Në Prishtinë nis vaksinimi me ekipe mobile

Prishtinë, 22 tetor 2021 – Të premten në Prishtinë ekipet mobile kanë nisur vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ekipet mobile do të jenë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 17:00 për t’iu mundësuar qytetarëve që të vaksinohen.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u imunizuar kundër koronavirusit, si rruga më e sigurt për parandalimin e infektimit nga COVID-19.

Menaxheri i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se kjo formë e vaksinimit po bëhet në mënyrë “që të jemi sa më afër qytetarit”.

“Në kuadër të planit të paraparë, kemi parë që do të bëhet edhe vaksinimi përmes ekipeve mobile. Sot për herë të parë është ngritur tenda me ekipin mobil të vaksinimit në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, por një gjë e tillë do të fillojë së zbatuari në nivel vendi”, ka thënë Bardhi.

Ai ka sqaruar se në tendat e ekipeve mobile do të bëhet vaksinimi vetëm me dozën e parë, kurse dozën e dytë qytetarët duhet ta marrin në qendrat e vaksinimit.

Prej nisjes së fushatës së vaksinimit më shumë se 686.238 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 833.695 persona kanë marrë dozën e parë.

Deri më 21 tetor në orën 15:00 është vaksinuar plotësisht 38.1 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Autoritetete shëndetësore kanë thënë të enjten se kanë regjistruar 18 raste me koronavirus, pas testimit të 2.198 mostrave. Në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se më 21 tetor, 23 persona janë shëruar derisa 510 persona janë ende aktivë në koronavirus.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 160.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.974 persona kanë vdekur.

(REL)