Qeveria e Kosovës miraton projekt-buxhetin e vitit 2022

Prishtinë, 29 tetor 2021 – Qeveria e Kosovës miratoi të premten Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë eurosh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga ky buxhet, për herë të parë, mbi 100 milionë euro do të ndahen për ushtrinë e Kosovës.

Kjo shumë, sipas Kurtit, përkon me 1.3 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

“Synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se me këtë buxhet do të ndërtohen edhe 50 çerdhe në Kosovë, do të mbështetet shkenca, nuk do të ketë pensione nën 100 euro e të tjera.

Dy milionë euro, për herë të parë sipas Kurtit, do të ndahen edhe për Luginën e Preshevës.

“Këto e shumë investime të tjera janë bërë të mundura me vetëm shtatë muaj qeverisje të mirë”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin është zgjedhur më 22 mars.

Projektligji për buxhetin kalon tani për miratim në Kuvendin e Kosovës.

(REL)