Dodë Gjergji, KTHIMI, Rrëfim, 1, 2, 3, DRITA Prishtinë – 55 Tiranë, 2021
Sot jemi në Tiranë për paraqitjen, promovim e përbashkët të Shtëpisë botuese 55 – Tiranë, dhe të DRITËS – Prishtinë të veprës së lartpërmendur të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit tonë të dioqezës Prizren – Prishtinë, i cili jeton, vepron dhe shërben ndër ne që nga viti 2006.
Më lejon ta bëj një hyrje dhe paraqitje të shkurtë të ngjarjeve kishtare dhe kombëtare ndër ne në Kosvë gjatë 50 – viteve të fundit.
Me ardhjen e ipeshkvit shqiptar Imzot Nikë Prelës (1918 – 1996), në fillim të vitit 1970, shumëçka ndryshon dhe përmirësohet. Rritet gjithnjë numri i thirrjeve meshtarake dhe rregulltare, ndërtohet kisha të reja, si dhe meremetohen kishat dhe shtëpitë e vjetra famullitare; fillon katekizmi i rregullte për fëmijë, pjesërisht edhe për rini. Në kuadër të kësaj gjallërie të gjithanshme, fillon shtypi katolik shqiptar me revistën fetare dhe kulturore “DRITA”, që pastaj rritet dhe zhvillohet edhe në shtëpi botuese, e vetmja si e tillë, katolike, në kohën e atëhershme. Deri tash DRITA ka botuar afro 100 tituj të ndryshëm me karakter fetar dhe kulturor, në shërbim të njerëzve të vullnetit dhe zemrës së mire..
Me pak fjalë, Kisha jonë del prej “sakristisë” dhe oborrit të kishës, është gjithnjë e më tepër e pranishme në skenën e jetës së popullit, me pjesëmarrje në ngjarjet shoqërore dhe kulturore shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, siç janë Pajtimet e Gjaqeve, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nëna Tereze”, Caritasi i Kosovës, përkrahja e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, mbrojtja e popullit tonë padrejtësisht të shkelur dhe të përndjekur ndër ne, në ish-Jugosllavi dhe në botë.
Zëri dhe prania jonë tashmë bëhet e fuqishme, qëndrimet tona profetike dhe providenciale, jo vetëm për shqiptarët katolikë, por për mbarë Kombin tonë, sidomos në krijimin e strategjisë paqësore jo – dhunore të Presidentit historic Dr. Ibrahim Rugovës, Lufta dhe pas lLufta, ndërhyrja e NATOS- për shpëtimin e Popullit të pafajshëm dhe të pambrojtur. Kisha jonë pati si moto frymëzuese arqipeshkvin Imzot Pjetër Bogdanin, i cili thoshte: “Fati i Popullit tim ësht edhe fati im”
Kohën para, gjatë dhe pas Luftës (1998 – 1999) Kishën tonë e ka udhëhequr Imzot Mark Sopi (1928 – 2006) me urti, guxim dhe provani. Vdekja e tij e papritshme bëri që Selia e Shenjtë ta kërkonte dhe gjente ipeshkvin e ri në personin e Imzot Dodë Gjergjit.
Ai ndërmori shumë iniciativa, ndër të cilat dallohen: rifillimi i revistës “DRITA” dhe botimet e saja, që nuk dilte që nga vitet e ’90, për shkaqe të njohura; ristrukturimi i famullitarëve nëpër famulli dhe Misione Katolike Shqiptare në Evropë; ndërtimi i Rezidencës Ipeshkvore, Katedrales dhe Shenjtërores Shën Nëna Tereze në Prishtinë dhe Qendrës kulturore “Bogdanipolis”; përpilimi dhe botimi i planit baritor për Kosovën “Shërbejmë me përvujtëri e kumtojmë me hare” 2015-2020; themelimi i Shkollës Katekistike Dioqezane në Prishtinë (2014), përkrahja e Radio Marisë së Kosovës, festimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze (2010); shugurimi i Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë në vitin 2017.
Nga “katedra” e Ungjillit, Altarit dhe shërbimit baritor, Imzot Dodë Gjergji doli në skenë me një veprimtari dhe shkrim me titull “KTHIMI”, botim I DRITËS dhe “55” të Tiranës. Për shumëkënd kjo ishte befasi e dorës së parë dhe shtrohet pyetja pse dhe si Bariu i Kishës merret me veprimtari dhe botim të tillë.
Unë do t’i numëroj disa arsye dhe çështje që ndërlidhen me këtë botim “sui generis” të Ipeshkvit tonë, i cili ungjillëzimin e paraqet në petkun e rrëfimit dhe romanit trilogjik.
Kërkimi në vazhdimësi, që mbështetet në thënien popullore: kush kërkon – gjen, që unë do të ndërroja në: kush kërkon – jeton.
Guximi për ta kërkuar të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën, Dashurinë, për të qenë vetvetja dhe për t’ua mundësuar edhe të tjerëve që të jenë vetvetja. Pasojat e robërisë shumëshekullore e historike, si dhe e opinionit publik, ende vazhdon ndër ne, me regresion apo fiksim, këmbëngulje në histori, si dhe me projektime boshe në ardhmëri, pa jetuar hic et nunc, këtu dhe tani jetën dhe veprimtaritë tona.
Motivimi, që mbështetet në tri elemente identitare: e di kush jam, e di çka dua dhe e di dua t’ia arrij asaj që dua.
Frymëzimi për percaktim jetësor për vlera dhe virtyte, si na thotë ndërgjegja, bindja, shpirti dhe zemra.
Mos ta ndajmë dhe dëmtojmë të Vërtetën – Jetën dhe Dashurinë, sepse atëherë rrezikojmë t’i humbin të gjitha, me këtë, kuptohet, edhe jetën tonë.
Feja është dhe duhet të jetë kërkim, pranim, pëlqim dhe jetë me Zotin, së pari e lirë dhe personale, pastaj edhe me të afërmin, sepse pa unë nuk ka as ti, dhe pa unë dhe ti, nuk as ne, në stilin e Shën Nënës Tereze, që kurrë nuk e ndau Zotin – Dashuri prej Njeriut, as Njeriun vëlla apo motër, prej Zotit. Nga feja personale kalohet në atë familjare dhe komunitare, të bashkësisë.
Nderimi, pranimi dhe bashkëpunimi në mozaikun tonë të dallimeve, gjithnjë në kërkim dhe zbatim të kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë, si na ka mësuar Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë – Nëna jonë Tereze.
Me pak fjalë përmbledhëse Imzot Dodë Gjergji propozon, ofron, mundëson trilogjinë e lirisë, përgjegjësisë dhe dashurisë, nga përvoja e tij personale, familjare, kishtare dhe shoqërore. Ai me urti dhe shumë përkushtim, dashuri, ka dëgjuar dhe mësuar nga tregimet e njerëzve tanë si mentaliteti ynë turmor, grumbullor, masiv na kushtëzon dhe robëron. Nëpërmjet meditimit, uratës, kujdesit të tij baritor për grigjën e Zotit, në këtë rrëfime ai ofron jetën me Zotin dhe me të afërmin si orientim, përcaktim, zgjidhje, prandaj edhe si mundësi e historisë dhe provanisë, për mirëkuptim, bashkëjetesë dhe bashkëpunim kombëtar dhe fetar ndërshqiptar.
T’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës kërkon prej nesh ballafaqimin e trefishtë, me vetveten, të afërmin dhe Zotin, po ashtu në tri dimensione: historike, të tashme dhe të ardhme, ku faktori njeri, person, individ, jo vetëm që është i mundshëm, por edhe i domosdoshëm, për shumëçka edhe vendimtar, sipas thënies: pa histori, nuk as të tashme, as ardhmëri, dhe tjetra: pa njeri, s’ka as familje as shoqëri.
Shpresoj dhe uroj që lexuesit tanë në Shqipëri, si dhe në Kosvë, por edhe në diasporë, ta lexojnë dhe kuptojnë, pranojnë sa më mirë qëllimin fisnik të Imzot Dodës, shërbim e tij baritor, kësaj here në një stil “ndryshe”, por me dëshira që Populli Shiptar sa më shpejt dhe më mirë të vetëdijësohet, përcaktohet dhe orientohet sipas vlerave dhe virtyteve, për të cilat kemi aq shumë nevojë gjithnjë, në veçanti sot.
Ndoshta përfundim përmbledhës mund të jetë ky: kush beson dhe dashuron, gjithnjë jeton.
Tiranë, 1 tetor 2021 Don Lush GJERGJI