Liderët botërorë premtojnë t’i japin fund shpyllëzimit deri më 2030

Glasgou (Skoci), 2 nëntor 2021 – Më shumë se 100 udhëheqës globalë, që po marrin pjesë në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Gllasgou të Skocisë, pritet të nënshkruajnë një zotim për të ndaluar dhe anuluar shpyllëzimin deri në vitin 2030.

Deklarata e përbashkët do të nënshkruhet gjatë bisedimeve për klimën, të njohura si COP26, nga liderët e vendeve që kolektivisht përbëjnë 85 për qind të pyjeve të botës, tha përmes një deklarate Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson.

Në mesin e tyre janë: Brazili, Indonezia dhe Republika Demokratike e Kongos, të cilat kanë disa nga pyjet më të mëdha dhe më të rrezikuara në botë.

Ky është “hapi më i madh përpara, në mbrojtjen e pyjeve të botës”, thuhet në deklaratën e Johnsonit.

Zotimi do të mbështetet me premtimin për të siguruar 12 miliardë dollarë financa publike nga 12 vende, deri në vitin 2025.

“Kjo do t’i mbështesë aktivitetet në vendet në zhvillim, përfshirë restaurimin e tokës së degraduar, do t’i trajtojë zjarret dhe do t’i përkrahë të drejtat e komuniteteve indigjene”, thuhet në deklaratë.

Ekspertët e mirëpritën zotimin, por kujtuan se një marrëveshje e mëparshme, në vitin 2014, “ka dështuar të ngadalësojë shpyllëzimin”.

“Është një lajm i mirë që kemi një angazhim politik nga kaq shumë vende për t’i dhënë fund shpyllëzimit”, tha Simon Lewis, ekspert për klimën dhe pyjet në Kolegjin Universitar të Londrës.

Por, bota “ka qenë këtu edhe më parë”, me një deklaratë në Nju Jork në vitin 2014, “e cila nuk ka arritur të ngadalësojë shpyllëzimin fare”, tha ai.

Rreth 7.2 miliardë dollarë shtesë do të vijnë nga financimi i sektorit privat. Drejtorë ekzekutivë nga më shumë se 30 institucione financiare do të angazhohen gjithashtu për t’i eliminuar investimet në aktivitetet që lidhen me shpyllëzimin.

Kryeministri Boris Johnson tha se “premtimet e papara” nënkuptojnë që bota “do të ketë shans për t’i dhënë fund historisë së gjatë të njerëzimit si pushtues i natyrës dhe, në vend të kësaj, njeriu do të bëhet kujdestar i saj”.

Pyjet janë zhdukur me shpejtësi në mbarë botën, pasi drunjtë priten për të mbështetur bujqësinë dhe ndërtimin.

Aktivistët e mjedisit duan që shkatërrimi të ndalet, sepse pyjet thithin emetimet e dioksidit të karbonit dhe në këtë mënyrë nxjerrin nga atmosfera një nga gazrat kryesorë që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Sipas Vëzhguesit Global të Pyjeve, bota ka humbur 258,000 kilometra katrorë pyje në vitin 2020. Kjo është një hapësirë më e madhe se Mbretëria e Bashkuar.

Aktualisht, një sipërfaqe pylli me madhësinë e 27 fushave të futbollit humbet çdo minutë.

Pesë vende – Britania, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Gjermania dhe Holanda – si dhe disa financues privatë do të zotohen gjithashtu për ndarjen e 1.7 miliardë dollarëve, për të mbështetur ruajtjen e pyjeve nga njerëzit indigjenë.

Ambientalistët thonë se komunitetet indigjene janë mbrojtësit më të mirë të pyjeve kundër prerësve.

Bisedimet në Gllasgou synojnë të mbajnë gjallë një objektiv për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit. Shkencëtarët thonë se pyjet dhe të ashtuquajturat zgjidhje të bazuara në natyrë do të jenë jetike për arritjen e këtij qëllimi.

(REL)