– Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli –
Nga Visar ZHITI
Tetori në traditën tonë të re është tashmë dhe Muaji i Letersisë, sepse lidhet me jetët e vdekjet e disa prej shkrimtarëve të mëdhenj të letrave shqipe. E sjell sërish në vëmendje.
Në 20 tetor ndërroi jetë poeti kombëtar Naim Frashëri, kurse në 23 tetor lindi poeti tjetër kombëtar Gjergj Fishta
Në tetor kanë lindur dhe sundimtarët e Shqipërisë, Mbreti Zogu I dhe diktatori Enver Hoxha, i pari në 8, i dyti në 16, të cilët kanë lidhje me letërsinë, jo thjesht si personazhë veprash, por që kanë ndikuar dhe në realitetet letrare, për mirë dhe për keq.
Pikërisht si sot, në 13 tetor, kanë datëlindjet dhe 3 poetë: Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli. Ndërkaq tetori është dhe muaji i “Sindromës Down”, i vendosur nga Shoqata Kombëtare Amerikanë, që mban po këtë emër, për të senbilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqëritë, nismat e së cilës njihen si ajo “Buddy Walk®” – “Trupi Ecën” Po kështu është dhe muaji i Kancerit të Gjirit, i përballjes….
Trallisëse. Është muaji i dhjetë i vitit dhe emri i ij do të thotë tetë, vjen nga latinishtja (octo), sepse romakët në kalendarin e tyre gregorian e kishin muajin e tetë, është vjeshta e tyre në hemisferën boreale dhe pranverë në hemisferën australe.
Tetori ynë i mbart të gjitha këto, ar vjeshte nëpër poezi dhe gjëndje “down”, por dhe atë cjen e vështirë me një diell të ftohtë, që ngjan dhe me gjirin e murosur i Rozafës.
* * *
Dua t’i kthehem ditës së sotme të tre poetëve. Aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, që kujtohen në mënyra të ndryshme, ndoshta harrohen njëlloj, nga njëra palë ose tjetra e adhuruesve. Tre poetë që duhej të na bashkonin tre herë por nuk ndodh gjithmonë kështu,
Tre poetë që s’janë më.I përkasin shekullit XX të Shqipërisë, edhe fillimit të shekullit XXI. Dhe patën sundimtarët e tyre.
Migjeni dhe Dritëro Agolli. Që përkujtohen dhe zyrtarisht. Janë në tekstet shkollore dhe mediat flasin për ta. Migjeni jetoi nën mbretërinë shqiptare dhe solli copëza tronditëse të atij realiteti si kritik i tij, Dritëroi në socializmin real dhe i këndoi atij. Migjeni mësues fshati, Dritëroi shkrimtar profesionist, deputet. Migjeni nga diktatura u konsiderua si paraprirës i Realizmit Socialist, Dritëroi poet i shquar i tij, që përjetoi dhe postdiktaturën, ndryshimet demokratike, kur Migjeni sikur u zbeh paksa dhe Dritëroi u lartësua edhe më.Si njërën dhe tjetrën, ka që mendojnë se janë të padrejta të dyja.
Midis tyre, jo vetëm si vitlindjeje, por dhe si fat, është poeti tjetër, Pano Taçi, që erdhi nga ferri i burgeve dhe që kujtohet gjithnjë e më pak.
Një treshe poetësh jona, tre jetë, tre dukuri shqetësimesh, emblematike, kisha shkruar, por edhe diabolike, shtoj..
Migjen nxitoi të vdesë i ri, vepra e tij nuk u ndalua nga censura mbretërore siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë në diktaturën që Migjeni nuk e arriti, por u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm.
Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë të njëkohshëm, nën diktaturë të dy, i pari poet zyrtar, i dyti në burg, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u vendos regjimi më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u përzgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.
DEMONI I KRIJIMIT
13 Tetori i tre poetëve si nën shenjën zodiake të djallit metaforik. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë.
Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanim ne Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.
Dritëro Agolli, patriarku i socialistëve, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me botime të shumta e luksoze, poema e prozë, me lavdira e përvjetorë e statuja.
Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ’30, klasik ndërkohë, themeltar sidomos në prozën e shkurtër, me shtëpi muze dikur dhe me një teatër në qyetin e tij të lindjes, që mban emrin e tij.
Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime vulnerabile të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrave shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, i trishtë dhe i zhgënjyer në posdiktaturën demokratike, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional në trajtim, risi në tema, i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.
Tre poetë – me horoskopin e shenjës së djallit, mund të thoshim.
ELIPSET E TRE JETËVE
Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.
Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra, bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit.
Po risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, sepse sintetizon kohë dhe histori të re tonën…
1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte fituar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër.
Arsimimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.
1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte historinë e botës, fatalisht dhe të Shqipërisë së vogël.
Lindi Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.
1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri.
Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.
1931- Ndërsa vazhdonte të ndërtohej kryeqyteti i ri, Tirana, pas bulevardit të madh u ngritën 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. (I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago).
1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime ndaj tuberkulozit, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.
1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg” bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon këtë. Ndërkaq Migjeni po çmohej në shtypin e kohës. (Bllokimi i librave të Migjenit priste shlyerjen e pagesave të faturave) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.
Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të sundonte letrat shqipe gjatë periudhës socialiste dhe do të arrinte njohje botërore.
1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”, dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot mbase nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se mbahen dëndshëm fjalime nga pushtetarët…)
1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.
1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit nazi-fashist.
1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë…
1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në organizatën Debatik dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.
1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan.
1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).
1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimorë me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.
1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, (i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës në posdiktaturë), tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarët Mitrush Kuteli, Arshi Pipa, etj. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.
1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.
1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.
1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm dhe i tanishëm.
1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari” si reaksionare që nxit kryengritje.
1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por më i zbutur dhe i rafinuar. Pano Taçi mbetet në internim, me kontroll të rreptë policor.
1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë kah.
1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.
1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi.
1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog në Francë, diku afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.
1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.
1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me përkushtim e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli, deri në fund të jetës.
1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.
1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar, por siç kishte shkruar Imzot Fan Noli, ai mbetej “Pranë dritës – i pa parë”. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punëra nga më të rëndat e më të vështirat ashtu si në burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe të Prishtinës.
1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi.
1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku, të frymëzuar nga fjla e Enver Hoxhës, dënohen autorë dhe libra, festivali i 11-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare dhe më pas, për 30 vjet gjithsej.
1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël, nuk shkruheshin dot në hartë gjithe këto fjalë), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe “poeti qiellor” Lasgush Poradeci.
1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. (Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç, në moshën që vdiq Migjeni.)
1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografia për të.
1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në rrethina të Peshkopisë. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”.
1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Androkli Kostallari, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.
1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të ftohtë” e të gjatë mes tyre.
1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se në kohë lufte.
Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia (edhe ai ka lindur në tetor, në datën 18…), viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani për “shokun Zylo” i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në dimër Partia Demokratike, opozitare.
1991- Dritëroi bën një vizitë në Rusi, shkon në Shën Petërsburg, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën e partisë-shtet dhe kultin e Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.
1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.
1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”…
1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.
2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.
2001- Bashkia e Pukës i jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.
2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrokjet e para të emrit dhe mbiemrit të vet: Pa-no Ta-çi, por dhe flatrat e bardha te fluturimit). Do të marrë çmime letrare, teksa priste dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishnin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin…
Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.
2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…
2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, do të dërgonte një telegram.
2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropianen në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste.
2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij.
TRE ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM
Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje…
Sipas meje mund të ngrihen dhe tre çështje, ku ngërthehen keqas konsolidime të mbartura si atavizmë dhe një ardhje e vështirë:
1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky mëkat, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit. Gjë që duket se vazhdon…
2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, realizëm socialist, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë. Pasojat e së cilës i vuajmë dhe tani…
Sado absurde dhe e papranueshme të duket, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”. Ai “hosten” për shumëkënd në fakt shndërrohej në pranga dhe pushkë.
3- Dalja e një “letërsisë tjetër” nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre, që sollën realitete të munguara, duke zotëruar letrat shqipe të pas ‘90. Po sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore?
Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre.
Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën.
Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm.
Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të krijimeve të tyre, që vazhdon.
Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, dhe një stilograf mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij.
Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet… Një vepër që dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë për të, por është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë.
E kam takuar Drit:eroin me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…
Dëgjoj fyellin e drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoja andej nga ishte Kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e papaguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur për një portret të Pano Taçit në Kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, e denjë për çdo antologji, thosha.
Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.
E përsëris prej vitesh, mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e sheshe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë deri më tani. Ato do të sillnin më shumë estetikë urbane, jo vetëm të brendëshme, energji pozitive, siç themi shpesh, kulturë, do t’i shërbenin mjedisit si pemët, ajrit si mendimet e bukura, të përbashkëta. Do të forconim identitetin duke patur më shumë shpirt.