Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të legjionarëve kuqezi, të cilët kanë bërë paraqitje mjaft të mira me klubet e tyre në Europë.
Odise Roshi, raketa e Kombëtares shqiptare ka qenë një nga lojtarët më të mirë në formacionin e Bolusporit, skuadër me të cilën aktivizohet në Turqi. Fieraku dhuroi një asist për Bajram me fillimin e pjesës së dytë, gol që barazoi përkohësisht ndeshjen për klubin turk ku aktivizohet Odise Roshi, i cili u vlerësua me notën 7.5 nga uebsajti i specializuar për statistika, SofaScore.
Sërish hero Myrto Uzuni në Hungari, me Ferencvaroshin. Sulmuesi kuqezi ka ndihmuar skuadrën e tij të fitojë, teksa që në minutën e 47-të gjeti rrugën e rrjetës, duke kaluar në avantazh të tijët. Ferencavaroshi fitoi me shifrat 2-0 në transfertë, falë edhe golit të beratasit dhe paraqitjes së mirë që ai po dhuron këtë sezon me hungarezët.
Një tjetër gol vjen nga Austria, aty ku Giacomo Vrioni po shpërthen me Tirolin. Mungesa disa javore për shkak të një dëmtimi fizik e ka kthyer më të fortë së kurrë sulmuesin shqiptar që në pak ditë ka arritur të kthehet në protagonistin kryesor të skuadrës dhe të shënojë tre gola me austriakët në tre ndeshjet e fundit. Vrioni kaloi fillimisht në avantazh Tirolin në minutën e 57-të në ndeshjen e zhvilluar kundër Austrisë së Vienës, por ndeshja u mbyll në barazimin 1-1. Vrioni u vlerësua me notën 7.5 sipas SofaScore.
Ndërkaq, edhe nga skuadra e Shpresave vijnë lajme të mira. Armando Dobra ka realizuar një gol mjaft të bukur për Kolçesterin në Angli. Ky ishte goli i parë për sulmuesin shqiptar, i cili pas disa lëvizjeve futet në zonën kundërshtare, për të goditur në mënyrë të shkëlqyer topin që përfundon në rrjetë. Me notën 8 e ka vlerësuar SofaScore Dobrën, lojtarin e talentuar shqiptar.FSHF