Mos i lini më vetëm vajzat dhe gratë tona!

Bashkohuni të enjten në Manhattan, për të denoncuar përdorimin nga Serbia të përdhunimeve si armë lufte. Heshtja mbaroi, Turpi u vra. Tani e ka radhën drejtësia. Mblidhuni që t’ia tregojmë botës se çfarë ka bërë Serbia

Nga Ruben Avxhiu

Dy vjet më parë, në Manhattan, komunitetet shqiptare, boshnjake e kroate bashkuan forcat për të denoncuar një krim të përsëritur gjatë luftrave të viteve 1990, në Ballkan, por të lënë në harresë: përdorimin nga Serbia të përdhunimit si mjet lufte.

Përpara ndërtesës së konsullatës serbe në New York, të mbijetuarat e krimit serb, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani sfiduan tabunë dhe me guxim dëshmuan publikisht krimin që ende nuk është përballur me drejtësinë.

Mbi 20,000 gra e vajza shqiptare u përdhunuan në Kosovë nga ushtarët e paraushtarakët serbë. Bashkë me rastet në Kroaci e Bosnje, ky numër shkon në 70,000 e mbase më shumë. Këto nuk ishin incidente të shkëputura, por aksion i paramenduar për të thyer moralin dhe kurajon e popullatave vendase. Ushtria serbe përdori përdhunimin si armë, një mjet që duhet të shpallet i paligjshëm nga konventat ndërkombëtare.

Viktimat e përdhunimit janë shpesh viktima të shumëfishta. Për shkak të paragjykimeve dhuna ndaj tyre nuk njihet e përmendet nga askush. Ndryshe nga familjet e dëshmorëve të vrarë, të plagosurve, të rrëmbyerve, të burgosurve, të rrahurve, askush nuk e përmend përdhunimin. Shpesh viktimat janë përjashtuar e nuk kanë gjetur mirëkuptim as nga familjet e tyre. Këto janë viktima që nuk guxojnë të flasin e të tregojnë. Prandaj edhe kriminelët e kanë pasur shumë më kollaj të fshihen e të mos dënohen.

Por, sot me trimëresha si Vasfija e Shyretja, viktimat po guxojnë të dalin e të dëshmojnë të vërtetën që nuk duhet të turpërojë vajzat e gratë tona, por kriminelët serbë, burracakërinë e tyre, ndyrësinë e tyre.

Denoncimi i dy vjetëve më parë, nuk duhet të mbetet vetëm. Lufta jonë për drejtësi vetëm sa ka filluar.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, që ishte në ballë të manifestimit dy vjet më parë, po punon përsëri bashkë me organizatën “Bashkohuni për Drejtësinë e Saj” #RallyForHerJustice për të përsëritur këtë manifestim çdo 28 tetor, derisa të vendoset drejtësi.

Krimi dhe turpi janë të Serbisë dhe bota duhet ta dijë. Sa kohë që kriminelët nuk dalin përpara ligjit, sa kohë që Serbia nuk pranon fajin, kërkon ndjesë dhe fillon përndjekjen ligjore të urdhëruese dhe zbatuesve të fushatës së përdhunimeve, sa kohë që nuk shpallet i paligjshëm përdhunimi si krim njerëzor kur përdoret si armë gjatë luftës, këto protesta duhet të vazhdojnë.

Njëzet e ca vjet më parë, këto vajza u ndodhën të vetmuara dhe të pambojtura përballë dhunës mizore fizike e pskilogjike serbe.

Sot, frika u vra. Por duhet vrarë edhe indiferentizmi. Mos i lini më vajzat dhe gratë tona vetëm. Bashkoni me to zërin e protestës dhe të denoncimit. Bashkohuni me motrat dhe vëllezërit tanë të komuniteteve të tjera ballkanike.

Bashkohuni për Drejtësinë e Saj! Rallyforherjustice!

PROTESTA

Në 28 tetor 2021,në ora 12:00

Në adresën: 62 W 45th Street, New York, NY

Shkrimin në gazetën Illyria për manifestimin e dy viteve më parë mund ta lexoni këtu:

https://www.illyria.com/perdhunimet-jane-krime-lufte-serbia-denoncohet-publikisht-ne-new-york/