Kryekuvendarja Lindita Nikolla priti Presidentin e Institutit Kombëtar Demokrat Amerikan (NDI), Ambasadorin Derek Mitchell dhe Drejtorin Rajonal për Europën Lindore dhe Juglindore, Robert Benjamin
Knid Ndrenika
Kryetarja Lindita Nikolla tha në Tiranë se opozita në Kuvendin e Shqipërisë, dialogu politik dhe kuvendar konstruktiv, si dhe një Kuvend i hapur dhe transparent dhe pjesëmarrja qytetare janë thelbësore për demokracinë.
Zonja Nikolla foli në takimin me Presidentin e Institutit Kombëtar Demokrat Amerikan (NDI), Ambasadorin Derek Mitchell dhe Drejtorin Rajonal për Europën Lindore dhe Juglindore, Robert Benjamin.
Kryetarja Nikolla shtoi se NDI është partner strategjik i Kuvendit të Shqipërisë, në përpjekjet e përbashkëta për të ngritur e forcuar kapacitetet ligjvënëse.
Po ashtu zonja Nikolla theksoi se këto përpjekje dhe kapacitete përfaqësuese dhe mbikëqyrëse kanë rëndësi për zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve.
Biseda u përqendrua mbi aspektet e konsolidimit të institucioneve demokratike, rritjen e pjesëmarrjes qytetare, veçanërisht të rinisë si dhe fuqizimin e rolit të grave në politikë e vendimmarrje.
Presidenti Mitchell dhe zoti Benjamin vlerësuan rolin dhe përpjekjet e Kuvendit për ndërtimin e klimës pozitive e dialogut konstruktiv.
Zytarët e NDI-së garantuan mbështetjen e tyre për nxitjen e dialogut politik dhe Kuvendar, demokratizimin e partive politike, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare.