Tiranë, 22 tetor 2021 – Banka e Shqipërisë po monitoron pasojat e rritjes së çmimeve dhe në rast se ndikimi në inflacion do të jetë më i lartë se pritshmëritë, BSH-ja është e gatshme të rishikojë politikat monetare.
Këtë deklaroi guvernatori Gentjan Sejko, në mbledhjet e organizuara virtualisht përgjatë 13- 20 tetorit me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, me siguri do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit në Shqipëri, çka sipas guvernatorit vlerësohet si rrezik për rimëkëmbjen ekonomike. Por ajo që është e rëndësishme është fakti se efekti i tij pritet të jetë kalimtar. Në bisedën virtuale, Sejko theksoi se gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ruajtur kahun simulues të politikës monetare, në shërbim të kthimit të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, si dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve disaditore ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e këtij sistemi. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar kanë vijuar të performojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rreziqeve të veprimtarisë. Në veçanti, sektori bankar zgjeroi ndjeshëm veprimtarinë dhe treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm, si dhe raporti i kredive me probleme arriti nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, 6.9% në muajin gusht 2021.
Në vijim, guvernatori u shpreh se fokusi i politikave makroprudenciale të Bankës do të kthehet drejt zhvillimit të mëtejshëm të sistemit financiar. Përmirësimi i arkitekturës rregullatore të këtij sistemi dhe forcimi i rrjetave të sigurisë financiare është një punë e vazhdueshme që merr një vëmendje të madhe nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pret një kthim në kahun konsolidues të orientimit të politikës fiskale, që do t’i shërbente si rritjes së hapësirave të reagimit ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, ashtu dhe kombinimit të duhur të normalizimit të politikave.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zbutjen e efekteve negative të dhëna nga pandemia, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.
(Panorama.al)