Zoti Biden i ka bërë komentet të premten, në një takim me homologun francez, Emmanuel Macron
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se sjellja e Uashingtonit ka qenë “e pahijshme” kur ka bërë marrëveshje për një pakt të ri të sigurisë, që i ka kushtuar Francës miliarda dollarë.
Biden i ka bërë komentet të premten, në një takim me homologun francez, Emmanuel Macron.
Ka qenë ky takimi i parë i tyre prejse Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia kanë rënë dakord muajin e kaluar për paktin Aukus.
Me këtë pakt, Kanbera ka anuluar një marrëveshje prej 37 miliardë dollarësh me Parisin, për të ndërtuar një flotë nëndetësesh konvencionale.
Në vend të saj, ajo do të ndërtojë së paku tetë nëndetëse me energji bërthamore, me teknologji të SHBA-së dhe Britanisë.
Vendimi e ka zemëruar Parisin, i cili e ka cilësuar paktin Aukus si “goditje në shpinë”.
“Ajo që kemi bërë, ka qenë e pahijshme”, ka thënë Biden gjatë takimit që është zhvilluar në Ambasadën e Francës në Vatikan.
“Kam pasur përshtypjen se Franca ka qenë e informuar shumë kohë më parë se marrëveshja nuk do të realizohet”, ka thënë Biden. Macron ka thënë se është e rëndësishme “të shikohet nga e ardhmja”.
Takimi ka qenë pjesë e një serie bisedimesh midis presidentit të SHBA-së dhe liderëve botërorë, përpara samitit të ekonomive kryesore në botë, të njohura si G20, që do të mbahet këtë fundjavë në Romë.BalkanWeb