, ku Bare tenton vetë, pavarësisht se në të dy krahët mund të pasonte, ose te Cikalleshi ose tek Uzuni.
Minuta e 27-të sjell panik te kuqezinjtë. Berisha, Gjimshiti dhe Ismajli përplasen brenda zonës. Gjimshiti largohet me barrelë dhe humbet sfidën. Një dëmtim në dorë për mbrojtësin shqiptar, që zëvendësohet nga Veseli.
Shqipëria shfaqet më agresive, por mungon diçka në 20 metrat e fundit. Uzuni shpërthen dhe humb një rast të artë në fundin e pjesës së parë, por më parë ka pozicion jashtë loje. Mbyllet pa gola e para, ndërsa e dyta nis me një zëvendësim për kuqezinjtë, del Çekiçi dhe futet Bajrami.
/BW/