Washingtoni dhe Brukseli të zhgënjyer: U minua besimi ndaj gjyqësorit

Në një koment në “Twitter” kryetari socialist Edi Rama shkruajti: “Faleminderit Shteteve të Bashkuara për shprehjen pa asnjë ekuivok të protestës ndaj verdiktit të sotëm! Bota e lirë s’i mban dot kësi turpesh”!

 

Denion Ndrenika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Europian shprehën zhgënjim të thellë për vendimin e Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm tri ushtarakë të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve opozitarë më 21 janar 2011. Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se “Shtetet e Bashkuara janë tronditur” pas vendimit dhe vlerësojnë se “u minua besimi ndaj gjyqësorit”. Gjykata e Tiranës i dha pafajësinë ish-Komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ish-efektivit të Gardës së Republikës, Agim Llupo dhe ish-shoferit të Prendit, Margarit Kume. Por, vendimi për Shtetet e Bashkuara nuk ka dhënë “drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.
“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 Janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”-thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane pak orë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës me kryetar të Trupit Gjykues, Besnik Hoxha. Sipas gjykatës, provat e Prokurorisë së Përgjithshme nuk u vërtetuan, pra që vrasjet e katër protestuesve opozitarë të ishin kryer me dashje. Ekspertizë ndihmëse për hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit dha Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Hetimit, FBI.
Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe Komisioni Europian, pasi vendimi i Gjykatës së Tiranës sipas gjykatësit Hoxha, thekson se “gjatë hetimeve nuk është provuar që dy të pandehurit kanë realizuar këtë vepër penale me dashje, por kanë qenë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë”.
Trupi Gjykues vendosi lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve Prendi, Llupo dhe Kume. Vendimi i gjykatës i hoqi gjithashtu të akuzuarit Prendi edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Por, këtë vendim të Gjykatës së Tiranës, Komisioni Europian nuk e mirëpriti.
“E kemi theksuar në proges raportin për Shqipërinë nevojën për zbardhjen e ngjarjes me një proces të besueshëm gjyqësor. Theksojmë se çdo polarizim i kësaj çështjeje duhet të shmanget”-thuhej në reagimin e Komisionit Europian.
Komisioni Europian thotë se “është i vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës së Tiranës”, ndërsa theksoi se “kërkoi zbardhjen e ngjarjes në progress-raportin për Shqipërinë duke kërkuar një proces të besueshëm gjyqësor”.
“Verdikti është subjekt për apelim dhe se çdo polarizim i kësaj çështjeje duhet të shmanget. Një sistem gjyqësor i pavarur, i aftë për të realizuar gjyqe të ndershme për qytetarët është kusht paraprak për integrimin në Bashkimin Europian”-thuhet në reagimin e Komisionit Europian.
Sipas gjykatës, Prendi dhe Llupo kryen detyrën duke mbrojtur institucionet, referuar sulmit të protestuesve të Partisë Socialiste kundër selisë së qeverisë. Gjykatësi Hoxha arsyetoi se kishte marrë për ngjashmëri në dhënien e vendimit një rast të ndodhur disa kohë më parë në Itali, por me vendim të Gjykatës së Strasburgut. Në vitin 2001 në Xhenova të Italisë një polic vrau një protestues kundër takimit të Grupit të të 8-e, njohur si “G-8” dhe që më pas fitoi pafajësinë.
Menjëherë pas reagimeve të ambasadës amerikane dhe Komisionit Europian, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama foli tri herë brenda ditës për të njejtën çështje, 21 Janarin dhe pafajësinë e të akuzuarve për vrasje. Në një koment në profilin e tij në rrjetin shoqëror “Twitter” zoti Rama shkruajti: “Faleminderit Shteteve të Bashkuara për shprehjen pa asnjë ekuivok të protestës ndaj verdiktit të sotëm! Bota e lirë s’i mban dot kësi turpesh”. Kurse, komentin e fundit zoti Rama e bëri në emisionin “360 gradë” në televizionin lokal “News 24” në Tiranë. Zoti Rama tha se “Vrasësit e 21 janarit u lanë të lirë”. “Sot duhet të ndihemi të turpëruar si shoqëri, sepse Edi Rama: vrasësit e 21 janarit u shpallën të pafajshëm. Protestuesit u vranë pa asnjë lloj armatimi kërcënues”-tha zoti Rama.