Andon Dede, New York
Ne ishim duke xhiruar në fshatin “Agim” të Fierit. Për të treguar se në Myzeqe kishte vajtur dhe treni, ekipi ynë u nda në dy pjesë: operatori me ndihmësit e ndoqën “heroin” e telereportazhit tonë me kamera në tren, kurse unë do të kthehesha në qytet me makinë. E lamë për t’u takuar tek stacioni i trenit.
Kur arrij tek stacioni i trenit, shoh se operatori, Muharremi, po bënte fjalë me një nga punonjësit e stacionit. Ndërsa Muharremi përpiqej me të mirë, tjetri gjithë zëmërim po ngulte këmbë në të tijën.
– Si është puna?,- pyes unë duke hyrë drejt e në temë.
– Po ja, – më thotë Muharremi, – ne deshëm të realizonim nisjen e trenit. Me që treni ishte gati për t’u nisur, xhiruam atë më parë. Tani po i lutemi këtij sinjaldhënësit që të ngrejë sinjalin, por nuk do që ta ngrejë.
– Po pse?,- pyeta unë duke kthyer kokën nga sinjaldhënësi.
– Thotë se “po nuk pati tren për t’u nisur, unë nuk e ngre sinjalin!”
Dyshova se mos po më bënin ndonjë numur, nga që nuk ma mbushi mëndjen ajo ç’ka tha Muharremi. Megjithatë, bëra sikur nuk mora vesh:
– Mirë, hajde e xhirojmë tani!- u thashë të dy palëvë me dashamirësi.
– Jo, unë nuk e ngre….
– Megjithëmend e ke?,- s’ m’ u durua mua. – Ia shpjegove ti Muharrem se ne, më pas e
montojmë në rregull…
– Ohua, e sqaruar e përsëritur nja njëqind herë deri tani…
– Po dëgjo, bre burrë i dheut, – ia nisa prapë unë. – Më beso mua se nuk ka asgjë të keqe…
– As mos u lodhni kot!- ma preu ai, duke më vështruar në të tillë mënyrë si të desh të thoshte: “Si nuk e kuptoni se është e kotë ta vazhdojmë më tej këtë muhabet!?”.
Si e pashë se qe e kotë vërtet që të vazhdoje më tej me të, ia bëra më shënjë Muharremit që të rrinte i qetë se do shkoja ta sqaroja me shefin e stacionit. Sinjaldhënësi e kuptoi planin tim dhe shtoi nga ana e vet:
– Ore, kot e keni! Unë nuk e ngre sinjalin po nuk pati tren sikur kushdo që të vijë!
Ngjita shkallët për tek kati i dytë ku më thanë se qe zyra e shefit të stacionit. Ai kishte ardhur
nga Librazhdi për të dhënë “përvojën e përparuar”, siç më thanë më pas. E përshëndes me ngrohtësi dhe i them shpejt e shpejt se si qe puna.
Ai më pa me vëmëndje por dhe me një farë qortimi, si të donte të më thoshte: “Nuk e shihni se po punoj, si guxoni të bëni humor, për më tepër qysh në takimin e parë?!”
– Nuk e kam me të tallur, por me te vërtetë, – ia ktheva unë, – kemi nja gjysmë ore që po merremi me të.
Ai la stilolapsin që kishte në dorë dhe u çua vrullshëm nga tavolina, si një njeri që është i sigurtë se do t’ia dalë me sukses në atë që do të bëjë. Zbriti shpejt e shpejt shkallët dhe iu drejtua sinjaldhënësit, duke i folur me emër:
– Pse po i pengon këta shokët që kanë ardhur të paraqesin punën tonë e po na bëjnë edhe nder!?
– A më keni thënë se do ta ngre sinjalin vetëm kur të ketë tren për nisje? E, pra, aty nuk ka tren dhe unë nuk e ngre!
– More, me të vërtetë e ke ti?! Mua më thanë dhe këta shokët po nuk u besova…
– Vërtet që ç’ke me të!
Shefi i stacionit nuk e deshte veten, aq në pozitë të vështirë dukej. Në këtë moment unë nisa ta humb durimin. “Si ka mundësi të merremi kaq shumë me një njeri si ky?! – thashë me vete.
– Dëgjo, – iu drejtova me të qetë sinjaldhënësit, por duke e bërë këtë me një sforco të madhe, – ne vërtet deshëm të të bëjmë nder ty, po paske qëne fare, a derëzi! Po neve na luten të tjerët për t’i nxjerrë në televizor. Hajde, mirë u pafshim! – dhe i bëra e shënjë grupit të niseshim.
Përgjegjësi i stacionit, dukej se po përjetonte një situatë të vështirë, tragjiko- komike. Duke na kërkuar falje për atë që ndodhi, na ftoi për një kafe, por ne nuk pranuam se ishim vonë. U nisëm dhe ndaluam në stacionin e parë të trenit që ndeshëm rrugës, në mos gabohem, në Libojshë. Punonjësi që xhiruam, na mori me pahir për të na dhënë një kafe, apo edhe me “bisht”, po deshët, siç u shpreh ai.
– Bekuar qofshi! – na tha gjithë dashamirësi. – Nuk më kishte shkuar kurrë në mëndje se do të dilja në televizor. Faleminderit shumë! Ua paça borxh…vazhdonte ai, duke u përpjekur ta shprehte sa më bukur e më të plotë mirënjohjen që ndjente.