Cartagena de India (Kolumbi), 1 nëntor 2021 – Një sasi e madhe kokaine është sekuestruar nga autoritetet kolumbiane, destinacioni i së cilës ishin disa vende europiane përfshirë edhe Shqipërinë.
Mediat vendase njoftuan se është sekuestruar një sasi prej 2279 kilogramësh kokainë. Sekuestrimi i sasisë së madhe të lëndës narkotike u bë gjatë së shtunës në portin turistik të Cartagena de Indias, në Veri të vendit.
Agjentët e gjetën drogën të ndarë në pako dhe të fshehur brenda një kontejneri që po shkonte në qytetin holandez të Roterdamit. Alarmet u hodhën për shkak të një sërë parregullsish në dokumentacionin e mallit përpara se të nisej dërgesa. Falë kësaj dhe një skaneri që më pas kontrolloi kontejnerin, Policia zbuloi pakot e kokainës. Mediat vendase thanë se operacioni i suksesshëm u ka shkaktuar humbje afro 100 milionë dollarë trafikantëve të drogës, ndërsa shitja e saj me pakicë në tregjet europiane do të sillte të ardhura më të larta.
“Kjo drogë mund të shpërndahej në tregjet e Turqisë, Spanjës, Italisë dhe Shqipërisë”, thotë Ricardo Alarcón, drejtor i Njësisë Kundër Drogës në Kolumbi. Ai theksoi se kontejneri kishte mbërritur nga porti i Guayaquil i Ekuadorit, një nga portet më të rëndësishme të Amerikës Latine sa i përket trafikut të kokainës për në kontinentin europian. Nga ky por vjen edhe shumica e kokainës në drejtim të Shqipërisë.
“Në këtë dërgesë ne kemi gjetur një veçanti, rreth shtatë etiketa, që na lejon të konkludojmë se ka ndoshta nga katër deri në pesë organizata të angazhuara për blerjen e kësaj droge në tregjet europiane”, përfundoi Ricardo Alarcón.
Mbi 50 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Policia shqiptare gjatë muajve të fundit e nisur në kontejnerët me banane nga porti i Guayaquil i Ekuadorit. Sekuestrimet e drogës janë bërë në kuadër të operacionit të koduar “Rada”, operacion i nisur më 13 korrik pas sinjalizimeve të DEA-s amerikane.
Sasia më e madhe e kokainës në vendin tonë është ajo e kapur më 28 shkurt të vitit 2018. Lënda narkotike prej 613 kg ishte nisur nga Kolumbia nëpërmjet kontejnerëve me banane për llogari të kompanisë së frutave të Arbër Çekajt. Përgjatë këtij viti, autoritetet kolumbiane kanë sekuestruar më shumë se 302 tonë drogë.
El coronel Ricardo Alarcón, director de la Policía Antinarcóticos, habla acerca de la incautación de cocaína en puerto de Cartagena. pic.twitter.com/I16usrVPf2
— ADN Barranquilla (@adnbarranquilla) October 30, 2021
(Panorama.com.al)